Nikolin Gurakuqi: Ferr-parajsa e
Orfeos dhe Euridiçes

Nikolin Gurakuqi: Ferr-parajsa e<br />Orfeos dhe Euridiçes
TIRANË- Një konferencë për shtyp, vetëm disa orë para shfaqjes “Orfeu dhe Euridiçe (“Opheos ad Euridice” në origjinal) që do të ngjitet më 23 prill në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit e la median “duarthatë”. Posteri ende nuk ishte varur në hyrje të operës. Skena nuk kishte as një përgatitje paraprake me artistët për kamerën dhe fotot. Duket se janë bërë vonë për t’i dhënë lajmin publikut për premierën e parë të TKOB-it, por s’është kurrë vonë për të kujtuar institucionin se diçka po çalon në mënyrën e organizimit të disa sektorëve dhe publiku është i pari që duhet të respektohet.

Dhe media, nga ana e saj, nuk ia bën dot shërbimin publikut pa faktet. Në konferencën për shtyp premiera e parë u prezantua nga drejtori i TKOB, Ilir Kerni, në prani të protagonistëve të shfaqjes; dirigjenten e operës së Lajpcigut, Margerita Kolombo, që e quajti një eksperiencë interesante bashkëpunimin me orkestrën e TKOB-it; sopranot Sonila Baboçi, Ivana Hoxha, Dorela Çela, Eriona Gjyzeli, Enkelejda Kamani, etj. Por, roli i medias nuk është të jap vetëm atë që i serviret, por edhe të ndjek problemin...: TKOB vonon t’i jap lajmin e shfaqjes publikut.

Regjisori, Nikolin Gurakuqi, njëkohësisht skenograf i premierës në intervistën për “Shqiptarja.com” me të drejtë thotë se reklama e shfaqjes nuk është puna e tij. Thotë se ka qenë “i zhytur në punë me artistët”. Kjo punë shpresojmë të mos shkoj dëm për shkak të bërjes publike të premierës në orët e fundit. Ndërkohë regjisori rrëfen sesi erdhi premiera “Orfeu dhe Euridiçja” në skenë dhe pse ndihet i lidhur shpirtërisht me veprën e kompozitorit Gluck, me libret të R. de Calzabigi-t.
 
Zoti Gurakuqi, kjo është një vepër që ti e ke ngjitur i pari në skenë në Universitetin e Arteve dhe tashmë premiera jote ngjitet edhe në Teatrin e Operës. Pse ju dhe stafi bëtë një zgjedhje të tillë?

-Opera “Orfeu dhe Euridiçja më ka tërhequr gjithmonë. Të them të drejtën më ka tërhequr sepse ne nuk e kemi punuar shumë në teatrin tonë apo në Shqipëri. Nga ana tjetër më tërheq se është edhe një histori e një personazhi që është mit në historinë e njerëzimit; Orfeu, i cili në këtë rast nuk bën as më shumë as më pak veçse vajton dashurinë e humbur. Dhe e gjithë vepra është një përshkrim i udhëtimit që bën ai nga bota e vdekjes për ta sjellë përsëri në jetë Euridiçen, por nëpërmjet intervenimit të dashurisë që personifikon Zotin në perëndim.

Ky lloj miti më ka tërhequr se në thelb triumfon dashuria mbi vdekjen, mbi atë të pamundurën. Mirëpo unë nuk e dija që një ditë do të shndërrohesha në një lloj Orfeu. Unë vetë e gjej veten në kërkim të një dashurie të humbur, por të një dashurie shumë të madhe, që s’ka krahasim me të Orfeos. Kam dy vjet që kam humbur atë dashurinë e madhe të jetës sime, që është im bir. E ndjej që ai moment, ai lëndim nuk më është larguar dhe kjo vepër sikur ma ngushëllon gjendjen time, sepse kam menduar se pikërisht ai triumf dashurie është i përjetshëm, ai nuk është i përkohshëm. Njeriu gjen forca të triumfojë edhe mbi dhimbje më të madhe dhe të triumfojë mbi dhimbjen e dashurisë.


