Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi doli pas gjashtë orësh të intervistimit të tij në Prokurorinë e Posaçme në Hagë, ku u mor në pyetje për akuzat e krimeve të luftës. Ndryshe nga një ditë më parë, Thaçi zgjodhi të mos bënte asnjë koment, teksa do të kthehet sërish ditën e nesërme për të vazhduar ditën e tretë të intervistimit. Marrja në pyetje do të vazhdojë edhe nesër në orën 13:00.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Përpara se të hynte të hënën në objektin e Prokurorisë Speciale për intervistim, Thaçi deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”. Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.