Sot Kuvendi i Shqipërisë nis punën për legjislaturën e X të tij. Përmes 2 seancave, 1 paradite në orën 10 dhe tjetra pasdite në orën 17, pritet betimi i 140 ligjvënësve të rinj si dhe zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit.
Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit mbledhja e parë do të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Seanca e 10 shtatorit do të drejtohet nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë në këtë legjislaturë të Kuvendit.
Menjëherë më pas 3 deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit. Përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat. Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.
Më pas një Komision i përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit, që përbëhet nga 9 deputetë shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin.
Më pas deputetët zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit, i cili duhet të propozohet nga të paktën 15 deputetë. Lindita Nikolla është e përzgjedhura e socialistëve për të drejtuar Parlamentin në këtë legjislaturë. Zgjedhja e kryeparlamentarit të ri pritet që të bëhet nesër në seancën e pasdites. Një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota. Pas përfundimit të procesit dhe pasi ka një fitues drejtuesi i seancës fton menjëherë Kryetarin e Kuvendit të zërë vendin e tij.
Konstituimi i legjislaturës së re të Kuvendit do t'i hapë rrugë miratimit të Qeverisë së re. Tashmë emri i Edi Ramës ka mbërritur në zyrën e Metës për tu dekretuar si Kryeministri i vendit, në zbatim të nenit 96 të Kushtetutës. Pas dekretit të Metës do pritet miratimi i Ramës nga Kuvendi.
Sipas Kushtetutës së vendit në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve. Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri. Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin. Megjithatë duke pasur parasysh se në Kuvend kemi një shumicë solide me 74 mandate vetëm të Partisë Socialiste një problematikë e tillë nuk do të haset. Më pas Kryeministri i emëruar i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Pas miratimit nga Kuvendit, para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.
Luljeta Bozo do të jetë drejtuesja e seancës së parë të Legjislaturës së X dhe Kuvendit të Shqipërisë. Lajmi është konfirmuar nga zyra e shtypit e Kuvendit, e cila ka dhënë detaje mbi organizimin e kësaj seance.
Në njoftim thuhet se duke qenë se janë ende në fuqi masat për mbrojtjen nga pandemia COVID-19, nuk është e mundur që gazetarët dhe kamerat të hyjnë në sallë, por do të lejohen vetëm në oborrin e Sallës së Seancave Plenare, në vendin e caktuar për shtypin.