Drejtoria e Tatimeve dhe ajo e Doganave njoftojnë se ka nisur zbatimi i ligjit për “fshirjen e borxheve”, pas botimit në fletoren zyrtare të udhëzimit të Ministrisë së Financave për zbatimin e ligjit të miratuar 12 dhjetorin e kaluar.

Çdo borxh i papaguar nga bizneset deri më 31 dhjetor 2014 do të falet automatikisht, duke përfshirë faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet e papaguara të sigurimeve deri në 2014-ën, por jo principalin e tyre.

Ndërsa borxhet tatimore dhe doganore të akumuluara në periudhën 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet. Tatimet brenda 20 ditësh do të njoftojnë në e-filing të gjitha subjektet debitore përfituese, në mënyrë që ata të paguajnë detyrimet dhe të përfitojnë falje të një pjese të tyre.

“Administrata Tatimore fton të gjithë tatimpaguesit të verifikojnë situatën e tyre financiare në sistemin “e-Filing” dhe të kryejnë pagesat sipas afateve të publikuara, me qëllim përfitimin nga lehtësitë e parashikuara në ligj”, njoftojnë tatimet.

Kurse Drejtoria e Doganave iu bën thirrje bizneseve që të paraqiten pranë degëve përkatëse për të verifikuar situatën e tyre financiare, për të kuptuar nëse përfshihen në këtë falje.

“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave fton të gjitha subjektet debitore të paraqiten pranë degëve doganore përkatëse për të verifikuar situatën e tyre financiare, për të kuptuar nëse përfshihen në dispozitat e ligjit dhe për të vijuar procedurat administrative përkatëse. Zbatimi i këtij ligji synon të lehtësojë barrën financiare për bizneset, të nxisë formalizimin dhe të krijojë mundësi për mbylljen e detyrimeve të prapambetura nëpërmjet procedurave lehtësuese të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi”, njofton dogana.

Drejtoria e Tatimeve dhe e Doganave thonë se duke nisur nga data 10 qershor 2026, do të falet 50% e detyrimet të krijuar brenda viteve 2015–2019, nëse paguhen deri më 30 qershor gjysma e borxhit. Nëse pagesa bëhet me këste, deri në fund të dhjetorit 2026, do të falet vetëm 25 përqind e detyrimit. Por në të dyja rastet falen gjobat e kamatat e tyre.

Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, përfitojnë vetëm falje të gjobave dhe kamatave, nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.

Pjesë e ligjit janë edhe borxhet e sigurimeve shoqërore, por në këtë rast bizneset duhet të paguajnë 100% të kontributit brenda datës 31 dhjetorit 2026, që t’ju fshihen gjobat e kamatat.

Nga kjo ‘amnisti’ nuk përfitojnë subjektet që janë të dënuar për vepra në fushën tatimore apo doganore, janë në proces gjyqësor si dhe ata për të cilët ka një vendim të formës së prerë në favor të tatimeve.

Brenda datës 31 janar 2027 organet tatimore dhe doganore do të publikojnë në faqen zyrtare të institucionit, listën e plotë të 3000 përfituesve më të mëdhenj, që u është falur detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë.

Nga ky ligj që do të jetë në fuqi vetëm për këtë vit preken gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada dhe përfitojnë afro 200 mijë biznese debitorë.