Nis ndërtimi i këndit të forcës
në  Parkun e Liqenit/FOTO

Nis ndërtimi i këndit të forcës<br />në  Parkun e Liqenit/FOTO
Të apasionuarit pas sportit dhe ushtrimeve fizike do të kenë hapësirën e tyre për t’u praktikuar në Parkun e Liqenit Artificial.

Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit për ndërtimit e këndit të 12 në një nga hapësirat e parkut, ku do të vendosen disa pajisje force për ata që duan të ushtrohen në natyrë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi se ky investim shton hapësirat për ata që duan të merren me sport dhe jetë aktive.

“Jam shumë entuziast që fillojmë një kënd të ri, këndin e 12-të, kushtuar kryesisht atyre që merren me sport te Liqeni. Do të jetë një kënd force, me disa module ushtrimore, dhe një hapësirë soditëse fantastike”, tha kryebashkiaku Veliaj. Ai shtoi se ky kënd është një tjetër vendim që ka për qëllim t’i japë Parkut të Liqenit më shumë jetë dhe për ta kthyer atë në një hapësirë për të gjitha grupmoshat.

“Në vitin e parë të mandatit, vendimi për të krijuar një kënd lojërash ishte ndoshta vendimi më i mirë që morëm sepse kuptuam se qyteti, siç ka nevojë për infrastrukturë, asfalt, ndriçim, gjelbërim, ka nevojë edhe për hapësira të tilla, që janë mushkëritë dhe oksigjeni i qytetit”, shtoi Veliaj.

Ai tha se paralelisht me këto investime, Bashkia e Tiranës, nëpërmjet Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, po punon për të siguruar funksionimin e plotë të parkut.

“APR është duke rehabilituar një pjesë të madhe të ndërtesave në park, duke siguruar kështu mjedise çlodhëse, mjedise për tualetin dhe për nevojat higjienike, për t’u siguruar që më në fund Parku i Liqenit është kthyer 100% në funksion të plotë”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Por, nisur nga kërkesa e madhe që qytetarët kanë për hapësira të tilla, Veliaj theksoi se synimi është që vitin e ardhshëm të bëhen funksionale edhe parqet e tjera, në mënyrë që Parku i Liqenit të mos jetë i vetmi destinacion për qytetarët e Tiranës, për të kaluar ditët e pushimit apo kohën e lirë.

[gallery]20246[/gallery]

“Ambicja jonë është që vitin tjetër të zgjerohemi në parqe të tjera, në parkun e Kasharit, në parkun e Vaqarit, në parkun e Farkës, në parkun e Pezës, gjithashut po punojmë shumë edhe në Dajt. Megjithatë, duhet të pranojmë se Parku i Liqenit është epiqendra e të gjithë aktivitetit sportiv”, u shpreh Veliaj.

Në këtë fundvit, kryebashkiaku ka ftuar qytetarët që të bëjnë më shumë jetë aktive dhe të shfrytëzojnë më shumë mundësitë e ofruara nga bashkia nëpërmjet këtyre investimeve.

“Nuk ka gjë më të rëndësishme se shëndeti, ndaj do të doja të inkurajoja qytetarët të merren me sport, të shfrytëzojnë këto module, të shfrytëzojnë hapësirat fantastike që APR ka përgatitur nga liqeni dhe në hapësirat e tjera çlodhëse. Tirana është një qytet i madh me 1 milion banorë, sigurisht me 170 mijë makina, mijëra të tjerë që vijnë nga rrethet, këtë nuk e ndryshojmë dot, por kulturën mund ta ndryshojmë pak nga pak. Do i ftoja të gjithë qytetarët që në 2017 të zgjedhin sportin, një jetë të shëndetshme, pranë natyrës. Detyra jonë është që të sigurojmë infrastrukturën, detyra e qytetarëve është që të promovojnë këtë kulturë të re për qytetin e Tiranës”, përfundoi Veliaj.

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'

Barcelona pëson humbjen e parë sezonale, Osasuna e turpëron 4-2 në 'Pamplona'