Divjakë- Ka nisur në parkun kombëtar në Divjakë-Karavasta, censusi i shpendëve që dimërojnë në këtë zonë.

Sipas ekspertëve këtë vit paraprakisht shihet një shtim i popullatës.

Për rreth 32 vite me radhë numërimi kryhet me një gjeografi mjaft të madhe ndërkombëtare ashtu si edhe në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta.

Grupet e punës të shpërndarë në disa pika vrojtimi kanë nisur numërimin e shpendëve që dimërojnë në këtë zonë që vijnë nga territore të huaja.

Numri i shpendëve migratorë që kalojnë periudhën e dimrit në këtë ligatinë varion nga një vit, e lidhur jo vetëm me kushtet klimaterike por edhe nga faktorë të tjerë.

Organizatori i censusit dhe njëkohësisht kryetari i shoqatës së ornitologëve të Shqipërisë zoti Taulant Bino u shpreh se në bazë të censusit shikohen speciet në zhdukje me synim hartimin e politikave për mbrojtjen e tyre.

Në përbërje të grupeve të punës që po numërojnë shpendët ujorë në lagunën e parkut kombëtar Divjakë Karavasta janë punonjës të administratës së zonave të mbrojtura, specialistë të fushës dhe përfaqësues të shoqatave të mbrojtjes së shpendëve.