TIRANË, 6 Dhjetor/ATSH-Anila Struga/.- Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, gjatë një konference për shtyp të shtunën në mbrëmje, e cilësoi testimin e mësuesve një kapitull të ri në përpjekjet për ta çliruar arsimin shqiptar nga mediokriteti dhe paaftësia.
"Ne sot i dhamë përgjigjen e duhur duke shpëtuar nga deformimi i dijes, por dhe i personalitetit jo pak, por 177 mijë fëmijë shqiptarë, që merrnin mësim nga mësues jashtë profilit. Ne jemi krenarë që do të mundësojmë që brenda muajit janar në gjithë sistemin arsimor mësuesit që kanë arsimin dhe kualifikimin përkatës të jenë ata që do të meritojnë edukimin e fëmijëve tanë" u shpreh ministrja Nikolla.
Ajo njoftoi se të hënën do të fillojë puna për korrigjimin e testeve të sekretuara, të cilat po depozitohen pranë Qendrës Kombëtare të Provimeve nga 12 qarqet e vendit. Korrigjimi i tyre, tha ajo, do të bëhet nga një trupë prej 150 profesionistësh, ndërsa rezultati i testimit për çdo aplikant do të shpallet më 22 dhjetor.
"Renditja e aplikantëve për çdo profil sipas Drejtorive Arsimore Rajonale të 12 qarqeve të vendit do jetë pika e referimit për të plotësuar vendet vakante. Kjo do të jetë dhe mënyra e vetme për punësimin e mësuesve në arsmin parauniversitar", theksoi Nikolla.
Gjithashtu, ajo njoftoi se brenda muajit maj do të realizohet dhe testi vlerësues për të gjithë mësuesit që janë në sistem.
Paraditen e sotme në 29 shkolla të 12 qarqeve të vendit u zhvillua testimi i mbi 8 mijë kandidatëve për mësues të cilët aplikojnë për 2765 vende të lira pune.
Kryeministri Edi Rama tha se ky sistem i ri, i jep fund emërimeve politike dhe korruptive të mësuesve, çka rëndonte mbi cilësinë e nxënësve dhe të arsimit./a.g/