Një film dramatik që hulumton thellësisht dualitetin e njeriut dhe lidhjen e tij me natyrën, “Ngryk” (titulli ndërkombëtar “Bear Hug”), i regjisorit Ilirjan Himaj u shfaq mbrëmjen e së shtunës në Tiranë në kuadër të “Tirana International Film Festival”.
Përmes një metafore të fuqishme, ai flet për lirinë, dhunën e strukturuar dhe dashurinë si një akt rebelimi.
“Premierën në Tiranë mezi e kam pritur…”, tha Himaj.
Himaj rrëfen se ka punuar 10 vjet për realizimin e këtij filmi, ideja e të cilit lindi rastësisht duke dëgjuar këngën “Delilah” të Tom Jones, për t’u formësuar më tej me ndikime letrare nga Kafka e Dostojevski e të tjerë autorë të njohur.
Në qendër të historisë është Agu, rojtar i një strehimoreje arinjsh, jeta e të cilit përmbyset brenda një nate. I humbur, ai ngjan se rilind kur takon Tinën, një vajzë të re me ëndrrën për t’u bërë këngëtare, por e përfshirë në një lidhje robëruese me një politikan abuziv.
Të shtyrë nga dëshira për liri, ata ndërmarrin një arratisje të guximshme drejt natyrës, ku kufijtë mes njeriut dhe kafshës, realitetit dhe magjikes, fillojnë të shkrihen.
Në rolet kryesore interpretojnë Valmir Krasniqi, Era Balaj dhe Teuta Krasniqi, si dhe aktorët Agron Shala, Astrit Kabashi e Shpëtim Selmani.
Për 107 minuta, “Ngryk” sjell një rrëfim mbi mbijetesën dhe dëshirën njerëzore për liri.









Komente
Komento