Astronom, matematikan, teolog, filozof, pedagog, gjuhëtar e poet. Hoxhë Hasan Tahsini ishte një prej intelektualëve më të veçantë shqiptarë të shekullit XIX. 

I lindur në Ninat të Konispolit, ai e kaloi jetën në kërkim të dijes, mes shkencës dhe besimit, duke lënë gjurmë në Paris, Stamboll dhe në lëvizjen intelektuale shqiptare të kohës.

Pikërisht këtë figurë komplekse dhe ende jo mjaftueshëm të njohur sjell në ekran dokumentari “Dijetari i fshehtësive”, me skenar dhe regji të Admirina Peçit, i cili erdhi premierë mbrëmjen e së mërkurës në kinema “Millenium”.

“Dijetari i fshehtësive” është një dokumentar kushtuar Hasan Tahsinit, një nga dijetarët e mëdhenj të kombit tonë, astronom, shkencëtar, filozof, poet, gjuhëtar, një personalitet i shumanshëm. Dokumentari trajton disa linja të jetës dhe veprës së tij, duke sjellë jo vetëm informacione historike e zbulime të reja, por edhe pjesë nga vepra poetike, filozofike e shkencore, të ndërthurura me kujtimet e bashkëkohësve.”, tha Admirina Peçi, skenariste dhe regjisore e dokumentarit.

Filmi ndjek gjurmët e Tahsinit nga vendlindja, në Parisin e dijes dhe modernitetit, e deri në Stamboll, ku ai u angazhua në zhvillimin e arsimit dhe shkencës. Në qendër të rrëfimit është edhe përplasja mes shkencës dhe besimit, një dualitet që shoqëroi Tahsinin gjatë gjithë jetës. Përmes dokumenteve arkivore, intervistave me studiues, materialeve historike dhe inskenimeve, autorët përpiqen të rikrijojnë jo vetëm veprimtarinë e dijetarit, por edhe botën e tij të brendshme.

“E kam dëgjuar emrin e tij që kur kam qenë fëmijë e vogël sepse Mehdi Frashëri ka bërë një shkrim të gjatë në revistë edhe flet gjatë për Hoxha Tahsinin. Ai ka mbërritur në shtëpinë e nënës time në 1923. Tani që pashë filmin them të vërtetën u ngopa. Filmi rridhte. I tërë filmi tregonte historinë e Hoxha Tahsinit.”, tha Manushaqe Halili, stërmbesa e Hasan Tahsinit.

“Admirina ka bërë një punë të shkëlqyer. Ky është një projekt që e kemi nisur prej më shumë se dy vitesh dhe sot e vlerësoj përfundimin e tij si një mision të përmbushur të Fondacionit ‘Hasan Tahsini’. I mungonte pikërisht ky dokumentar, që sjell jetën dhe veprën e Hoxhë Tahsinit.”, tha Alket Veliu, drejtor i fondacionit “Hasan Tahsini”.

Dokumentari 90-minutësh është realizuar në Shqipëri, Paris dhe Stamboll, duke bashkuar kërkimin historik me interpretimin artistik. Një tjetër dimension i filmit janë dëshmitë e studiuesve dhe të njerëzve që kanë ndjekur prej vitesh gjurmët e figurës së Tahsinit.

Për shkak të mungesës së materialeve filmike origjinale nga jeta e tij, rrëfimi është pasuruar me inskenime, të cilat synojnë të rikrijojnë atmosferën e epokës dhe të krijojnë një hapësirë vizuale për ngjarjet e treguara.