Ju zoti Gurakuqi jeni dhe skenografi i premierës. Asistova në skenën e operës, kur teknika ishte duke u marrë me planet e parajsës. Ka një përkujdesje të veçantë për këtë lloj parajse në këtë rast?
-Pa diskutim që ka, po këtë radhë përkujdesja ime, ndikimi im e ka bërë ferrin shumë të fortë. E kam bërë shumë sugjestiv. Sa më sugjestiv ta bësh ferrin, aq më sugjestiv del edhe kontrasti me parajsën. Kështu që imazhin e atij që ka shkuar në parajsë, unë e paraqes nëpërmjet një siluete, që ky personazh nuk është i dukshëm, është vizual, por megjithatë luan muzikë në flaut, atje pra në atë botë ai është i lumtur dhe luan muzikë.
 
Sa ndikon në suksesin e premierës që protagonistët në skenë janë disa nga nxënësit e tu?
-Kam vite që punoj me pjesën më të madhe të stafit, që nga vitet në shkollë. Është një staf i përgatitur muzikalisht, edhe skenikisht. Pra ata njohin mirë këtë zhanër dhe e luajnë mirë dhe e këndojnë mirë. Këta nuk janë thjesht të preferuarit e mi si regjisor, por janë artistë që i dua.
 
 
Dihet që premiera e parë e 2014-ës në skenën e TKOB-it erdhi me sakrifica, sepse opera ishte e mbushur, siç është deklaruar edhe nga Ministrja e Kulturës, me borxhe. Pse nuk ishit të përgatitur për t’i bërë reklamën për publikun. Posteri ende nuk është vënë. Lajmi u dha dje dhe nuk mbeten shumë orë nga shfaqja, që do të ngjitet nesër në skenë?
-Ç’të them unë për këtë nuk di të them një përgjigje. Unë kam qenë i zhytur në punë me të gjithë sektorët, me këngëtarët dhe me dirigjentët, me orkestrën, me korin, me teknikën, me skenografinë dhe rrobaqepësinë. Kam qenë i preokupuar me të gjithë këto sektorë nga e cila varet fati i premierës. Nuk kam pasur kohë që të merrem me problemet e  një afisheje që duhej vënë jashtë. Ka një sektor të caktuar për këtë punë.
 
Pse zgjodhët një vepër të kompozitorit Gluck?
 
-Christoph Willibald Gluck ka 300-vjetorin e lindjes, jubile që festohet gjithandej. Kryevepra e tij është “Orfeu dhe Euridiçja” dhe po vihet kudo në operën Firences, të Leçes, etj.
 
Pse Orfeu këndohet me zëra femërorë?
-Është shkruar me zë mezosopranoje, por që maskohet si mashkull. Orfeu në fakt është hermafrodit. Ka qenë biseksual si figurë mitike. Ka qenë një mashkull me pamje femre, një lloj muze. Dhe në shumicën dërmuese bëhet me zë mezosopranoje, por edhe ka raste që bëhet me tenor kastrat, me zë “i tredhur” që thuhet. Por janë më të rralla këto raste.
 
Si i keni zgjedhur kostumet?
-Duke qenë se në këtë opera, unë kam dashur mitin ta sjell në ditët tona, por nga ana tjetër ta sjellë edhe nga thellësia e shekujve Orfeun e vesh si personazh të ditëve tona. Ngjarjen e çoj deri në thellësi të shekujve. Pra po të shikosh ferrin, në ferr takon personazhet negativë të gjitha kohërave, që nga antikiteti deri në ditë tona. Kuptohet shfaqjen e mbaj në të gjitha kohërat në skenë. Gjatë rrugës për ta vënë në skenë, unë kam ndjerë edhe dhimbjen, herë kam qenë i trishtuar, po trishtimi më lejohej në pauzat kur shkoja në shtëpi, ndërsa në prova kam qenë energjik. Dua të them me këtë se ka ndikuar pak ai intimiteti i dhimbjes sime. Sido që të jetë e kam bërë me shumë dashuri. E vendosa shfaqjen në teatrin i jetës dhe i vdekjes, tjetra i jetës dhe vdekjes nuk ka kohë, është jashtë kohe, për sa kohë ka ekzistencë, dio të ketë edhe teatër. Për sa kohë ka ekzistencë, do të jetë dhe jetë dhe vdekje. Dhe të dyja janë simbioze me njëra-tjetrën. 

Shkrimi u publikua sot 23 prill 2013 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Notoi në lumin Sena për garën e Lojërave Olimpike, atletja ndan eksperiencën: Pashë gjëra që as dua t’i mendoj

Paris 2024/ Notoi në lumin Sena për garën e Lojërave Olimpike, atletja ndan eksperiencën: Pashë gjëra që as dua t’i mendoj