Opozita mbështet protestën e pedagogëve! Berisha: Vendimi i tyre parandalon shuarjen e universiteteve! Meta: Po i japin leksion shoqërisë si rivendoset dinjiteti në punë

Opozita mbështet protestën e pedagogëve! Berisha: Vendimi i tyre parandalon shuarjen e universiteteve! Meta: Po i japin leksion shoqërisë si rivendoset dinjiteti në punë

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Opozita ka mbështetur protestën e pedagogëve, të cilët vendosën të bojkotonin auditoret në këtë ditë të parë të shkollës duke qenë se qeveria nuk ka plotësuar kërkesat e tyre.

Sali Berisha u shpreh se vendimi i tyre për të mos nisur vitin akademik është i rëndësishëm pasi synon të parandalojë shuarjen e universiteteve. Ndër të tjera shprehet se sindikata e pedagogëve i ka dhënë përgjigjen e merituar qeverisë së Edi Ramës që e cilëson ‘cinike, arrogante dhe hajdute’.

Ndërsa kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i ka bërë thirrje studentëve që të mbështesin pedagogët, të cilët sipas tij po i japin leksion shoqërisë se si rivendoset dinjiteti në punë.

Edhe deputetja Erisa Xhixho reagoi duke thënë se universitetet janë në situatë mjaft të vështirë për shkak se nuk plotësohen kërkesat e pedagogëve. Gjithashtu u shpreh se këtë vit ulen në auditorë rreth 1 mijë studentë më pak se vitin e shkuar për shkak se zgjedhin të largohen nga vendi.

Nga ana tjetër, deputetja demokrate, Ina Zhupa i cilëson kërkesat e pedagogëve të drejta dhe realisht të arsyeshme e minimaliste. Ndërsa për studentët thotë se janë të harruarit e qeverisjes ndërsa çdo faturë ka shkuar dyfish dhe qeveria nuk i jep asgjë si paketë ndihmë financiare. 

Një reagim e pati edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili uroi studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik duke ironizuar edhe deputetin demokrat Belind Këllici. Veliaj shfaqej me një djalë nga Shkodra që kishte gjetur edhe punë në Tiranë. Kështu ironizoi Këlliçin, i cili në tentativë për të thënë që nuk e ka shok Veliajn tha se 'nuk është i ardhur në Tiranë'. 

Kërkesat e pedagogëve
-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’ 
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë 
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare 
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:08
Meta thirrje studentëve: Bashkohuni dhe ngrini zërin bashkë me pedagogët! Po i japin leksion shoqërisë si rivendoset dinjiteti në punë

1666015879_meta.JPG

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për protestën e pedagogëve duke i bërë thirrje studentëve që t’i bashkohen pasi po i japin leksion shoqërisë se si rivendoset dinjiteti në punë.

Meta thotë se mbështesin plotësisht pedagogët që kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira puna. Ndër të tjera shpreh urimet për studentët që ulen për herë të parë në auditorë.

“Urimet më të përzemërta të gjithë studentëve e në mënyrë të veçantë, atyre që ulen për herë të parë në auditore, në këtë fillim të vitit të ri akademik! Vitet e universitetit janë më të rëndësishmet për t’u aftësuar me njohuri që do t’jua bëjnë të ardhmen më të sigurt.

Sot, është koha të kemi një jetë universitare cilësore dhe të pavarur nga pushteti, e cila u shërben vetëm studentëve dhe të ardhmes së Shqipërisë. Unë ju bëj thirrje studentëve që të bashkojnë dhe të ngrenë zërin e tyre së bashku me pedagogët, të cilët sot po i japin një leksion mbarë shoqërisë se si rivendoset dinjiteti në punë, se si ushtrohen të drejtat kushtetuese të protestës dhe të grevës, për të kërkuar paga dinjitoze dhe kushte të denja pune.

Partia e Lirisë mbështet plotësisht pedagogët dhe studentët dhe do të jetë gjithmonë në krah të tyre për paga dinjitoze dhe për kushte sa më të mira”, tha Meta në një video-mesazh të postuar në Facebook.

Ora 13:18
Sot nis viti akademik, Berisha: Qëndrimi arrogant dhe cinik i qeverisë bëri që universitetet të bojkotojnë mësimin

 

Ish kryeministri, Sali Berisha u shpreh se qëndrimet cinike dhe arrogante të qeverisë kanë bërë që sindikata e pedagogëve të bojkotojë mësimin. Berisha tha se pedagogët nuk kërkojnë asgjë tjetër veçse të trajtohen njëlloj me pedagogët. 

‘Sot universitetet e vendit ishin në grevë dhe unë dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata pedagogë, punonjës universiteti e studentë që iu përgjigjën thirrjeve të sindikatave të tyre për të nisur një grevë të fuqishme e cila ka objektiv kryesor realizimin e kërkesave të ligjshme të sindikatës së universiteteve.

Pas qëndrimit cinik, arrogant, të papërgjegjshëmn të qeverisë, sindikata vendosi të thërrasë për bojkot të mësimeve në universitetet e vendit. Ky vendim është jashtëzakonisht i rëndësishëm që synon të parandalojë shuarjen e universiteteve tona.

Pedagogë, punonjës e studentë nuk po kërkojnë asgjë tjetër veçse ato që  sot gëzojnë kolegët e tyre në Prishtinë. Sot në universitetin e Prishtinës pagat janë afërsisht dy herë më të larta se në Universitetin e Tiranës’- tha Berisha.

Ora 12:08
Partia e Lirisë: Universitetet shqiptare në ditën më të vështirë, studentët e braktisur zgjedhin të largohen nga vendi

 

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho thotë se fillimi i vitit të ri akademik i gjen universitetet në një ditë mjaft të vështirë. Në një deklaratë për mediat, Xhixho u shpreh se studentët, duke u ndjerë të braktisur nga shteti zgjedhin që të largohen.

Deklarata e plote e deputetes Erisa Xhixho

Të nderuar qytetarë, Sot dua te uroj një vit të mbarë akademik për gjithë studentët e sidomos për studentët që ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve. Një urim për pedagogët dhe stafet akademike, për punën e tyre të palodhur, përkushtimin dhe pasionin e tyre për këtë detyrë fisnike.

Por ky vit akademik i gjen universitetet shqiptare në ditën më të vështirë. Të braktisura nga një pjesë e madhe e studentëve që zgjedhin të largohen nga vendi, universitetet shqiptare hapin sot dyert ndryshe nga vitet e tjera.

Në auditoret e universiteteve u ulën sot rreth 1 mijë studentë më pak se vitin e shkuar.

Mbi 11 mijë aplikime janë bërë nga maturantët shqiptarë në universitetet e huaja. Pra, një në tre maturantë ka zgjedhur të shkollohet jashtë.  Përgjatë viteve të fundit kemi humbur rreth 50 mijë studentë.  Interesi për degët prioritare që u incentivuan nga qeveria është pothuaj zero, një tjetër politikë e dështuar. Degët e mësuesisë janë gjithnjë e më pak të kërkuara, sepse mësuesi nuk paguhet të paktën sa kolegët e tij në rajon.

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Fizikë janë regjistruar vetëm 10 studentë, në Kimi 12 dhe në Matematikë 25 studentë. Bëjeni llogari vetë cila do të jetë e ardhmja e mësimdhënies në Shqipëri, nëse do të vijohet me këto ritme.

Degë si peshkimi apo zooteknika rrezikojnë mbylljen, pasi të regjistruar janë vetëm 6 studentë. Në universitetet e rretheve, regjistrimet tkurren në mënyrë progresive çdo vit. Universiteti i Gjirokastrës hap sot dyert me ¼ e numrit të studentëve që kishte disa vite më parë.

Kjo është përgjigjja që të rinjtë shqiptarë po i japin kësaj qeverie dhe politikave të saj arsimore të dështuara. E nisim këtë vit akademik me pedagogët që janë në grevë dhe protestë prej javësh sepse janë të keqpaguar, dhe me financime per kerkimin janë të fundit në rajon. Prej javësh, kërkesës së tyre të drejtë për rritjen e pagës të paktën sa kolegët e tyre ne Kosovë, qeveria i është përgjigjur me arrogancë dhe me mospërfillje.

Për të ardhur në përgjigjen tallëse për një rritje 7% nga qeveria, e cila çuditërisht ka para për instalacion argëtues për Kryeministrin me vlerë 4 milion euro, por kur vjen puna për të paguar në mënyrë dinjitoze pedagogët nuk ka. Kjo qeveri nuk ka para as për rritjen e financimit të kërkimit shkencor të paktën në 0.3% PPB, ndërkohë që edhe në progres raportin e fundit të BE-së theksohej që është shumë larg standardit të BE, i cili duhet të jetë 1% e PPB.

