Një zgjidhje për ndarjen e ishullit të Qipros mund të jetë e mundur brenda disa muajve, deklaroi sot kryenegociatori qipriot turk, pas rifillimit zyrtar të bisedimeve për paqe.
"Është gjithmonë shumë e rrezikshme për politikanët të flasin për afate, por të gjithë bien dakord se me vullnetin e duhur politik, teknikisht është e mundur zgjidhja e problemit qipriot brenda disa muajve, dhe jo viteve", konfirmoi kryenegociatori qipriot turk, Ozdil Nami në një intervistë në Nikozi.
Qipro është ndarë në dy pjesë që prej vitit 1974 dhe pushtimi i një të tretës së ishullit mesdhetar nga Turqia, si kundërpërgjigje ndaj një grushti shteti të mbështetësve të bashkimit të Qipros me Greqinë.
Qipriotët turq u tërhoqën nga institucionet qeveritare në vitin 1963, për shkak të dhunës së përgjithshme të ushtruar, ndërsa prej vitit 1983 ata kanë shpallur shtetin e tyre të pavarur.
Bisedimet në kuadër të bashkimit të ishullit mes qipriotve grek dhe qipriotëve turq rifilluan dje, një takim i kënaqshëm përsa i përket pikëpamjeve të dy drejtuesve, Nicos Anastasiades dhe Mustafa Akinci, i cili nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social Twitter theksoi se një zgjidhje në të ardhmen do t'i lumturonte të gjithë.
Qipros iu dha anëtarësimi në Bashkimin Europian në vitin 2004, por kjo e drejtë aplikohet vetëm për pjesën jugore, rajon kryesisht me grekë. Pjesa veriore, tërësisht e varur prej mbështetjes së Turqisë, njihet zyrtarisht vetëm nga Ankaraja./
/atsh/