Gjaku i humbur dhe i pashlyer rri pezull në ajër midis dikujt që ka marrë një jetë njerëzore, me dikë që ka humbur një të dashur të familjes, një djalë, vëlla, baba, apo bir. Ky gjak, i kuq, shpesh në stërzgjatje të pafund, kalon nga njëra palë tek tjetra dhe duket sikur nuk do të pushojë së rrjedhuri si hemorragjia e një plage të thellë, që s’ka asnjë shërim, si një plagë që s’ka kirurg që ta mbyllë, si një plagë që kullon e kullon e ngujon shumë e më shumë njerëz, më shumë fëmijë, fëmijë që nuk do të kenë mundësinë të rriten e të bëhen nëna dhe baballarë; fëmijë që s’kanë të ardhme, fëmijë që janë të ngujuar për jetë. Dhe askush s’po jep një zgjidhje, askush s’po vë dorë mbi këtë plagë për të parandaluar hemorragjinë e pashmangëshme.
Askush s’po ngre zërin të shpëtojë të ardhmen e këtyre fëmijëve “shtatanikë” që erdhën në botë normalisht por ju ndërpre cikli i zakonshëm i jetës në mënyrë jo natyrale. Sepse në vënd të zbatimit të ligjeve të një shteti ligjor, vepron një ligj anakronik, që i ka kthyer këta fëmijë në “handikapatë shoqërorë”, jo me dashjen e tyre apo për arësye gjenetike, por që për arësye thjesht sociale, janë të forcuar të jenë: fëmijë që marrin frymë, hanë, flenë, por që ju është hequr e drejta civile të jetojnë ciklin e plotë njerëzor, fëmijë që janë kthyer në robër të katër mureve, fëmijë që nuk do të jenë në gjendje të dashurojnë të lirë një ditë, nuk do të jenë në gjëndje të kërcejnë në dasmën e tyre një ditë, përderisa, në familjen tjetër të mos ketë mbetur asnjë mashkull i gjallë. Duhet të shuhet një fis i tërë nga njëra anë që të mbijetojnë fëmijët e palës tjetër në ngujimin për së gjalli brënda mureve të shtëpisë apo kullës dhe vice versa. Këtyre fëmijëve iu është dhënë ironikisht një dënim me burgim të përjetshëm, jo nga gjykatat ligjore, jo nga ligjet konstitucionale të shtetit, por nga një formë e padukshme, që rri varur mbi majat e maleve të veriut të Shqipërisë si një re e errët e mbarsur me elektricitet negativ, e dërguar nga forca të errta të padukshme, dhe është kthyer nga një ligj i vjetëruar në vetpërmbushje instiktive vullnetare e “skalitur” në fjalët e thëna për ditë, në muret e “Odave të Mira”, në format e reve që sillen maleve, është kthyer në skalitje pirografike mendore në trutë e njerëzve, në muret e shtëpive, në gurët e shtigjeve malore, në majat e maleve, në shpirtin e njerëzve, në lëkurën e të vjetërve si një shformim i shpirtit të vuajtur shqipëtar.
Këta fëmijë jetojnë duke u munduar të vjedhin një copëz rreze të diellit nëpërmjet një brime diku në shtëpi nga frika se po të hapin dritaren për të ajrosur shtëpinë nga ajri i ndenjur, një plumb mund të arrijë dhe t’a këpusë një jetë të njomë, e të shkatërrojë një të ardhme që askush s’e di çfarë do jetë, të shuajë një jetë që dikur mund të kthehej në një talent, në një piktor që mund t’a sillte emrin e kombit në brëndësitë e Luvrit, apo në një politikan që mund të kthehej në Luigj Gurakuq, në një Avni Rustem, apo në një poet që mund të ligjëronte njësoj si Vaso Pasha, Ndre Mjeda, Migjeni; apo një jetë që ka shumë për të dhënë megjithëse është shumë afër jetës të përtejshme, apo ndoshta një jetë që është gati të sjellë nën këtë qiell shqipëtar një jetë tjetër që fatkeqësisht ka propabilitetin që sërish të jetojë brënda këtyre katër mureve.
Dhe ja ku jemi ne, ana tjetër e shoqërisë, të edukuar, të rritur e të lindur në qytete e kryeqytet, që dëgjojmë për këtë anakronizëm, për humbjen e sa jetëve, për këtë ngujim të pallogjikshëm të fëmijëve, për vjedhjen arbitrare të fëmijërisë së tyre të brishtë, për këtë turp që ndodh në këtë shekull në të cilin ne ëndërruam të jemi një “Zvicër e vogël”.