Po për studentët çfarë mbështetjeje ka kjo qeveri në këtë krizë të rëndë ekonomike që po kalojmë? Zero mbështetje për studentët në paketën e fundit të Rezistences Sociale. Për këtë qeveri, ata nuk ekzistojnë si kategori që duhet mbështetur. Studentët e nisin këtë vit akademik në vështirësi shumë të mëdha financiare. Të prekur direkt nga rritja e çmimeve, mijëra studentë dhe familjet e tyre duhet të përballen sot me qiratë që nisin nga 300 euro, çmimin e rritur të ushqimit, kostot e shtuara të transportit ,kostot e rritura te librave, veshjeve etj.

Javë të tëra proteste, me një peticion online që ka marrë 6 mijë firma dhe çfarë kërkuan? Mbështetje financiare sa Kosova, 100 euro mbështetje mujore sa bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë.

Ende sot, në ditën e parë të këtij viti akademik, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga qeveria. Nuk ka asnjë vendimmarrje për ta, asnjë mbështetje.

Në vend të deklaratave plot propagandë, qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të marrin vendime, të bëjnë detyrën e të mbështesin studentët, e pedagogët. Këtë duhej të bënin sot. Por nuk mund ta bëjnë sepse Edi Rama dhe qeveria e tij e shohin zhvillimin tek krimi e jo tek arsimi.

Kjo qeveri nuk e ka arsimin prioritet. Kjo qeveri e ka rishikuar buxhetin dy herë gjatë këtij viti. Në mars e ka shkurtuar në mënyrë të veçantë buxhetin e arsimit me universitar dhe fondet për kërkimin shkencor. Buxheti për universitetet nuk u rrit as me aktin normativ të korrikut, pavarësisht se të ardhurat në buxhet u rritën për shkak të rritjes së çmimeve me plot 500 milion euro .

Pra ndërsa qeveria pasurohet, studentët, pedagogët, qytetarët varfërohen çdo ditë.

Ndaj ne besojmë që është emergjente që arsimi të kthehet në prioritet kombëtar pasi vetëm në këtë mënyrë mund të frenojmë largimin masiv të të rinjve dhe intelektualëve të vendit si pjesë e axhendës së Rilindjes për shpopulllimin e vendit.

Ndaj mbështesim fuqimisht protestën e pedagogëve dhe studentëve, të cilët janë bashkë në këtë betejë për dinjitet dhe arsim cilësor.

Ora 11:37
Disa pedagogë në Tiranë dhe rrethe bojkotojnë mësimin, Berisha: I dhanë  përgjigjen e merituar qeverisë

Ish-kryeministri Sali Berisha me një postim në Facebook ka shprehur mbështetjen  ndaj protestës së disa pedagogëve në kryeqytet dhe rrethe në ditën e nisjes së vitit të ri akademik, ndërsa kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

“Sukses i plotë i grevës së përgjithshme të Universiteteve të vendit! Nderim për pedagoget, punonjësit dhe studentët e Universiteteve, që me thirrjen e sindikatave të tyre i dhanë përgjigjen më të merituar cinizmi, arrogancës dhe vjedhjeve të Edi Ramës dhe qeverise së tij hajdute!” , shkruan Berisha në Facebook.

 

Ora 10:45
Zhupa: Sot nis një rrugë pa kthim për të drejtat, dinjitetin e pedagogëve dhe studentëve

1665405770_inazhupa.JPG

Në ditën e nisjes së vitit të ri akademik, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, thotë se sot nis një rrugë pa kthim për të drejtat e pedagogëve dhe studentëve. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, deputetja demokrate ka rreshtuar edhe kërkesat e pedagogëve.

Postimi i plotë i Ina Zhupës

Nisja e vitit të ri akademik duhet të ishte një moment gëzimi për koleget e mi pedagog dhe për studentet tanë. Fatkeqësisht nuk është kështu!

PEDAGOGET

Janë në protestë me kërkesat e tyre të drejta dhe realisht të arsyeshme dhe minimaliste. Sot në orën 10:00 protestojnë sërisht dhe bojkojnë mësimin.

