Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka njoftuar nisjen e punimeve për ndërtimin e strehëzës së tretë për qentë endacakë, një investim që synon menaxhimin më të mirë të situatës dhe rritjen e sigurisë për qytetarët.

Strehëza e re do të ketë një kapacitet prej rreth 100 qensh dhe do të përfshijë edhe një klinikë veterinare brenda godinës, duke ofruar trajtim të specializuar dhe kushte më të mira për kafshët.

Drejtori i shërbimit veterinar, Sokol Malaj, u ndal në detaje konkrete të projektit që po zbatohet, duke theksuar rëndësinë e kësaj infrastrukture për rritjen e kapaciteteve në trajtimin, kontrollin dhe menaxhimin e qenve endacakë në territor.

Ky investim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zgjidhjen e problematikës së qenve endacakë dhe në përmirësimin e sigurisë publike në qytetin e Shkodrës.