Nis sot universiteti, 19400 studentë ulen për herë të parë në auditore! Disa pedagogë në Tiranë dhe rrethe bojkotojnë, kërkojnë rritje pagash

 

Viti i ri akademik nisi me bojkot te auditorëve nga pedagogët që kërkojnë rritje të pagës duken lënë mijëra studentë pa leksione. Në orën 10 në Universitetit e Tiranës ata lanë mësimin dhe nisën grevën e paralajmëruar.

Pedagogët thanë se do të qëndrojnë jashtë Universitetit derisa qeveria të marrë vendim për rritje 30 përqind të pagës gjatë këtij viti dhe 20 përqind vitin tjetër.

Protesta e pedagogëve është shoqëruar me pasiguri tek 19.400 studentët e viteve të para, të cilët nuk janë në dijeni për çfarë do të ndodh ditëve në vazhdim. Shumë prej ty kanë bërë shpenzime për shkak të strehimit në shtëpitë me qiratë e larta në Tiranë.

Gjatë grevës së pedagogëve, Lëvizja për Universitetin nëpërmjet një deklarate kërkoi në Rektorat organizim gjithëpërfshirës, studentë e pedagogë pasi për ta kauza është e njëjtë. I vetmi universitet që nuk iu bashkua bojkotit të sindikatës ishte ai i Mjekësisë ku mësimi ka vijuar normalisht, pasi protestën për rritje të pagës e konsiderojnë levizje sindikaliste.

Ndryshe nga sa kishin deklaruar rektorët dy ditë më parë, pedagogët protestuan edhe në rrethe. Konkretisht në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër dhe Durrës mësimi u bojktua për 2 orë.

Në një deklaratë, sindikata e  pedagogëve njofton se nuk do të kthehen në auditore dhe do të mblidhen sërish nesër në orën 10:00 për të protestuar. Pedagogët kanë bërë një listë me 9 kërkesa për të cilën thonë se afati për të negociuar tashmë ka kaluar, një nga pikat që këmbëngulin më tepër është rritja e pagës me 30% këtë vit dhe 20% vitin tjetër.

Kërkesat e pedagogëve
-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’ 
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë 
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare 
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:17
Sindikata e Pedagogëve: Do vijojmë ndërprerjen e plotë të procesit mësimor! Sërish protestë gjatë ditëve në vijim

1666001817_1665996968filolo19.jpeg

Sindikata e Pedagogëve ka vendosur që protestën ta vijojë dhe ditët në vijim. Ata kanë vendosur që të mos futen në auditore ndërsa thonë se do të grumbullohen para fakulteteve në orën 10:00 për të protestuar.

Në një deklaratë i bëjnë thirrje pedagogëve të Fakulteteve të Universitetit Politeknik që të jenë të qendërzuar para godinës së Korpusit Qendror të UPT-së.

“Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), duke falenderuar stafin akademik dhe ndihmës akademik e administrativ që mbështeti protestën e ditës së parë, deklaron vijimin e protestës edhe në ditët në vijim, në mbështetje të Peticionit të datës 30 Gusht 2022, drejtuar Kryeministrit, Ministres së Arsimit dhe Sporteve dhe rektorëve të IAL-ve publike, në formën e ndërprerjes së plotë të procesit mësimor përgjatë gjithë ditës, si dhe nëpërmjet grumbullimit para fakulteteve në orën 10.00.

Të gjithë Fakultetet e Universitetit Politeknik do ta zhvillojnë protestën e orës 10.00 të qendërzuar para godinës së Korpusit Qendror të UPT-së”, thuhet në deklaratë.

Ora 14:45
Vitin e ri akademik, Veliaj: Nuk ka rëndësi nga cili qytet vijnë studentët, u themi mirë se erdhët në Tiranë! I lehtësojmë me abone falas dhe subvencion 50% të tarifës së konvikteve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka uruar të gjithë studentët që sot nisin vitin e ri akademik. Gjatë vizitës së zhvilluar dje pasdite, në stendat e panairit të bizneseve rinore që ofrojnë shërbime për të rinjtë përmes Kartës Studentore, Veliaj tha se këtë vit, bashkia ka bërë ndryshime të mëdha lidhur me kushtet akomoduese për studentët që vijnë të studiojnë në Tiranë.

