Nicolas Roegh, zbulon atentatin
ndaj Zogut në Vjenë

Nicolas Roegh, zbulon atentatin<br />ndaj Zogut në Vjenë
Nicolas Roegh një regjisor i njohur anglez intrigohet nga historia e mbretit të Shqipërisë, Ahmet Zogut për filmin “Një natë në opera”. Ngjarja e rrallë vjen në programin e festivali “TIFF 2013” me imazhe nga Pallati i Operës së Vjenës ku interpretohej “Balloja me maska” e G. Verdit, ndërsa një grup shqiptarësh antizogistë po përgatisnin një atentat ndaj Mbretit Zog. Regjisori Roegh shtjellon detaje nga ky moment i përfolur historik.

Sipas kronikave të kohës atentati është bërë më 20 shkurt të vitit 1931 në rrugën “Operngasse” të kryeqytetit austriak, Vjenë. 15 të shtëna pistolete iu drejtuan Mbretit Shqiptar, Ahmet Zogu, por ai shpëtoi falë ndihmësit të tij majorit Llesh Topallaj që për t’i shpëtuar jetën mbeti vetë i vrarë nga dy plumba në kokë. Aty mbeti i plagosur edhe ministri i Oborrit Mbretëror, Ekrem Libohova. Mbreti Zog interpretohet Theresa Russell, bashkëshortja e regjisorit Roegh, e cila është kthyer në një burrë që mban veshur pantallona, e ka vënë mustaqe.
Drejtori i festivalit Ilir Butka në intervistën për Shqiptarja.com rrëfen se çfarë do të përmbajë TIFF 2013, përveç filmit intrigues për historinë e mbretit Zog, që do të shfaqet më 29 tetor. Festivali “TIFF 2013” mbrëmë ka pasur natën e dytë të tij dhe do të vijojë deri më 31 tetor.
 
Ilir, tashmë festivali i filmit ka dy ditë që filluar, çfarë keni planifikuar për ditët në vijim?
-Gjatë 9 ditëve të festivalit në ekranin e madh të TIFF do të shfaqen 91 filma të përzgjedhur mes 800 filmave konkurrues. Këtë vit krahas kategorisë së filmave të shkurtër dhe atij dokumentar do të shtohet dhe kategoria e filmit me metrazh të gjatë. Për këtë kategori janë përzgjedhur 8 filma, të cilët vijnë që nga Ukraina, Franca, Rumania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Greqia e Spanja. Ka edhe një kategori për filmin shqiptar, ku janë përzgjedhur të shfaqen 14 filma. Pjesë interesante e festivalit është dhe programi special, gjatë të cilit do të zhvillohen diskutime mbi kinemanë sot, dhe atë çfarë pritet në të ardhmen, por dhe një diskutim të thelluar mbi të ardhmen e festivaleve të filmave. Këto seminare do të drejtohen nga kineastë dhe drejtues festivalesh, si Katriel Schory, Esther Cabero, Ben Gibson etj. tashmë ju e dini se janë pjesëmarrës me filmat e tyre edhe regjisorët e mirënjohur si Yves Boisset, Nicolas Roegh dhe Mark Cousins.
 
Patët vështirësi për nisjen e këtij festivali, sepse edhe u përshpejtua koha, tradita ka qenë që mbahej në dhjetor?
-Edhe pse koha qe shumë e shkurtër ne jemi befasuar nga pjesëmarrja e shumë vendeve të botës, të cilat kanë ndihmuar për një rritje të ndjeshme në cilësinë e pjesëmarrjes.
 
Më bëri përshtypje pjesëmarrja e një filmi shumë intrigues për publikun shqiptar. Jemi kureshtar të dimë se çfarë e intrigoi një autor francez të bënte film për një mbret shqiptar?
-Sigurisht që për këtë duhet pyetur autori, por di që atë e ka intriguar historia e një mbreti të cilit i bëhet atentat dhe ndodh e kundërta që mbreti vret atentatorin. Kjo ka qenë intriga që e ka bërë ta shikojë më me vëmendje ngjarjen shqiptare.
 
Në këtë edicion çfarë risie ka arritur TIFF?
- Festivali e ka zgjeruar spektrin e tij me seminare, takime, masterklase me kineastë të ftuar dhe me prezantime filmash në disa prej kinemave dhe teatrove të kryeqytetit. Uorkshopet janë një arritje, se uorkshopet nuk shërbejnë vetëm për studentë, por për të gjithë ata që kanë interes ndaj kinematografisë. Për festivalin na ka ndihmuar shumë Instituti Italian i Kulturës edhe me filma të tjerë që vijnë nga Italia. Ne me Institutin Italian të Kulturës kemi bashkëpunuar shumë në këto dy edicionet e fundit, ku falë ndihmës së tij ne kemi një program interesant nga ana e tyre, sepse na kanë sjellë gjithçka të mirë që ka Italia në këtë festival të filmit.
 
Sa e ka mbështetur festivalin ministrja e re e kulturës?
-Ministria e re e kulturës ka qenë shumë dashamirëse ndaj festivalit, por koha e marrjes së postit është shumë e shkurtër dhe kështu ajo nuk ka pasur shumë mundësi për të mbështetur me fonde festivalin. Shpresojmë që në edicionet të tjera të ketë mbështetje prej saj.
 
Cila është gjeografia e pjesëmarrjes në këtë edicion?
-Ka prurje nga shumë vende të botës dhe numri i të seleksionuarve është nga 45 vende.
 
Po përfshirja e kienastëve shqiptarë në ç’nivel ka qenë?
-Filmi mbetet një atraksion i mirë, ka shumë njerëz të interesuar, por nuk më rezulton tek kineastët shqiptarë, për sa i përket këtij festivali, që atë të tregojnë atë interes që gjoja shfaqin kur shkojnë te qendra e filmit për projekte. Duket sikur atje interesi është shumë i madh, ndërsa për pjesëmarrjen dhe ndjekjen e festivalit interesi rezulton shumë i vogël. Është një kontradiktë që nuk dua ta besoj, dhe që nuk di ta kuptoj...
Interesi i kineastëve shqiptarë mbetet shumë i ngushtë krahasuar me financimin e projekteve të tyre. Është një mizantropi. Janë jashtë interesit për filmin dhe del i pamotivuar gjithë impenjimi i tyre për të fituar projekte.
 
Si ta kuptojmë këtë qëndrim të kineastëve shqiptarë?
-E kam fjalën që qendra e kinemasë është vendi ku shkojnë shumë projekte të kineastëve, ndërkohë që këta njerëz për të marrë fonde publike dhe për të realizuar filma shkojnë dhe nuk vijnë për të marrë pjesë në një festival me interes. Pra nuk kanë interes të vërtetë për kinematografinë. Këta e kanë të lidhur ngushtësisht me anën ekonomike, kanë interes vetëm të fitojnë projekte për përfitime dhe nuk vijnë të bëhen pjesë e një festivali që është gratis në shtëpinë e tyre. Imagjinoni sa e pamundur është që të shkojnë në një tjetër festival jashtë Shqipërisë me lekët e tyre, e me kosto të papërballueshme për të ndjekur një festival në botë. Pra duket qartë interesi i tyre, vetëm të përfitojnë nga një projekt
 
Ilir, po më duket sikur është vepruar njësoj si me tenderët e rrugëve?
-Po, po. Kërkojnë të fitojnë projekte njësoj siç bëhet për tenderët e rrugëve...!
 
Shkrimi u publikua sot (25.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie