Përfundon dita e 1 e vaksinimit masiv ndaj COVID-19 me 'Sinovac'! Manastirliu: 11,478 vaksinime në të gjithë vendin! Të moshuarit: Jemi më të sigurt, kemi shpresë

Nisi sot në Shqipëri vaksinimi masiv për moshat mbi 70 vjeç, me objektivin e autoriteteve që brenda majit të jenë vaksinuar gjysmë milioni shqiptarë. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në përfundim të ditës së 1 të vaksinimit masiv tha se sot dozën e parë e kanë marrë 11,478 persona në të gjithë vendin.

Në Sheshin "Skënderbej" janë ngritur dy çadra të mëdha ku secili ka nga 10 pika ku është kryer vaksina kineze 'Sinovac'. Specialistja e ISHP Iria Preza deklaroi për Report Tv se deri në orën 17:00 në sheshin "Skënderbej" u vaksinuan mbi 1500 persona, ndërsa në Fier mbi 1200 të moshuar.

Vaksinimi në sheshin "Skënderbej" nisi paralel me atë që vijon që prej javësh në stadiumin "Air Albania" dhe qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.Vaksimi masiv ka nisur edhe në Lushnje, Fier, Korçë, Gjirokastër, Librazhd etj.

Objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë është arritja e 10-15 mijë vaksinimeve në ditë, ndërsa vaksinimi te sheshi "Skënderbej" nisi për moshat mbi 70 dhe 75 vjeç me vaksinës kineze 'Sinovac' dhe se qytetarët do të lajmërohen nga mjeku i familjes. Në ndihmë të bluzave të bardha bashkohen edhe mjekët e Forcave të Armatosura, ndërsa nisja e vaksinimit masiv pritet që të plotësojë planin ambicioz për të mbyllur vaksinimin në 14 muaj.  

Kryeministri Edi Rama ishte prezent në inspektimin e procesit të vaksinimit masiv në sheshin "Skënderbej" ku tha se ky proces do të lehtësojë sezonin turistik gjatë verës, ndërsa nuk do të kërkohet pasaportë vaksinimi nga turistët e huaj. Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Elbasanit Taulant Balla ka ndjekur procesin e vaksinimit masiv në Librazhd. Ai tha se për të moshuarit në zonat e thella do të mundësojmë transportin.

Ndërkohë që vetë të moshuarit, të cilët janë lajmëruar nga mjeku i familjes për të bërë vaksinën ditën e sotme, u shprehën se nuk kanë frikë dhe se e shohin si shpresë për një jetë të shëndetshme dhe stresi i një viti të marrë fund.

Të pranishëm kanë qenë ekipet e Urgjencës Kombëtare për çdo rast, si dhe efektivë policie për mbarëvajtjen e radhës së qytetarëve, të mos bëheshin shumë grumbullime. Në çadra janë krijuar edhe ambientet për ruajtje frigoriferike të vaksinave. Për +80 vjeç dhe +85 vjeç vaksinimi do të vijojë të bëhet në qendrat shëndetesore, ndaj të cilëve po aplikohet vaksina ruse Sputnik V.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:37
Përfundon dita 1 e vaksinimit masiv, Manastirliu: 11,478 vaksinime në të gjithë vendin, do vijojmë me intensifikimin e procesit

Përfundon dita 1 e vaksinimit masiv me 11,478 vaksinime në të gjithë vendin.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka dhënë detaje nga procesi i vaksinimit masiv që nisi mëngjesin e sot në të gjithë vendin.

"Në jemi në përfundim të ditës së parë të vaksiminit maisv. Në të gjithë procesin e zhvilluar rregullisht është kryer një proces i rregullt. Në të gjithë Shqipërinë ka vijuar vaksinimi. Sot jo vetëm që e kemi arritur targetin që kemi vendosur 10 mijë vaksinime por e kemi superuar atë. Kemi arritur në  11 487 të vaksinuar. Në total kemi kryer mbi 78 mijë vaksinime. Kjo është bërë falë përpjekjes së madhe që është bërë për të siguruar vaksinën, por edhe të stafeve mjekësore. Do të vijojmë me intensifikimin e procesit të vaksinimit. Do të vijojmë me vaksinimet e mësueve por edhe atë masiv të grupmoshës mbi 70 vjeç. Do të vijojmë të kemi një mbështetje nga mjekët dhe infermierët e FA.

Dua të bëj apel për qytetarët ata të moshuar që kërkojnë të dinë se kur do të vaksinohen flisni me mjekun e familjes, vetëm ai ka regjistrin eelektronik. Kontakti me mjekun e familjes shumë i rëndësishëm", tha Manastirliu.

Ora 17:44
Vaksinohen mbi 1020 të moshuar në Fier

Deri më tani janë kryer 1020 vaksinime në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Fier që përfshin bashkinë Fier, Patos, Roskovec nga mosha mbi 75 plus dhe 80 vjeç. Vaksinimi masiv ka nisur që prej orës 8 te mëngjesit të kësaj të diele.

Ora 17:18
Specialistja e ISHP, Iria Preza: Deri tani në sheshin 'Skënderbej' janë vaksinuar mbi 1500 persona! Sinovac është e sigurt

 

Specialistja e ISHP Iria Preza në një intervistë për Report Tv ka deklaruar se deri më tani në sheshin Skënderbej janë vaksinuar mbi 1500 persona mbi 70 vjeç me Sinovac.