Dhe ne revoltohemi! Revoltohemi për ç’ka po ndodh! Revoltohemi se kur mendojmë që sapo bëjmë një hap përpara, ne shkojmë 1000 hapa mbrapa si komb, dhe ndihemi të pafuqishëm, ndihemi të dobët, ndihemi askushi, dhe diku, marrim guximin t’a shprehim këtë atje ku s’na njeh kush. Në një botë krejtësisht të re, në një hapsirë që i përket një planeti të padukshëm, planetit virtual që mëndja njerëzore krijoi. Për tërë ne që realiteti na tremb, ky planet na jep mundësinë të shprehemi për atë që nuk mundemi në botën reale, dhe ndjejmë se mund të jetojmë e të përballojmë botën reale duke përdorur botën virtuale, një botë ku s’na prek dot kush,ku s’na sheh kush, ku mund të themi gjithcka, por askush nuk di kush jemi, çfarë me të vërtetë mendojmë, ku jetojmë dhe çfarë forme kemi.
Dhe dalëngadalë bëhemi pjesë të kësaj bote virtuale, bëhemi qytetarë virtualë të saj, me të drejta të plota dhe të barabarta, dhe nuk realizojmë që ne vetë bëhemi rob të virtualitetit, të kësaj botë ku si në një rrjet të pafund mund të vozisësh pa u parë, krejtësisht i padukshëm, ku mund të bësh gjithcka që do, ku dimensionet nuk janë thjesht tre, por të pafundshme dhe LIRIA është pa kufij. Dhe e gjithë kjo na bën të ndihemi mirë, na bën të ndjehemi TRIMA, na bën të guxojmë të lëshojmë thirrje pathetike për mosekzistencën e një Avni Rustemi, për revolta, për përmbysje diktatorësh e tradhëtarësh, ku të tjerë të marrin pjesë jo ne, e nuk realizojmë, se praktikisht nuk jemi njerëz të lirë, se nuk jemi askushi, por thjesht disa qënie virtuale që jetojmë në një botë imagjinare, ku na lejohet të vjedhim pakëz liri, pakëz trimëri, pakëz burrëri, pakëz dinjitet, që nuk ekziston por është vetëm në shpirtin tonë, që thjesht na bën të ndjehemi mirë, se në të vërtetë jemi të vrarë për së gjalli, se LIRIA për të cilën kaq shumë ëndërruam na u rrëmbye përsëri, se ne, veç vegjetojmë duke vjedhur pak jetë në pritje të ditës së ikjes sonë naturale nga ekzistenca biologjike, në shuarje të qënies tonë kaq të çmuar në pluhur të zakonshëm tokësor.
Dhe kënaqemi për cdo ditë që “vjedhim jetën” dhe jetojmë në “comfort-happy” efekt, dhe i buzëqeshim hajdutçe Shqipërisë sonë të bukur që po vanitet cdo ditë e më tepër e ngujuar përsëri e përsëri në veten e saj. Dhe fshihemi në botën virtuale, ngujohemi prapa ekranit, ëndërrojmë të jemi Anvi Rustema apo për ekzistencën-ringjalljen hyjnore të tij, ëndërrojmë për një Shqipëri të lulëzuar, të gjelbërt, të mbuluar më lulet e bardha të deleve, me qingja që blegërojnë në lëndina, ëndërrojmë një Shqipëri moderne, me struktura që arrijnë qiellin, me liqenet e bukura me ujë të kthjellët, që po të humbasin kaltërsinë e po bëhen të murrme, me Rivierën tonë të mrekullueshme mbushur me pika pushimi që një ditë mund të mos jetë e jona se dikush me xhepin plot mund ta blejë në çdo moment oportun, dhe ne do të shullohemi nën diellin tonë, do të lahemi në ujrat tona të kristalta që tashmë do i përkasin dikujt tjetër.
Dhe vjen pyetja: A janë vetëm ata fëmijë që janë portretizuar në dokumentare e statistika, dhe dhjetra e dhjetra të tjerë që janë ngujuar dhe ju është hequr e drejta të jetojnë si njerëz të lirë në Shqipëri, apo të gjithë kemi rënë rob të një vetburgimi masiv të vetes, të robve të shtëpisë, të vetmohimit të kuptimit të vërtetë të jetës, të autodënimit personal që e bëjmë për të mbijetuar, për të thithur pakëz frymë, për të parë dritën e diellit jo më kokën lart por mënjanë, për të gëzuar ato “pak” para që na jepen çdo pesëmbëdhjetë ditësh, për të patur mundësinë për të shkuar në një kafene luksoze për të pirë një kafe në tavolinat jasht saj që t’i tregojmë të tjerëve që kemi një status shoqëror të respektueshëm, një veprim që na krijon përshtypjen e gënjeshtërt se jemi të lirë, se ecim në rrugë ku anash kemi pallate shumëkatëshe moderne, apo disco ultra europiane, apo kemi mundësinë të shkojmë një javë me pushime në detet e kaltërta të Rivierës, se ato të Durrësit s’i përfill më njëri, gjë që na mbush me krenari që jemi pjesëz e këtij vëndi kaq të bukur, që më pak punë mund të ishte kthyer në një perlë të Europës, por që....nuk është më i joni, është i dikujt tjetër, dikujt që s’ka gjak shqipëtar, dikujt që na poshtëron përditë, por ne e durojmë se, ja, po lahemi në ujrat kristalike të një deti që dalëngadalë mund të mos jetë më i joni një ditë?
I dimë dhe i shikojmë të gjitha këto por mbyllim sytë e gëzojmë momentin, thithim ajrin, dhe ndjehemi të vetëkënaqur, dhe në mohim të plotë të realitetit shqipëtar, dhe shpesh i themi vetevetes e të tjerëve, “S’është aq keq sa e bëjnë!”
Dhe krijojmë ne, botën tonë virtuale, përderisa forma amorfe, gri dhe e padukëshme s’ka trokitur ende në derën tonë. Dëgjojmë që ka troktitur në derën e dikujt tjetër por ne s’na prekur ende, dhe ndjehemi të sigurtë nga pasojat e fenomenit “mbi të tjera koka ka rënë” efekt, dhe mendojmë se po të jemi të kujdeshëm, rreziku s’do na gjejë, nuk do të bjerë mbi ne, e ne do të jemi të sigurtë në botën tonë të vogël.
Dhe, vozisim në këtë botë virtuale, “trima”, “të pamposhtur”, japim mendime (O Zot! Eshtë mahnitëse sa rracë intelligjente jemi), bëjmë debate të tejzgjatura me argumenta llogjike të forta duke pirë kafe aromatike, shkruajmë komente të gjata interesante në internet, komente me merita të një artikulli të një gazetari profesionist, por preferojmë të jemi të panjohur, në botën virtuale që vetë kemi krijuar, apo në atë planet të ri që i është shtuar rruzullit tokësor, planeti virtual i valëve magnetike, ku kemi ngujuar vetveten në pafundësi, me një autondëshkim, si gjyqtarë subkoshientë të qënies tonë njerëzore.
Dhe NEVE, që na vjen keq për këta fëmijë të ngujuar nga “injoranca”, sic e quajmë ne të edukuarit fenomenin e “Ngujimit”, e nuk realizojmë që jemi ne të VETË - NGUJUARIT.
Ne kemi NGUJUAR vetveten në të njëjtën mënyrë si ata fëmijët që i kanë ngujuar të tjerë në kullat e tyre, por veç, ndryshe nga ata fëmijë, ne jemi vetëngujuar në mënyrë ndërgjegjëshme në të ashtuquajturën botë virtuale, që kemi vetëkrijuar, botë, ku fjalët fluturojnë nga një skaj i globit në skajin tjetër të padukëshme e marrin formë të një shkrimi apo komenti, në një botë me fije rrjetash të paprekëshme, një botë ku plumbi s’na kap dot, dhe ku ndjehemi të mbrojtur nga rreziku i gjak-hak-marrjes, dhe ëndërrojmë që një ditë dikush, një “Avni Rustem”, TË VIJË E TË NA ÇLIROJË NGA VETVETJA JONË, nga VETË-NGUJIMI për të cilin dikur bënim me faj të tjerët, por sot nuk mund të bëjmë me faj njeri, megjithëse mundohemi shumë t’ia hedhim fajin dikujt për “Vetë- Burgosjen-Ngujimin tonë Virtual”.