Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot Ambasadorin e Zvicrës, Adrian Maitre.
Ambasadori Maitre e uroi Nikolla për zgjedhjen në detyrën e lartë dhe shprehu bindjen dhe vullentin për zgjerimin e bashkëpunimit midis parlamenteve të të dy vendeve.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, vlerësoi bashkëpunimin politik shumë të mirë e dinamik midis të dy vendeve.
Zvicra është një donator i rëndësishëm për Shqipërinë, donatori i parë në sektorin e shëndetësisë, ka ndihmuar në përmirësimin e sistemit dhe kujdesit shëndetësor si edhe me mjaft programe e projekte të tjera në fusha të ndryshme. Nikolla shprehu mirënjohjen për asistencën e menjëhershme zvicerane për për kalimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe të pandemisë COVID-19.
“Bashkëpunimi shumë i mirë midis parlamenteve të dy vendeve mund të zgjerohet me shkëmbimin e vizitave midis komisioneve e parlamentarëve të dy vendeve.
Gjithashtu, ne vlerësojmë mbështetjen e Zvicrës për fuqizimin dhe modernizimin e shërbimeve parlamentare, rritjen e produktivitetit dhe eficencës së veprimtarisë parlamentare, si edhe mbështetjen për qeverisjen vendore, edukimin qytetar dhe mbështetjen për reformat, në shërbim të qytetarëve. Ky bashkëpunim do të vazhdojë.”, nënvizoi ajo.