Ata kërkojnë: -Rritjen e pagës 30 % këtë vit dhe 20 % vitin e ardhshëm si parakusht për të venë sado pak në rrugën e zgjidhjes çështjen e trajtimit dinjitoz të punonjësve të universiteteve, përfshi stafin akademik dhe atë ndihmës; -Rritjen e financimit për kerkimin shkencor; -Rivendosjen e shtesave mbi rrisqet për dëmtimin e shëndetit në punë; -Rritjen e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë; -Rritjen e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare; -Rivlerësimin e orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosdiferencimit të orës mësimore të leksionit me seminarin.; -Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare.; -Pezullimin deri me 2026 i zbatimit të doktoraturave të udhëhequra për kriteret e marrjes se titullit "Profesor'.; -Bërja transparente e buxhetit dhe te ardhurave të universiteteve publike

STUDENTËT

Të harruarit e qeverisjes. Që nga 2019 e sot çdo ditë e tyre edhe familjeve të tyre ka qënë më e vështirë ekonomikisht por askujt nuk pyet. Atyre dhe familjeve të tyre u është rritur kosto e qerave të shtëpisë në Tiranë; është rritur kostoja e transportit;   është rritur kostoja për tu ushqyer;  është rritur kostoja për tu veshur;  është rritur pagesa e librave,  është rritur pagesa e orës internetit.

Çdo faturë ka shkuar dyfish dhe qeveria nuk jep asgjë si paketë ndihmë financiare.  Megjithatë sot është dita e tyre, e pedagogëve dhe studentëve, e le të nis nga sot një rrugë pakthim për të drejtat dhe dinjitetin e tyre. Suksese!

Ora 10:11
Veliaj uron vitin e ri akadademik me një student të ardhur në Tiranë nga Shkodra, 'kunja' për Belind Këlliçin

 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik. Në një video ku shfaqet bashkë me një djalë të ri nga Shkodra që ka ardhur në Tiranë, Veliaj uron të gjithë të rinjtë.

 “Mirëmëngjes dhe suksese për Jursi Temali dhe gjithë studentët që sot nisin vitin akademik! Bekime dhe përqafime”, shkruan Veliaj krahas fotos.

Jursi ka vetëm një muaj që ka ardhur në kryeqytet dhe ka nisur punën e tij të parë.

“Jam me Jusi Temalin, është me origjinë nga Shkodra, ka vetëm një muaj në Tiranë, si i ri dhe sot ishte dita e parë e punës, por po ta dëgjoje si fliste te stenda e vet këtu te Korpusi universitar ku janë të gjithë bizneset, dukej sikur kishte nja 10 vjet që merrej me marketing apo thua se ishte biznesi i vet. Si i thonë, “ kush është shkodran, tana i ban”. Mirë se të vini. 

Veliaj e ka pasur këtë urim edhe si një mesazh për deputetin demokrat Belind Këlliçi, i cili në tentativë për të thënë që nuk e ka shok Veliajn tha se 'nuk është i ardhru në Tiranë'. 

Ora 08:53
Viti i ri akademik nis me bojkot nga pedagogët, Gjekmarkaj: Janë shtresa me keqtrajtuar ekonomikisht dhe pa asnjë status

1665426256_AgronGjekmarkaj.jpg

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj në një shënim në rrjetet sociale ka reagur në lidhje me grevën e paralajmëruar nga pedagogët. Gjekmarkaj, shkruan se pedagogët e studentë protestojnë për një trajtim më dinjitoz.

‘Sot është dita e parë e mesimdhënies universitare.Do të donim të bënim urimet tradicionale por diçka na pengon. Pedagogë e studentë janë sot në grevë për një trajtim dinjitoz. Ata nuk po kerkojnë të krahasohen me Italinë,Gjermaninë a Francen! Joo ! Thjesht me Kosoven e cila si ka permbushur ënde dy dekada pavarësi. Nuk ka shoqëri dinjitoze e shtet serioz pa një Universitet cilesor. Pa cilesi nuk ka elita dhe pa to nuk ka progres. Pas 32 vitesh liri ëndë ata kanë mbetur shtresa më e keqtrajtuar ekonomikisht dhe pa status. Ligji i arsimit të lartë kaq i kundershtuar nga pedagoget nuk u bë kurrë zgjidhje për asgjë. Në shumë vende europiane shteti asiston ekonomikisht Universitetet publike. Sa herë protestojnë a kerkojnë diçka pedagoget tentohet kundervenja ndaj tyre e shtresave të ndryshme sociale apo "lufta e klasave" me studentet dhe gjithmonë në horizont shfaqet një " hall" apo "krize".