“Ju uroj të gjithë studentëve sukses! E di që në ditët e para duhet pak ambjentim, qoftë në konviktet e reja te Fakulteti i Mjekësisë, sigutisht do hapim konviktet e reja në Universitetin Bujqësor - aty ku do të kemi edhe disa nga agjencitë kryesore të teknologjisë, për ta kthyer në një pol jo vetëm për si konvikte, por edhe me jetë 24 orë - ndërsa në Qytetin Studenti po ndërtojmë 2-3 godina të tjera dhe kemi filluar detajimin e kampusit. Aty do të kemi një zonë miks, do të kemi bibliotekën studentore dhe disa nga fakultetet, sepse ka nevojë të shtohet Ekonomiku, Juridiku, pra, për të mos e ndarë pjesën ku studiojmë nga pjesa ku flemë, si dy organizma të ndryshëm, por duke e kthyer këtë në një hapësirë të përbashkët. Si kudo në botë, kampusi jeton edhe paradite me mësimdhënien, edhe pasdite me jetën dhe aktivitetet e studentëve,” tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se Tirana i mirëpret të gjithë studentët, pa paragjykime se nga cili qytet vijnë për të studiuar këtu.

“E kuptoj, sa herë vjen fushata, fillon edhe ky racizmi ndaj atyre që vijnë nga rrethet ‘jo, po unë jam lindur e rritur në Tiranë dhe akoma e vuaj këtë gjë’, sepse me sa duket një pjesë e shoqërisë e ka këtë paragjykim, por këta janë vetëm 1%. 99% e qytetarëve të Tiranës, jo vetëm që i mirëpresin studentët, por për pjesën dërrmuese u kujtohet rinia e tyre. Kanë filluar vetë në Tiranë si studentë, pastaj kanë gjetur një vend pune, kanë krijuar familje, janë bërë me fëmijë, me shtëpinë e parë.

Unë besoj se ardhja e studentëve, jo vetëm që s’duhet parë me këtë paragjykim, përkundrazi, është si dikush që të vjen mik në shtëpi, patjetër, bëhemi pak më ngushtë në shtëpi sepse me nisjen e vitit të ri akademik Tirana rritet me 10% të popullsisë, por unë besoj se kjo është një gjë e mire: Rriten shërbimet, rritet fuqia punëtore, rriten talentet e reja, rritet qyteti. Mjerë qytetet që zvogëlohen e shuhen, jo qytetet që rritet e zmadhohen. Ne duam që ky tranzicion, nuk ka rëndësi nëse dikush vjen nga Tepelena apo Tropoja, të jetë sa më i lehtë,” tha Veliaj.

Ai tha gjithashtu, se shumë shpejt studentët do të lehtësohen nga tarifa e konviktit, gjysmën e të cilës do e paguajë bashkia. Po ashtu, ata do të lëvizin me abone falas në autobusët e Tiranës, mjaft të kenë Kartën e Studentit me vete.

“Këtë javë, në Këshill Bashkiak, do kalojmë një vendim për ta bërë falas transportin publik për studentët. Mjafton që studentët të marrin Kartën e Studentit, e cila është po ashtu falas, që të numërojmë sa abone janë dhënë, për të pasur pastaj subvencionin të mbuluar 100% nga bashkia. Gjithashtu, do të subvencionojmë deri në 50% pagesën për konviktet.

Shumë çmime janë rritur dhe duke paguar 50% të shumës, praktikisht u heqim një barrë. Duam që ta mbajmë ne si bashki këtë barrë, edhe pse studentët që jetojnë në konvkikte nuk janë rezidentë të Tiranës, por në një të ardhme do jenë qytetarë të saj. Kam shpresë se me talentin e punën e tyre do na e kthejnë mbrapsht në qytet të gjithë këtë energji dhe këtë ndihmë që ne po japim sot. Të gjithë studentëve që vijnë nga qytetet e tjera dhe janë për herë të parë në Tiranë, u themi mirë se erdhët, kurse të gjithë studentëve, përfshirë edhe atyre të Tiranës, i uroj shumë sukses e me krahë të lehta”, e mbylli Veliaj fjalën e tij

Ora 13:09
Ministrja e Shëndetësisë: 200 studentë më shumë tek Mjekësia dhe Infermieria këtë vit akademik

Sot ka nisur viti i ri akademik në të gjitha universitetet e vendit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ishte e pranishme në Universitetin e Mjekësisë, ku në fjalën e saj para studentëve që do të ulen për herë të parë në auditoret e universitetit tha se me vendimin për rritjen e kuotave për këtë vit akademik, përgatitemi për nevojat e së nesërmes.

