Nikolla: Thirrja e mbrame dëshpëruese e Bashës ose shpërbërja ideologjike e PD-së!

Nikolla: Thirrja e mbrame dëshpëruese e Bashës ose shpërbërja ideologjike e PD-së!

Lulzim Basha

Një parti në spektrin politik të një vendi që aspiron Bashkimin Europian e ka të pamundur të mos i referohet një kuadri ideologjik ose të paktën të ketë prirjen e tërheqjes drejt një ideologjie të caktuar. Qasja krahinore dhe faresfinore e partisë kryesore të opozitës e ka të pamundur mbijetesën në një afrim tashmë të pakthyeshëm me Europën!

Nëse një pjesë e popullit shqiptar në vitet ’90 e deri diku edhe në vitet 2000 e ka pranuar, me hir e pahir, një PD të tillë pa bosht të qartë ideologjik, sot gjërat kanë evoluar aq shumë nga pikëpamja kulturore e politike dhe hapja ndaj Europës është tashmë e dhënë faktike. Siç do ta shohim më poshtë, kjo është arsyeja pse një parti e tillë nuk ka një program të mirëfilltë politik, por ecën mbi dallgët emocionale të drejtuesit të saj de facto! Mjaft figura të kësaj partie e kanë kuptuar tashmë se duhet një rithemelim dhe një rikonceptim ideologjik me figura të reja dhe janë krejt të bindur se tashmë kjo parti lundron në mjegull pa kurrfarë busulle.

Ka vite që është dukur ashiqare zbehja ideologjike e PD-së! Një minimum përmbajtjeje ideore e mbante kahu i përfaqësuar nga të përndjekurit politikë dhe të shpronësuarit! Politika që ka ndjekur PD-ja me grupimet e të përndjekurve politikë ka qenë që në zanafillën e saj tëhujëzuese. Kujtoj letrat dhe qasjet e të burgosurve politikë të sapoliruar nga burgu në 1991 kur shikonin te kjo parti shpresën e lirisë dhe pa kaluar as një vit u përballën me zhgënjime të jazhtëzakonshme. Aq i thellë ka qenë zhgënjimi i të përndjekurve politikë nga qeveria e PD-së, saqë në 2012 ndodhi e pamenduara: një ish i burgosur politik, Lirak Bejko, u vetëflijua duke u djegur me benzinë në mes të Tiranës bash si Jan Palak në mes të Pragës kundër terrorit sovjetik! Ishte një ndodhi tronditëse për krejt opinionin shqiptar! Një akt i tillë nuk kishte ndodhur as përgjatë regjimit të egër komunist! Nga ai akt ka nisur tatëpjeta e pakthyeshme e kësaj partie!

Po aq të zhgënjyer me partinë “e djathtë” mbeten edhe ish-pronarët, sytë e të cilëve u drejtuan drejt Strasburgut duke shpallur procese gjyqësore kundër qeverisë “së djathtë”, boshti ideologjik i së cilës duhej të ishte shteti i së drejtës dhe ekonomia e tregut me të drejtën e pacenueshme mbi pronën! Kur këtyre të fundit ua rroku mendja më në fund qasjen tallëse të PD-së me ta, u larguan masivisht prej saj dhe çdo afërsi me PD-në, e supozuar nga media apo opinioni publik, u jepte alergji për arsye të rrenave dhe prapavijës komuniste të drejtuesit të PD-së!
Në këtë thatësirë dëshpëruese ideologjike, PD-ja përpëlitet të gjejë ndonjë shteg shpëtimi! Çdo përpjekje e saj është iluzion i pashpresë, sepse gabimet e saj nuk janë taktike, por rrënjësore e për rrjedhojë ajo ka humbur arsyen ideologjike të ekzistencës!

Moskuptimi i qartë i nevojës ideologjike, nisur edhe nga trashëgimia farefisnore e saj, ka bërë që bërthama e saj e fundit ideologjike të rrotullohet rreth emocionit “anti-Ramë”! Ky emocion ushqehet më së shumti nga kompleksi i inferioritetit që kryetari de facto i PD-së ka ndaj Ramës. Madje përfaqësuesit e PD-së nuk ndalen me kaq, kanë gati-gati një frikë prej Ramës! Ky fakt më sjell ndërmend 14 veçoritë e fashizmit të shpjeguara nga Umberto Eco: në pikat 6 dhe 7 i referohet frikës prej tjetrit dhe frustracionit social dhe individual!
Në këtë pamje duhet lexuar thirrja e fundit dëshpëruese e Bashës për të hapur dyert e PD-së ndaj kujtdo që sulmon Ramën! Në interpretimin simbolik tipik të gjuhës politike të kësaj partie, të sulmosh Ramën do të thotë të shpifësh kundër tij, ta fyesh, ta përgojosh, ta kërcënosh! “Udhëzimin” më të vyer në këtë perspektivë të mjerë politike e përcjell kryetari de facto i Opozitës, i cili prej vitesh ka të njëjtin refren politik për militantët: kapeni Ramën e hidheni në Lanë! Në fakt, prej kësaj thirrjeje që tam-tami i tij trumbeton tash sa kohë, në Lanë kanë përfunduar vetëm fjalët e Opozitës!

Përtej asaj çka thamë më lart, ofshama e çjerrë për dyer të hapura dëshmon se mozaikut politik në Shqipëri i mungon zëri autentik opozitar! Si mundet një kryetar opozite t’i bëjë thirrje për bashkim kujtdo, pa asnjë filtrim statutor, formal apo moral?! Si mundet të mirëpritet në opozitë çdo shpifës, rrenacak, përgojues, duke u mjaftuar në faktin e vetëm, por të mjaftueshëm për PD-në që të sulmojë Ramën!? Si mundet PD-ja të mos kuptojë arsyen themelore që në politikë ndahet programi politik nga personi, si mundet ta përqendrojë gjithë energjinë e saj në sulme personale?! Ndoshta arsyeja kryesore e mungesës ideologjike të PD-së ka nisur që në lindjen e saj nga një konceptim i shtrembër mbi atë çka është ideologjia. Nisur nga shkollimi i pamjaftueshëm pseudomarksist, nismëtarët e saj mendonin se ideologjia kishte të bënte vetëm me idetë mbi një ekonomi e formacion shoqëror. Nuk kishin pasur as mundësinë që të kishin si referim Vilfredo Pareto-n apo Max Weber-in, të cilët dëshmonin se ideologjia është projekt kulturor e politik njëherazi, është harmoni mes ideve dhe vlerave që e influencojnë shoqërinë me po aq forcë sa ekonomia!

Ky mjerim politik në fakt nuk përbën dramë vetëm për PD-në, por për krejt opozitën në Shqipëri! Në këtë panoramë të trishtë të opozitës, Partisë Socialiste i bie barra e rëndë që në strategjinë e saj politike të vërë në llogari këtë mungesë të mendimit opozitar! Një mendim i shëndetshëm opozitar do të ishte impuls pozitiv edhe për qeverinë! Atëherë PS-ja duhet të mbajë përherë e më fort një kontakt me shoqërinë civile, që me mendimet e sugjerimet e saj ndërtuese të shndërrohet në ndërgjegje kritike pozitive, me qëllim që qeverisja të ecë përpara e suksesshme dhe Partia Socialiste të nxisë e mbështesë një debat politik mbi Shqipërinë e së nesërmes, duke e lënë opozitën në gjumin e saj letargjik!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj