TIRANË- Pas anulimit të garës në vitin 2020 për shkak se kompanitë nuk plotësuan kriteret për të ndërtuar autostradën Milot Fier, qeveria hap garën e re ndërkombëtare për këtë projekt.

Ndryshe nga tenderi i kaluar, segmenti Milot-Fier prej 114 kilometrash pjesë e Korridorit Blu nuk do tenderohet në një, por do të jetë i ndarë në 3 lote Milot-Thumanë, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier. Për të 3 segmentet garat u hapën në 2 gusht dhe do të  jenë të ndara (kompanitë mund të konkurrojnë për secilën prej loteve), ndërsa vlera e parashikuar e investimit është 837 milionë euro.

 “Do e segmentojmë duke iu dhënë më shumë mundësi kompanive që të garojnë, ndërsa për segmentin tjetër Milot-Muriqan po presim projektimin nga konsulentët. Do e segmentojmë duke ju dhënë më shumë mundësi kompanive që të garojnë”, tha Balluku.

Segmenti tjetër pjesë e kësaj autostrade është edhe Thumanë-Kashar që po ndërtohet. Projekti pritet të ketë impakt pozitiv ekonomik 400 milionë euro si dhe do rrisë punësimin.

“Do t’i shërbejë drejtpërdrejtë një transformimi të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit tonë”, shtoi ministrja.

Kryeministri Edi Rama nuk kurseu një mesazh për të gjitha akuzat e hedhura mbi këtë projekt.

“Unë jam shumë besimplotë që gara do të jetë e suksesshme.  Më vjen shumë mirë që ta kujtoj sot që të gjitha ato që u thanë për gjoja një tender të parafabrikuar, e bla, bla, bla rezultuan të gjitha një vrimë e madhe në ujë sepse faktikisht gara u bë me një rigorozitet të atillë që edhe një kompani shumë e madhe që u paraqit, nuk arriti dot ta merrte për shkak se oferta e saj nuk ishte në interes të vendit. Thuhet shumë shpesh që “Rrugët u bënë”. Jo, nuk u bënë, faktikisht. Tjetër është të hapësh gara me projekte mizerabël, që të detyrojnë pastaj të rikthehesh disa herë, të rrisësh financimin, të dalësh përtej parashikimeve buxhetore me shumëfish, siç ndodhi me rrugën e Elbasanit, dhe tjetër është të bësh vepra nga fillimi në fund”, tha Rama.

Kalimi në autostradë do të jetë me pagesë, por do të ketë edhe rrugë dytësore. Milot-Fier do të jetë autostrada e parë në Shqipëri që do të ketë shpejtësi maksimale që arrin deri në 130 km/h dhe do jetë e certifikuar nga BE.

Autostrada Adriatiko-Joniane, nis në Trieste, kalon në Kroaci, përfshin Malin e Zi, Shqipërinë dhe vijon në Greqi, dhe gjatësia e saj për këtë pjesë është 1,550 kilometra. Projektet e radhës së qeverisë do të përqendrohen te rrjeti hekurudhor dhe te zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë.

Të dhënat
Gjatësia e rrugës është afërsisht 115 kilometra
-        53 kilometra rrugë e re
-        62 kilometra ekzistuese do rehabilitohen

Segmentet e autostradës Milot-Fier, tenderi i së cilës u hap sot
- Milot-Thumanë gjatësia 13.5 kilometra do të kushtojë 44,620,189 euro dhe afati i punimeve është 30 muaj.
- Kashar-Lekaj gjatësia 26.6 kilometra do të kushtojë 474,869,965 euro dhe afati i punimeve është 42 muaj.
- Lekaj-Fier gjatësia 46 kilometra do të kushtojë 317,595,539 euro dhe afati i punimeve është 33 muaj.

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:12
Rama thumbon Berishën dhe Bashën: Hapnin gara me projekte mizerabël! Ne bëjmë vepra nga fillimi në fund

 

Kryeministri Edi Rama nuk ka hezituar të thumbojë Sali Berishën dhe Lulzim Bashën në lidhje me projektet infrastrukturore. Sipas Ramës, ata hapnin gara me projekte mizerabël që të detyrojnë të rikthehesh disa herë. Për këtë i referohet rrugës së Elbasanit ndërsa thotë se qeveria e tij bën vepra nga fillimi në fund.