“Lajmi i mirë këtë vit është se 100 studentë më shumë i janë shtuar Fakultetit të Mjekësisë, po kaq edhe Fakultetit të Shkencave Teknike Mjekësore, duke bërë të mundur rritjen e kuotave në fakultetet tona, në të cilat ne duam jo thjesht të rrisim numrin e studentëve në universitete, por gjithashtu të përgatitemi për t’i bërë ballë asaj që do të jetë e nesërmja, në funksion të plotësimit të nevojave me mjekë, me infermierë, me teknikë të shkencave mjekësore aq shumë të nevojshëm për të ardhmen tonë”, tha Manastirliu.

Në fjalën e saj, Ministrja Manastirliu tha se studentët kanë mundësi të ushtrojnë praktikat e tyre mësimore në ambiente moderne, falë investimeve që qeveria shqiptarë ka bërë në të gjitha spitalet e vendit, duke nisur me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Ashtu sikurse i’a dolëm që të kemi një laborator të parë të bio-simulimit mjekësor, aq shumë të kërkuar nga studentët e mjekësisë; ashtu sikurse ndërtuam Spitalin Kirurgjikal me sallën digjitale që i shërben studentëve të mjekësisë; sikurse ndërtuam depon e barnave farmaceutike, një prej bërthamave shumë të rëndësishme ku studentët e Farmacisë mund të ushtrojnë praktikat e tyre, gjithashtu investimet në Klinikën e Stomatologjisë për praktikat ashtu sikurse studentët e Stomatologjisë meritojnë që të realizojnë praktikat e tyre, po investojmë dhe po mbyllim shumë shpejt Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitalin Infektiv,  që gjithashtu përfundon së shpejti, me mjedise të posaçme të auditorëve për studentët”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale foli për transparencë dhe meritokraci në të gjithë proceset e formimit akademik të studentëve të Mjekësisë, deri tek punësimi i tyre.

“Ashtu sikurse edhe për studentët, për specializantët, çdo vit hapim proceset e specializimit dhe ndiqen tashmë prej 8 vitesh nga më shumë se 1800 mjekë specialistë, të cilët vijojnë dhe një pjesë  e tyre ka përfunduar dhe specializimin, patjetër që ne do të vijojmë me atë çfarë kemi thënë dhe do ta bëjmë për ju: transparencën dhe meritokracinë. Ndaj të jeni të bindur që pas përfundimit të edukimit tuaj në Universitet, ju do të keni mundësi të punësoheni me transparencë dhe meritokraci në sajë të platformës sonë “Mjekë për Shqipërinë” apo “Infermierë për Shqipërinë” në varësi të asaj çfarë ju po studioni”, tha Manatirliu.

Ora 12:34
Mbyllet dega e Matematikës dhe Fizikës në Universitetin e Gjirokastrës

 

Në Universitetin e Gjirokastrës ka nisur sot viti i ri akademik. Për shkak se nuk ka studentë, është mbyllur dega e Matematikës dhe Fizikës. Një pjesë e pedagogëve kanë bojkotuar mësimin. Pedagogët e Universitetit "Eqrem Çabej" ndryshe nga rektorati kanë ngritur alarmin pasi universiteti është në krizë të thellë për studentë, ndërsa bëjnë me faj qeverinë.

Ora 11:25
Përgjysmohet numri i studentëve në degën e Biologjisë, pedagogu: Vijnë me mesatare të ulët, profesioni i mësuesit në rrezik

Megjithëse janë në protestë për rritje pagash e kushte më të mira pune, pedagogët në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, hasin edhe një problem tjetër, që është numri i pakët i studentëve që preferojnë të studiojnë për Matematikë, Fizikë, Kimi apo edhe për Biologji.

Në një prononcim për Report Tv pedagogu i Biologjisë, Aleko Miho u shpreh se në këtë degë numri i studentëve ndër vite është përgjysmuar. Sipas Mihos nuk është vetëm kjo shqetësuese, por edhe fakti se studentët të cilët shkojnë në këtë fakultet, janë me mesatare kryesisht të ulët. Pedagogu tha se mungojnë politikat e Ministrisë së Arsimit për shpërndarjen e kuotave prioritare dhe për të shtyrë studentët drejtë studimit në Shkencat e Natyrës.

‘Jam pedagog i Biologjisë dhe numri i studentëve po zvogëlohet. Janë edhe kuota, nuk ka një menaxhim nga ministria për kuotat prioritare. Nëse nuk kemi student bie numri i mësuesve, në kimi-biologji. Ka kërkim shkencor modest, cilësia e studentëve është modeste. Degë që janë të rëndësishme mbushen me studentë që janë të dobët. Nëse ministria nuk ndërgjegjësohet nuk bëhet kjo. Disa kuota duhen mbështetur dhe ndihmuar për të sjellë prurje në fakultet. Mua më vjen shumë keq që dalim këtu. Unë se ndjej veten mirë të rri këtu.

