Niels Hav, metafizika e dashurisë 
në vëllimin 'Shpirti vallëzon në djep'

Niels Hav, metafizika e dashurisë <br />në vëllimin 'Shpirti vallëzon në djep'
Ndjenja në vëllimin poetik “Shpirti vallëzon në djep”  herë përvijohet si nevojë e brendshme për mbijetesë, herë si kërkesë e Unit për vetëpërsosje, herë si porosi që gjeneron prej teksteve të shenjta, ndërsa Niel Hav shfaqet si një Atlas modern që mban mbi supe dashurinë për njeriun…
 
Poeti – thoshte Bob Dylan – është ai që mban flakën ndezur. Në poezinë e Niels Hav-it, flakadani që nuk shuhet kurrë, është dashuria. Në vëllimin poetik “Shpirti vallëzon në djep”, dashuria kthehet në parimin bazë të ekzistencës njerëzore. Ajo merr trajta të shumta për shkak se i kundërvëihet rreziqeve të ndryshme që i kanosen qenies. Forma më e njohur e ndjenjës shfaqet përmes Erosit, që në kulturën mitologjike ishte i lidhur ngushtësisht me diellin, simbol ky i energjisë jetësore dhe kreativitetit. Kjo energji, i duhet pashmangshmërisht qenies, për ta ruajtur nga e përditshmja shpirt-shteruese.
Në poezinë “Më trego gjinjtë” koncepti i dashurisë barazohet me instiktin e jetës, që i jep njeriut kuptimin e ekzistencës. Jo më kot titulli është ndërtuar mbi një urdhërore semantike, sepse dashuria nuk është zgjedhje, por kusht esencial i mbijetesës. “Kur jam i uritur, mendoj për gjinjtë e tu / që s’i kam parë kurrë” – pohon Uni lirik, duke theksuar se dashuria nuk është detyrimisht prej mishi e kocke; ajo ka karakter fluid, kësisoj mund të mbushë/ ngopë gjithë instiktet njerëzore edhe në gjendjen e imazhit mendor. Kjo lloj dashurie, që e zapton qenien trup e mendje, është parakusht i mbijetesës në një kohë të vrullshme, kur vrapi për të arritur qëllimet duket kaq i rëndësishëm, sa në fund të ditës kuptojmë se kemi harruar të jetojmë;
“Jeta është bërë kaq komplekse. –
Ju luani piano dhe keni ndërmend pamjen
e një varreze, ku dielli dimëror rrezon
duke medituar gjithë pasditen
ndërmjet gurëve të varreve.[1]
Ky është komplekstiteti i jetës sonë, që e “plak” qenien pa e mësuar të jetojë. Pamja e varrezës që zë mendjen e të gjallit, ndërsa bën art (luan piano), është një nga imazhet më tronditëse të depersonalizimit të njeriut bashkëkohor. Vdekja bartet si kumt brenda vetes atëherë kur mungon ndjenja. Aristofani ndërkohë që filozofonte në lidhje me mitin e krijimit të njeriut, pohonte se vetëm dashuria është e aftë të shërojë “plagët” njerëzore. Kësisoj meditimi ndërmjet gurëve të varreve bëhet shenjë e “plagëve” të jetës së sotme, që e rrit njeriun pa dashuri. Prandaj këshilla për të jetuar çastin, për t’u mbushur plot me lëndën magjike që sjell dashuria, del pashmangshëm nga shpirti: “Dua të shoh gjinjtë e tu! / Gropa e zezë na pret të gjithëve, Prandaj hajde / ashtu siç je, le të shkojmë në Moskë”[2]
Bashkëshoqërimi mes modales së dëshirës dua dhe foljes në lidhore të shoh, e forcojnë konceptin e dosmosdoshmërisë. Dashuria është urdhër, thoshte Kirkergardi, dhe në mos qoftë urdhër i shqiptuar nga ai që dashuron, është urdhër bazik për ekzistencën. E vërteta dramatike që shpesh njerëzit e harrojnë është se finishi i “vrapit” tonë të jetës nuk është triumfi (fitorja), por fundi. Vetëdija se “gropa e zezë na pret të gjithëve”, duhet ta shtyjë qenien drejt të vërtetës sublime të kësaj jetë, që lehtësisht merr trajtë përmes ndjenjës.
 
