Ata ishin takuar së bashku në Japoni, kur Tedi Papavrami kishte shkuar për të vizituar tempullin ku jeton murgu budist Kanshô Miyashita, mjeshtër i kaligrafisë. Komunikimi ishte përmes një përkthyesi, por Papavrami tregon se ishte arti që i afroi
“Kaligrafia është një art mbi 1500-vjeçar në Japoni dhe 3000-vjeçar në Kinë, me një shkallë jashtëzakonisht të lartë rafinimi. Edhe pse flisnim përmes përkthyesit, vura re se me artin tim si violinist kishim pika tejet të përbashkëta. Harku i violinës është një copë druri me qime; peneli po ashtu është një copë druri me qime. Të dy ushtrojnë presion dhe lënë gjurmë—njëri në letër e tjetri në teli që prodhon tingull. Mendova se filmi dokumentar artistik ishte mënyra më e mirë për ta kapur këtë realitet, sepse në një koncert nuk shihet dot detaji fin i kaligrafisë.”, tha violinisti Tedi Papavrami për “Report TV”.
Në filmin dokumentar “Harku dhe Peneli” (The Boë and the Brush), të shfaqur premierë mbrëmjen e së martës në kinema “Millenium”, Tedi Papavrami interpreton “Chaconne” të Johann Sebastian Bach, ndërsa mjeshtri japonez krijon shenja dhe forma mbi letër, duke iu përgjigjur ritmit, frymës dhe emocioneve të muzikës. Është një moment magjepsës dhe një takim e njohje jo thjesht mes dy njerëzve, por dy botëve, ku dy arte mijëvjeçare bëhen bashkë në një udhëtim të përbashkët shpirtëror e që zbulohet.
Filmi i xhiruar tërësisht në mjediset mes tempullit dhe shtëpisë ku Papavrami ka banuar në Japoni, vjen nën regjinë e franko-zviceranes Raphaëlle Régnier. Mbi muzikën e Bach-ut, kaligrafi japonez interpreton tri poema të zgjedhura prej tij, duke i dhënë përmasa të reja lidhjes mes Perëndimit dhe Lindjes.
“Shpresoj t’i sjellim publikut një vështrim të ri mbi artin. Të gjitha artet e vërteta, por edhe filozofia, shkenca apo sporti ku njeriu nuk bën hile—kanë një rrymë të thellë të përbashkët që lidh trupin me shpirtin. Për mua ishte një rrugëtim i gjatë: jam nisur nga Shqipëria drejt Perëndimit dhe sot kthehem duke sjellë diçka nga Japonia e thellë tradicionale, që e dashuroj fort.”, vijoi Papavrami.
Përveç kësaj premiere, Papavrami zbuloi se po punon mbi një projekt të ri muzikologjik, i cili i dedikohet traditës së kabave shqiptare të Përmetit dhe Korçës.
“Është një projekt kërkimi shkencor muzikologjist, muzikolog si të thuash ë mbi muzikë ë mesazhe dhe kabatë e rrethit të Përmetit të Korçës dhe për teknikat e violinistëve të kabave, se si luajnë, gjë që sigurisht unë mund ta kuptoj e të mundohem ta interpretoj në mënyrë sa më të hollë, duke qenë se jam violinist, edhe pse nuk kam fare këtë traditë.”
Papavrami shpjegon se për realizimin e kësaj pune po bashkëpunon me muzikologun Vasil Tole dhe përmes këtij hulumtimi po hulumton edhe për historinë e tij familjare.
“Unë familjarisht jam nga Përmeti, kështu që edhe pse është një qytet ku nuk kam shkuar ende, më lidh kjo me disa gjëra shumë të hershme të paraardhjes së familjes time”.
Krahas këtij projekti Papavrami ka planifikuar të vijë edhe me një koncert në Tiranë gjatë muajit tetor.









Komente
Komento