Miliona futbolldashës në botë, por edhe edhe kurioz të shfaqjes ndoqën ceremoninë madhështore të hapjes së Botërorit që nisi këtë të enjte në orën 19:30 në stadiumin Azteca. Artistët më në zë të momentit kënduan në Meksikë, duke krijuar një atmosferë brilante që ndezi jo vetëm tifozët në stadium.
Fillimisht shfaqja spektakolare nisi me valltarë të veshur si popuj indigjenë dhe të mbuluar me ar, duke krijuar një mozaik që ngjante me trofeun e Botërorit. Ndërkohë vetë trofeu u prezantua në fushë përmes një platforme qendrore.
Këngëtari i parë në Azteca ishte meksikani Mana, ndërsa më pas performuan me rradhë Alejandro Fernandez, Belinda, Dany Ocean, J Balvin, Lila Doëns, Los Ángeles Azules dhe Tyla. Padiskutim që atmosfera më e zjarrtë ishte në momentin kur në skenë u ngjit Shakira dhe Burna Boy, dy artistët të cilët janë përzgjedhur për këngën zyrtare të Botërorit. Kënga ‘dai dai’ ushtoi në stadiumin ‘Azteca’ para se ceremonisë hapëse ti vij fundi.
Duhet theksuar se kjo ishte vetëm 1 nga 3 ceremoninë hapëse që do të organizohen. Në këtë Botëror për herë të parë do të ketë tre ceremoni hapëse, pasi përveçse në Meksikë e njëjta gjë do të zhvillohet edhe në Toronto një ditë më pas në ndeshjen që Kanadaja do të luajë kundër Bosnje-Hercegovinës. Në të njëjtën datë, por disa orë më vonë ceremoni hapëse është parashikuar edhe në Los Angelos në ndeshjen SHBA-Paraguaji.
Ceremonia në Azteca më pas i la vendin skuadrave që zbritën në fushën e lojës.
Ky edicion do të shënojë një revolucion në formatin e garës. Për herë të parë do të marrin pjesë 48 kombëtare, në vend të 32 që kanë qenë deri tani. FIFA ka vendosur të zgjerojë turneun për t’u dhënë më shumë mundësi vendeve nga Europa, Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut që të jenë pjesë e skenës më të madhe të futbollit botëror.
Formati i ri parashikon 12 grupe me nga katër skuadra. Dy ekipet e para të secilit grup do të kualifikohen automatikisht, ndërsa në fazën tjetër do të kalojnë edhe tetë skuadrat më të mira që renditen në vendin e tretë. Në total, 32 kombëtare do të avancojnë në fazën me eliminim direkt.
Risia më e madhe është futja e raundit të 1/16-ve, çka rrit numrin e ndeshjeve dhe zgjeron kalendarin e turneut. Finalistët dhe skuadrat që do të luftojnë për vendin e tretë do të zhvillojnë tashmë tetë ndeshje, një më shumë se në formatin e mëparshëm.
Nga 64 ndeshje që zhvilloheshin në edicionet e kaluara, Botërori 2026 do të ketë plot 104 takime të shpërndara në 16 qytete pritëse. Turneu do të zgjasë 39 ditë, nga 11 qershori deri më 19 korrik, kur do të luhet finalja e madhe në stadiumin “MetLife” të New Yorkut.
Faza e grupeve do të zhvillohet nga 11 deri më 28 qershori, ndërsa menjëherë më pas do të nisë faza me eliminim direkt. Çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja do të përcaktojnë kampionen e re të botës në një turne që premton të jetë spektakolar si në aspektin sportiv, ashtu edhe në atë organizativ.
Përveç futbollit, organizatorët kanë premtuar një festë globale me pjesëmarrjen e emrave të njohur të muzikës botërore si Shakira, Burna Boy, Katy Perry, Blackpink, Rema dhe Anitta, duke e kthyer Kupën e Botës 2026 në një ngjarje që bashkon sportin, kulturën dhe argëtimin në përmasa të papara më herët.
Është dashur shumë pak që video e parë nga Botërori të marrë vëmendje maksimale dhe protagonistë kanë qenë futbollistët e Afrikës së Jugut. Menjëherë pas përfundimit të ceremonisë hapëse ata nisën të dilnin në stadiumin ‘Azteca’ duke kërcyer në mënyrë perfekte. Të gjithë futbollistët unison.
Kjo nuk është hera e parë që futbollistët e Afrikës së Jugut marrin vëmendjen në Botëror, pasi për shumë futbolldashës është i paharrueshëm goli i Tshabalala-s në Botërorin 2010 në ndeshjen hapëse si vend organizator.
Komente