Në poezinë e Hav-it, Erosi paraqitet i ngjashëm me mitin antik, si një zot pa prehje, në gjendje të vazhdueshme kërkimi. Kësisoj poezia “Gratë e Kopenhagës”, nis me vargjet: “Kam rënë prapë në dashuri / këtë herë me pesë gra të ndryshme gjatë një udhëtimi”[3]. Kësisoj dashuria shenjohet si qëndrim, si zgjedhje për t’i marrë jetës esencën e saj. Ajo shenjohet si këmbëngulje e Unit për të  arritur gjendjen e plotësisë së qenies, qoftë edhe gjatë një momenti fluturak, që zgjat po aq sa udhëtimi. Prania e ndajfoljes “prapë" në vargun “Kam rënë prapë në dashuri” e bashkëshoqëruar me togfjalëshin “pesë gra të ndryshme”, potencon ndjenjën si entitet të vetëmjaftueshëm, që e mbush qenien me emocione të forta edhe kur ndjenja nuk është reciproke. “Unë të dua dhe bota shpërthen” – pohon Uni lirik në poezinë “Dashuria”, duke theksuar se Erosi e mbush shpirtin me eliksirin e lumturisë absolute[4], me ndihmën e të cilit bota e jashtme ndryshon trajtë. Qenia që dashuron, arrin në poezinë e Niels Hav-it, atë që Abraham Masloë e quante "eksperiencë kulmore". Kjo e fundit kuptohet si arritje e "ndjenjës së plotësisë, gjetja e karakter unik të qenies, vlerë e së bukurës, të vërtetës e të perëndishmes”[5].
 
Megjithatë dashuria në vëllimin poetik “Shpirti vallëzon në djep”, nuk shfaqet vetëm si Eros. Në poezitë “Vizitë nga babai”, “Ora e dorës e babait tim“, etj., ndjenja dashurore kthehet në energji. Kjo e fundit e mbush ajrin me praninë e atyre që mungojnë, duke e lehtësuar qenien nga hija e rëndë që lëshon vdekja. Në këto poezi, dashuria interpersonale konsiderohet si “burimi i parë energjitik” me të cilën furnizohet individi. Çdo marrëdhënie e shëndetshme që ndërtohet më pas, gjeneron prej ndjenjës së marrë në familja. Në poezinë “Prerësja e purove”, Uni lirik pohon një të vërtetë esenciale: “E vetmja formë e dashurisë dhe respektit që kam, / Vjen nga familja ime. Të cilën kurrë nuk e meritova. / Gjyshi im vdiq pa më parë të përmbush ndonjë synim që ia vlente”.[6]
 
Kësisoj energjia dashurore bartet nga gjyshi tek nipi, nga babai tek djali, duke ndryshuar vetëm “enën në të cilën derdhet”. Në këtë koncept, dashuria interpersonale në poezinë e Niels Hav, kthehet në njësinë lidhëse mes brezave, për shkak se dashuria është “frymë” që nuk humbet. Përdorimi i foljes në kohën e kryer të thjeshtë tek “Gjyshi im vdiq”, shenjon largimin e trupit nga kjo botë, ndërsa ndjenja e investuar mbetet. Madje ajo kthehet në pasurinë emocionale, që i jep identitet qenies njerëzore.
 
Koncepti ndjenjësor në poezinë e Niels Hav zgjerohet më tej, duke marrë trajtën e dashurisë universale, e cila shenjohet si forma e vetme për ta shpëtuar njeriun dhe njerëzimin. Në këtë mënyrë, poeti e projekton dashurinë tek: ”çdo buzëqeshje, çdo përshëndetje apo çdo shtrëngim të shpejtë duarsh”[7]. Dashuria është: “e vërteta, që fle e groposur thellë në faqet e gazetave”[8], dashuria është vlerësimi për atë që zgjedh të zgjohet çdo mëngjes, dashuria është Klara që lindi shtatë fëmijë si antidot për melankolinë e Shumanit, dashuria është nevoja për një ditë të zakonshme pa gjak dhe pa të vrarë, … dashuria është jeta në të gjitha trajtat e shfaqjes së saj...
 
Nga sa më sipër, ndjenja në vëllimin poetik “Shpirti vallëzon në djep”  herë përvijohet si nevojë e brendshme për mbijetesë, herë si kërkesë e Unit për vetëpërsosje, herë si porosi që gjeneron prej teksteve të shenjta,[9] ndërsa Niel Hav shfaqet si një Atlas modern që mban mbi supe dashurinë për njeriun.
 
*) Lektore, Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës
 
 [1] Hav, Niels. (2016). Shpirti vallëzon në djep. Tiranë: OMSCA, fq. 32
[2] Hav, Niels. (2016). Shpirti vallëzon në djep. Tiranë: OMSCA, fq. 33
[3]Hav, Niels. (2016). Shpirti vallëzon në djep. Tiranë: OMSCA, fq. 35
[4] Kierkegaard, Søren. (1972). Concluding Unscientific Postscript to Philosophical Fragments. Princeton: Princeton University Press.
[5] Maslow, Abraham. H. (1970). Motivation and Personality. New York: Harper & Row, fq. 395.
[6] Hav, Niels. (2016). Shpirti vallëzon në djep. Tiranë: OMSCA, fq.46
[7] Hav, Niels. (2016). Shpirti vallëzon në djep. Tiranë: OMSCA, fq. 25
[8] Hav, Niels. (2016). Shpirti vallëzon në djep. Tiranë: OMSCA, fq. 27
[9] “Njerëz, ju e dini çfarë kërkohet prej jush: drejtësi, dashuri dhe përulje”

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Jahti i Steve Jobs përplaset me jahtin e miliarderit meksikan në Napoli

VIDEO/ Jahti i Steve Jobs përplaset me jahtin e miliarderit meksikan në Napoli