Çdo fëmijë rom duhet të regjistrohet në kopsht dhe të ketë mundësi të barabarta me të gjithë fëmijët e tjerë, ky ka qenë apeli që u ka drejtuar Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla banorëve të zonës së Bregut të Lumit. Sipas saj, në kopshtin e kësaj zone do t’i jepet prioritet regjistrimit të fëmijëve rom, duke u bërë apel prindërve që t’i regjistrojnë fëmijët.

“Nuk do presim që nënat rome të trokasin në dyert e institucioneve, por do jenë edukatoret dhe mësuesit për t’i sqaruar nënat rome se sa e rëndësishme është regjistrimi i fëmijëve në kopsht. Fëmijët romë do të regjistrohen, e kanë apo jo certifikatën e lindjes dhe atë të vaksinimit. Këtë problem do ta zgjidhë ministria”, deklaroi Nikolla.