Kemi 55 studentë Biologjie, vitet e kaluara kishim 90. Presim që ky numër të bjerë me këtë lloj politike që bën ministria. Është një lloj vizioni i cunguar. Mësuesi ka vite që është në rrezik. Këto lloj kuotash që shpërndahen sjellin studentë shumë të dobët. Sjellin student që nuk janë të kënaqur që vijnë këtu. Të gjitha këto çojnë në një diplomë që nuk është cilësore. Më të cenuara në cilësinë e studentëve janë degët e Kimisë, Fizikës dhe Matematikës, por edhe në Biologji kemi cilësi të dobët. Mbushen me studentë të mirë degët mjekësisë dhe Infermieria, kjo për çudi, që e dimë shumë mirë se për çfarë kërkohet. Mirë është të kemi infermierë të zotë, por kuotat ti kemi të kufizuara.’- u shpreh ai.

Ora 11:24
Nis viti i ri akademik në universitetin e Durrësit, dominojnë degët profesionale! Studentët pohojnë se kanë kuota të përballueshme

Ditën e sotme ka nisur viti i ri akademik ne Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, sakaq duket se pedagoget e UAMD nuk kanë protestuar, por në shenjë solidariteti me kolegët e tjerë dhe kërkesat e sindikatave, janë mbledhur në oborrin e kampusit universitar.

Java e parë e universitetit pritet të jetë javë orientimi dhe informimi drejt programeve përkatëse dhe klubeve studentore, sakaq menjëherë sapo ky proces ka përfunduar, një grup prej 30 pedagogësh, janë mbledhur në shenjë solidariteti me kërkesat e kolegëve të tyre duke u shprehur për mikrofonin e Report Tv se pagat e tyre prej 2 dekadash kanë mbetur në vend numëro, pa asnjë ngritje ndërkohë gjë kostot e jetesës janë rritur.

Regjistrimet dhe te dhënat paraprake për degët më të preferuara duket se janë degët e infermierisë, mamisë, shkencave kompjuterike dhe ato te navigacionit detar, një pjese e të cilave janë dege profesionale 2-vjecare.

Sakaq, degët të cilat duket se tërheqin më pak studentë në regjistrime kohët e fundit, janë degët e drejtësisë dhe shkencave politike për të cilat në vijim do të pritet dhe një analizë e detajuar nga stafi akademik me arsyen e rënies se regjistrimeve në këto degë.

Sa u përket programeve të studimeve, asnjë prej tyre nuk rrezikon mbylljen, ndërkohë që në secilin program janë plotësuar minimalisht në 80% të kapacitetit, kuotat e regjistrimit.

Një rritje të ndjeshme në regjistrime ka pësuar dhe Fakulteti i Edukimit në të cilin ka një rritje me 15% të regjistrimeve këtë vit në programet e tij.

Sa u përket të dhënave të stafit, duket se UAMD nuk ka mungesa dhe stafi është i plotësuar, por thirrjet për pedagogë të jashtëm për të punuar me kohë të pjesshme, mbeten në fuqi.

Deri tani në UAMD nuk konstatohet ndonjë situatë që mund të shkaktojë anomali në nisjen e vitit të ri akademik ndërkohë që universiteti po përgatitet për të nisur javën e pare te orientimit të studentëve drejt degëve dhe programeve përkatëse.

Sa i përket kostove të përballimit të studimeve, studentet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, shprehen se kostot janë te përballueshme pasi viti akademik kushton vetëm 12.500 leke të reja, por problem për studentet e ardhur nga rrethet mbetet mungesa e konvikteve. Ata janë të detyruar të kërkojnë për banesa me qira dhe të punojnë gjatë verës për të minimizuar kostot gjatë vitit, familjet mbeten mbështetja e tyre me e madhe.

Ora 10:58
Në Shkodër disa pedagogë bojkotojnë mësimi, rektorja Golemi: Mbështesim kërkesat e tyre, por protesta ta shtynë për një ditë tjetër

 

Në Shkodër është bojkotuar zhvillimi i mësimit pasi pjesa më e madhe e pedagogëve kanë bojkotuar mësimin. Rektorja e Universitetit, Suzana Golemi, bëri më dijë se ato mbështesin kërkesat e pedagogëve, por bëri thirrje që protestën ta lënë për një ditë tjetër.

‘950 studentë të rinj të regjistruar në sistemin bachelor. Të gjitha degët e hapura. Në total janë rreth 5000 studentë. Trendi i regjistrimeve njësoj si vitin e kaluar. Jam në mbrojtje të kërkesave të pedagogëve, shpresoj që të arrijmë aty ku duhet me qeverinë. Të lëmë një ditë tjetër bojkotin. Nuk do të ketë asnjë masë ndaj pedagogëve në protestë, i mbështesim.’- u shpreh rektorja Suzana Golemi.

Peter Saraçi, kryetar i sindikatës së pedagogëve në Shkodër, u shpreh se pjesa më e madhe e pedagogëve janë në protestë dhe nuk po zhvillohet mësim.

‘Do vijojmë bojkotin gjatë gjithë orëve të mësimit. Protesta nuk është kundër kryeministrit apo rektores. 3 pika nuk janë realizuar ende. Protesta mbështetet nga studentët. Ftoj rektoren të na thërrasë në takime, jemi treguar realist në pikat tona.’- u shpreh Saraçi.

Ora 10:25
Në Elbasan pedagogët e përçarë, disa bojkotojnë mësimin: Rëndësi ka kauza, jo numri i protestuesve

 

Në qytetin e Elbasanit, pedagogët janë të përçarë në nisjen e vitit të ri akademik, për sa i përket bojkotit të mësimit. Kështu ka deklaruar gjatë një prononcimi për mediat pedagogu Eljro Vila.

‘Rëndësi ka kauza për të cilën protestojmë jo numri i pedagogëve në protestë. Kemi edhe studentët që mbështesin protestën e pedagogëve. Kërkesat e pedagogëve nuk janë për luks, por janë për të vendosur dinjitetin. Jemi këtu në respekt të sindikatës.’- u shpreh ai.

Ora 09:24
Nis viti i ri akademik në rrethe, paralajmërim për bojkot vetëm në Shkodër

Studentët e rretheve të universiteteve të Elbasanit, Durrësit, Vlorës, Korçës dhe Gjirokastrës kanë nisur rregullisht vitin e ri akademik, ku ora 9:00 i ka gjetur në auditore. Ndërkohë në Universitetin e Shkodrës është paralajmëruar për bojkot të mësimit.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kristaqi: 17/10/2022 19:27

    Dakord te rritet paga per petagog te ndershem e te pergatitir dhe perkushtuar, por si te ndahen nga ata qe provimet i japin vetem me euro , njof nje Kristaq Gjino, i matematikes, tre apartamente ne bllok ka blere, me cfare? bure e gru ne shtet!!,jane be me zi se doktorat por ata shpetojne jet, petagogu korruptuar vret te ardhmen e vendit...

    Përgjigju
  • Drita: 17/10/2022 14:49

    Bravo u qofte ashtu i do mushka drute, beni bojkot. Pedagoget e keqtrajtuar ekonomikisht merren me te ardhmen e kombit kur s'kane te ardhura per familjen e tyre cfare do presesh? Eshte bere rroga per barsaleta.

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 17/10/2022 13:28

    Sali@Like rrotacioni qe kerkoni sipas gotës së shurrës pulës nuk ka për të ndodhur....por ju si kodoshë te medhenj ne pune te tilla,doni te ruani status quon e GJIGANDIT SOCIOPAT,se edhe keshtu jini te fituar....Ahhhhhh sa ju di sinia ju!

    Përgjigju
  • arber: 17/10/2022 12:11

    Une jam ne mbeshtetje te kesaj greve, ne menyre qe pedagoget te kene nje rroge TE PAKTEN aq sa koleget ne Kosove. Jam per rritje te pages, qe mos ti katandisin pedagoget te marrin nen dore 100 euro per provim, duke iu rrezikuar ne kete menyre karrieren dhe titujt shkencore. Nuk mendoj qe nga kjo greve duhet perfituar politikisht. Qeveria te rishiikoje vendimin pasi politike dhe para jane te lidhura. Perkrahet ai krah politik qe te kupton dhe arsyeton kerkesat me mirekuptim

    Përgjigju
  • gjergji: 17/10/2022 11:25

    Mbylleni Universitetin e Shkodres,qendra me e korruptuar arsimore neShqiperi,pse jo edhe ne bote.Ne se do beni ndonje investikim do bindeni se diplomat e politikaneve qe jane diplomuar aty aty jane 100% te blera apo te dhuruara.Shembull ISH DEPUTETI NARD NOGA qe edhe shkollen e nates(territ -ironi shkodrane) e ka marre me zori

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 20 minuta, Everton ndal Cityn 1-1 në Manchester! Haaland shpërdoron penalltinë në 'Boxing Day'

VIDEO/ Armando Broja luan 20 minuta, Everton ndal Cityn 1-1 në Manchester! Haaland shpërdoron penalltinë në 'Boxing Day'