A ju ka borxh Partia Demokratike Universiteteve dhe pedagogve? Sigurisht qe ju ka dhe shumë por prej gati 10 vitesh vendi qeveriset nga Partia Socialiste e 10 vjet janë tepër për ti lënë në harresë nëse objektiv nuk është dekulturimi i shoqërisë si menyra më e lehtë e sundimit dhe manipulimit. Protestat janë gjithmonë emancipuese. Ato e ndihmojnë trupen akademike të formësojë sa më shumë pavarësi nga politika. Opozita e mbeshtet këtë perpjekje të drejtë pedagogve pa marrë flamurin e kesaj levizje dhe pa tentuar ta perdorë atë per qellimet e veta të dites. I bëj thirrje koleges Kushi si pedagog të ngejë zërin për të mbeshtetur shtresen e saj e po kaq Kryeministrit Rama i cili nëse e ka seriozisht konfiskimin e pallateve pa leje të okigarkeve i ka gjetur aty rrogat e pedagoeve per 10 vitet e ardhshme. Dritë e diturisë perpara do të na shpjerë. Dija dhe kurajoja do ta bëjnë Shqiperinë më të mirë. Pedagoget sot janë shembulli.’- shkruan Gjekmarkaj.

Ora 18:47
Viti i ri akademik/ Ministrja e arsimit mesazh studentëve dhe pedagogëve: Mbështetja jonë për ju do vijojë

TIRANË- Nesër, studentët do të nisin vitin e ri akademik, e për këtë ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka pasur një urim për studentët e pedagogët, por pa përmendur në asnjë moment bojkotin e paralajmëruar.

Në urimin e saj, Kushi ka renditur arritjet e fundit në Arsim si bursa në vlerën e pagës minimale apo përjashtimi nga tarifa vjetore e ekselentëve, teksa ka pasur edhe një mesazh për pedagogët. Ministrja nuk i ka kthyer përgjigje për kërkesat e tyre, por shprehet se do të punojnë që të rrisin bashkëpunim mes palëve.

“Dua t’ju falënderoj me zemër që keni vendosur të studioni në Shqipëri, duke i besuar ndër të tjera edhe procesit të ndërkombëtarizimit të universiteteve. Ky proces do t'i japë edhe më shumë cilësi dhe vlerë diplomës suaj, duke u afruar më shumë me universitetet më prestigjoze evropiane e botërore. Ne do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht që ju të keni alternativa të reja cilësore studimi këtu, me qëllim që pas studimeve të integroheni sa më shpejt në tregun e punës e të jepni sa më shumë kontribut për Shqipërinë tonë të dashur.

Ne kemi nevojë për ju! Vendi ka shumë nevojë për ju! Dy fjalë edhe për ju, të dashur kolegë pedagogë. Dua t’ju shpreh respektin dhe mirënjohjen time maksimale për punën dhe përkushtimin tuaj në formimin e profesionistëve të së ardhmes. E në këtë fillim viti akademik, kam besim që ne do t'i rrisim më tej përpjekjet dhe bashkëpunimin për të bërë më të mirën për studentët tanë, por edhe për të rritur performancën në të gjitha aspektet akademike e universitare, në funksion të zhvillimit të vendit. Mbështetja jonë edhe për ju do të vazhdojë pa u ndalur”, shkruan Kushi.

Ky reagim vjen në një kohë kur të të gjithë universitete e vendit është paralajmëruar bojkot. Pegadogët kanë bërë një listë me 9 kërkesa për të cilën thonë se afati për të negociuar tashmë ka kaluar. Një nga pikat që këmbëngulin më tepër është rritja e pagës me 30% këtë vit dhe 20% vitin tjetër.

 

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Pilo: 17/10/2022 19:27

    Nuk mbeshteten ato plehra po ik

    Përgjigju
  • Mino: 17/10/2022 19:25

    Ato qe protestojne dora e saliut jane injorante te korruptuar

    Përgjigju
  • Luan: 17/10/2022 19:00

    Si ka mundesi qe ne cdo gje qe ndodh doni ta perdorni per perfitime vetjake mor hajdute.

    Përgjigju
  • Alban: 17/10/2022 19:00

    Doni ta dhjesni edhe protesten e pedagogeve sic be i gjithmone or mjerane.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen