Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, është takuar sot me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, përfaqësuesen e Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian në Tiranë, Tatiana Mrazikova, si dhe përfaqësues të ekipit IDEA +7, ku në fokus ka qenë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe procesi i integrimit europian.,

Në këtë kuadër, u prezantua edhe projekti trevjeçar “EU for Democracy”, i financuar nga Bashkimi Europian dhe i zbatuar nga IDEA +7, i cili synon të rrisë kapacitetet e administratës së Kuvendit dhe të forcojë mekanizmat e kontrollit parlamentar.

Projekti parashikon gjithashtu modernizimin e shërbimeve parlamentare, në përputhje me standardet europiane.

Sipas bashkëbiseduesve, nisma të tilla janë hapa konkretë drejt konsolidimit të institucioneve demokratike dhe avancimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit në ambientet e Kuvendit, palët theksuan rëndësinë e forcimit të lidhjeve mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, si një element kyç për përshpejtimin e rrugës drejt BE-së.

Peleshi nënvizoi se rritja e bashkëpunimit me institucionet europiane dhe përfshirja në programet mbështetëse të BE-së po ndikojnë drejtpërdrejt në forcimin e rolit të Kuvendit dhe rritjen e standardeve demokratike në vend.