“Thuhet shumë shpesh që “Rrugët u bënë”. Jo, nuk u bënë, faktikisht. Një pjesë e rrugëve, për të cilat u tha se u bënë, thjeshtë u tenderuan dhe u lëshuan rrugëve, por si vepra ato kanë mbaruar dhe po mbarojnë, ende sot që flasim, në këtë fazë. Tjetër është të hapësh gara me projekte mizerabël, që të detyrojnë pastaj të rikthehesh disa herë, të rrisësh financimin, të dalësh përtej parashikimeve buxhetore me shumëfish, siç ndodhi me rrugën e Elbasanit, dhe tjetër është të bësh vepra nga fillimi në fund.

Tjetra fazë është faza e hekurudhave që fillon, faktikisht, kemi filluar me Tiranë-Durrës, por që kemi shumë për të bërë aty, qoftë me hekurudhën drejt Hanit të Hotit e qoftë me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe qoftë dhe me hekurudhën e Korridorit të 8-të.

Këto janë ambicie, por jo ambicie thjeshtë në hava, por ambicie që po materializohen hap pas hapi në procese të ndryshme, procese studimesh dhe projektimesh, procese fizibiliteti, procese të realizimit të investimeve”, tha Rama.

Ora 10:57
Projekti për aksin Milot-Fier, Rama: S’është tender i parafabrikuar! Garë e drejtë

 

Kryeministri Edi Rama u ka kthyer një përgjigje për të gjithë kritikët që kanë akuzuar se tenderi për projektin e aktit Milot Fier, ishte i paracaktuar me një fitues të shpallur pa u futur në garë. Një gjë e tillë, për kreun e qeverisë është e pavërtetë.

“Një vepër e pritur prej shumë vitesh, që ne arritëm ta përfshijmë në rrjetin e qarkullimit Europian, është një vepër që futëm në kanalin e financimeve në kuadër të proceseve të Berlinit, por koha që na  mori ai proces në pritje të financimit ishte e gjatë dhe vendosëm që të ecnim vetë, do i shërbejë një transformimi të mëtejshëm ekonomik dhe social, turizmit dhe lëvizjes në Unazën më të madhe të Mesdheut, është pjesa më strategjike e Korridorit Blu, gara do jetë e suksesshme, për ata që thanë për një tender të parafabrikuar, për korrupsion, vrimë e madhe në ujë se gara u bë që edhe një kompani shumë e madhe që u paraqit nuk e mori dot për shkak se oferta e saj, nuk ishte në interes të vendit, me afate të gjata dhe kërkesa që nuk i plotësonim, me këtë korridor mbyllet një pjesë e madhe e rrjetet kryesor të Shqipërisë, ndërkohë që po punojmë edhe për projektin e zgjerimit edhe të rrugës nga Elbasani në Qafë Thanë dhe po punojmë me BE që Korridori i 8 të jetë një realitet në pikëpamjet e çdo standarti, faza tjetër është faza e hekurudhave, aeroportet janë në proces, i Vlorës është në kantier, dhe aeroporti i Mynihut që është operatori i parashikuar për Vlorën ka lancuar një tender të vetin atje sa i përket mjeteve të logjistikës së operimit, që konfirmon kredibilitetin dhe standardet e projektit dhe suksesin e garantuar të atij projekti, aeroporti i Kukësit ka filluar të rritet ngadalë dhe në mënyrë të qëndrueshme, në një kohë të arsyeshme do jetë pikë referimi për gjithë zonën që prek Shqipërinë dhe Kosovën dhe më gjerë se kaq. Do hapet gara së shpejti për aeroportin e Sarandës”, tha Rama.

Ora 10:52
Zv.kryeministrja: Hasëm vështirësi për rrugën e Arbrit! Tuneli i Murrizit përfundon brenda 17 muajsh

 

Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka dhënë detaje për rrugën e Arbrit duke thënë se brenda 17 muajve do të dorëzohet tuneli i Murrizit. Ndër të tjera theksoi se kanë hasur vështirësi ndaj është rishikuar projekti dhe është shtyrë afati kontraktual.

“Rruga e Arbrit në nëntor të vitit të kaluar u bë e aksesueshme në një pjesë të saj por mbeten disa pjesë të rëndësishme për tu dorëzuar siç është tuneli i Murrizit. Ky tunel na ka vendosur para një vështirësie të madhe sa i përket gjeologjisë dhe na është dashur të rishikohej projekti e të shikohej hyrja veriore me 120 metra duke bërë që të shtyhet dhe afati kontraktual i kësaj pjese të veprës së rrugës së Arbrit.

Një pjesë e mirë e km të atij tuneli që nga 3.2 metra i projektuar, sot ka shkuar në 3.8 metra. Si tuneli kryesor, si ai ndihmës vijon me ritme të avashta por konstante por besojmë se brenda 17 muajve do të dorëzohet dhe tuneli i Murrizit. Kontratës së rrugës së Arbrit nuk i është shtuar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit”, tha Balluku.