TIRANE- Zhdukja e Serxho Verës nga Pogradeci, i cili u zhduk në vitin 1992 kur ishte vetëm 17 vjeç ka marrë një tjetër rrjedhë në emisionin e sotëm të Pa Gjurmë. E ftuar në studio, nëna e tij Margarita ka rrëfyer se si humbi kontaktet me djalin e saj. Margarita me profesion mësuese letërsie tregon se një ish -nxënëse i ka treguar se e ka parë Serxhon në Amerikë. Vetë Serxho i kishte rrëfyer dy djemve të familjes greke se kishte ndërmend të udhëtonte drejt kontinentit amerikan.
Por ajo që ngre dyshime nga dëshmia e nënës së tij është pikërisht fakti se gjatë vizitës së saj në Greqi nuk është takuar me babain e tij birësues, i cili ishte personi që tërhiqte rrogën në familjen greke ku ai punonte. Djali i kishte rrëfuer shkokëve se ishte i dëshpëruar sepse paratë që i dërgonte familjes nuk mbërrinin kurrë në destinacion.
"Sapo kishte filluar shkollën e mesme mekanike dhe ikën. Një grua nga Bilishti i ndihmonte për ta kaluar nga Bilishti. Nëpërmjet një personi tjetër ndërlidhës u nis, ilegalisht. Nëpërmjet postës flisnim rregullisht. Atje ndihmohej nga persona që dinin gjuhën. Atje nisi punë në një familje greke, ishte pjesëtar i familjes atje që donin dhe ta birësonin. Ai ëndrrën më të madhe kishte të ikte nga Shqipëria për të më bërë mua të lumtur. Pasi donte të ma shpërblente me mirësi sakrificat që unë bëja si mësuese letërsie, me tre fëmijë
Në telefonatën e parafundit më kërkoi të shkoja në Greqi, pasi nuk ishte mirë. Nuk realizoi dot ëndrrën, pasi nuk i dilnin paratë. Ra në melankoli. Personi që e çoi në Greqi, Qerim Shoshari nga Bilishti, kishte thënë atje se djali im ishte i atij dhe se ai ishte babai. Dhe i merrte paratë djalit tim në familjen ku paguhej. Kur më ftoi djali ishte shpërngulur nga ajo zonë. Më la takim në periferi të Athinës. Itinerari ishte në një lagje tjetër, kur shkova mësova nga pronari i një shtëpie atje se Serxho ishte atje dhe ky pronar, më tha se mu duk sikur ishte grek. Ai na strehoi për tre muaj atje. Ky zotëri grek ishte një punonjës civil policie. Policia në Neakifisi më ndihmoi shumë. Gjithashtu edhe një familje, ajo e Vangjel Bezhanit më shumë ndihmë.
Shkova edhe tek familja ku djali jetoi, më tha se i thërrisnin Jorgo. Ishte djalë i mirë dhe i dashur. Fliste për familjen. Personi që u hoq si babai i Serxhos, i merrte pagën mujore familjes greke. Ky person jetonte edhe në Greqi edhe në Shqipëri. Ai u shmang nuk e takuam me të. Shokët e Serxhos më thanë se ka jetuar në Neakifisi. U dëshpërua që paratë që dërgoi për ne nuk erdhën, kurrë. Ky person nga Bilishti kishte dy gra, Qerim Shoshari u zhduk nga ajo zonë në vitin 1995, kur unë shkova në Greqi për të kërkuar djalin. Nga kërkimet me policinë greke dhe familjet greke më thanë se djali im është i dëshiruar, por se është zhdukur. Unë nuk e takova dot. Nuk mora asnjë informacion më për djalin. Tek familja greke kishte shprehur tek dy djemtë Mihali dhe Valenti se ishte i dëshpëruar, dhe se donte të ikte në Amerikë. Një ish-nxënësja ime më tha në vitin 2005 se e kam parë Serxhon në New Yourk. I kishte pranuar se ishte Serxho. Uroj të ketë krijuar familje. Nipi im më thotë: Dua xhaxhanë ne ditëlindjen time", thotë nëna e Serxho Verës.
Serxho u largua drejt Greqisë në vitin 1992 në mënyrë ilegale. Ai u strehua në një familje greke, ku kujdesej për një burrë të verbër. Marrëdhëniet me familjen greke ishin shumë të mira, ndërsa me familjen e tij në Shqipëri kontaktonte rregullisht.
Me babanë, Ilia, Serxho nuk mundi të ndërtojë marrëdhënie të mira si babë e bir, pasi i ati kishte probleme të vazhdueshme me alkoolin. Ndryshe nga babai, nëna, Margarita ishte një shembull i mirë dhe të dy ishin mjaft të lidhur me njëri-tjetrin. Në vitin 1994, Margarita, e cila në atë kohë punonte si mësuese në Pogradec, la punën dhe u nis për në Greqi. Entuziazmi që kishte se do të takonte të birin, u kthye në dëshpërim, kur mësoi se djali ishte larguar dhe ajo nuk arriti që ta takonte dot.
Para se të largohej, Serxho i kishte komunikuar familjes greke ku punoi për afro dy vite se dëshironte të largohej drejt një kontinenti tjetër, në atë amerikan. Ishte ky vit në të cilin familja nisi kërkimet që do të zgjasnin gjatë në kohë ende edhe sot. Kaluan vite derisa 10 vite më pas, një lajm për fatin e Serxhios mbërrit në familjen Vera në vitin 2004.
Prindërit u divorcuan kohë më pas, ndërsa babai i tij jeton në vendin ku i biri emigroi dhe humbi gjurmët, në Greqi.