"Këtu te sheshi skenderbej mbi 1500 vaksinime te grupmosha 70+ po të mos harrojmë se procesi ka vijuar në të gjithë vendin. Vaksinimi është në proces akoma dhe dua të falenderoj të gjithë strukturat që kanë marrë pjesë në vaksinim", tha ajo.

Për vaksinën Sinovac Preza tha se është e efikase dhe e sigurtë. Por si të gjitha vaksinat e tjera jep efekte si lodhje dhe temperaturë.

"Sinovac është një vaksinë shumë efikase e sigurt dhe e prodhuar me një teknologji të njohur. Është një vaksinë shumë e purifikuar. Deri tani është pranuar dhe të gjithë që janë paraqitur për vaksinim skanë paraqitur efekte anësore. Si çdo vaksinë ka efekte të ditura, temperaturë, lodhje... jo efekte të ndryshme nga vaksinat e tjera ndaj covid. Ajo që e përmendimin dhe është e rëndësishme në rastet kur kemi", tha Preza.

Ora 15:01
Pas kritikave të Ramës, vendosen karrige tek sheshi ‘Skëndërbej’ që të ulen të moshuarit

Gjatë inspektimit të procesit të vaksinimit në sheshin 'Skënderbej', kryeministri Edi Rama kërkoi vendosjen e disa karrigeve për të moshuarit që presin në radhë për të marrë vaksinën. Fill pas kritikave të kreut të qeverisë, tek sheshi ‘Skënderbej’ janë vendosur karriget që të ulen të moshuarit.

Ora 13:49
Vaksinimi më Korçë, 400 të moshuar marrin dozën e SINOVAC (VIDEO)

Ka filluar sot vaksinimi për të gjithë qytetaret e moshës së tretë, nga mosha 90 dhe poshtë. Sot është planifikuar të bëhen 400 doza për të moshuarit e qytetit, ndërkohë që ka vazhduar shpërndarja e dozave në të gjitha qendrat shëndetësore të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetesor Korçë.

Në Korçë janë 19 qendra shëndetësore duke filluar nga qendra më e largët në Lekas deri në Pustec.

Prej nesër do të fillojë vaksinimi në të gjitha qendrat shëndetesore, sipas listave të përgatitura nga mjekët e familjes.

Për këtë fazë do të përdoret vaksina SINOVAC, e ardhur nga IShP. Vaksina ka për të gjithë sipas planit të shpërndarjes dhe grupmoshave.

Përsa i perket mësuesve ka përfunduar vaksinimi i pjesës më të madhe të tyre, ndërkohe do vijohet edhe me dozën e dytë.

Ora 13:32
Nis vaksinimi masiv edhe në Gjirokastër, dozat e ‘Sinovac’ shpërndahen në 7 bashkitë e qarkut (VIDEO)

Mbërrijnë vaksinat kineze në Gjirokastër. Mëngjesin e sotëm kanë mbërritur 1000 doza të vaksinës 'Sinovac' të cilat kanë mbërritur në kushte frigoriferike nga kryeqyteti.

Ndonëse të pakta në numër, vaksinat kineze janë shpërndarë në të shtatë bashkitë e Qarkut Gjirokastër me destinacion tek moshat e treta.

Procesi i shpërndarjes ka nisur herët në mëngjes tek qendrat shëndetësore në zonat rurale si dhe në zonat urbane. Po sot ka nisur ndërkohë edhe vaksinimi i pjesës së ngelur të të moshuarve mbi 75 vjeç.

Sipas epidemiologut në NJVKSH Gjirokastër Arenc Brahimi, vaksinat do të shpërndahen tek të gjitha qendrat shëndetësore ndërkohë që premtohet që pas një muaji procesi i vaksinimit në Gjirokastër të japë rezultate pozitive.

Ora 13:15
Nis vaksinimi masiv në Librazhd, Balla: Për të moshuarit në zonat e thella do të mundësojmë transportin (VIDEO)

Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Elbasanit Taulant Balla ka ndjekur procesin e vaksinimit masiv në Librazhd.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh krenar dhe i gëzuar për fillimin e vaksinimit masiv duke treguar se janë 11 mijë vaksina për qarkun e Elbasanit. Më tej ai iu bëri apel të gjithë personave mbi 70 vjeç që të paraqiten për tu vaksinuar.

“Nuk mund ta fsheh gëzimin dhe krenarinë që kemi filluar vaksinimin në të gjithë qendrat shëndetësore të qarkut Elbasan. Këtu jemi në një  qendër vaksinimi të grumbulluar për të gjithë personat mbi 70 vjeç në Bashkinë Librazhd. Numri i personave që do vaksinohen është i lartë pasi janë 11 mijë vaksina për qarkun e Elbasanit. Apeli im është që çdo banor mbi moshën 70 vjeç të paraqitet në qendrën shëndetësore të zonës së tij, për zonat e thella do të mundësojmë edhe transportin”, tha ai.

Balla tha se duhet të mbarojmë vaksinimin masiv në një kohë të shkurtër që t’i kthehemi jetës normale në verë.

“Duhet ta mbarojmë vaksinimin masiv sa më shpejt që në verë të jemi çliruar nga ky makth, te hapet turizmi, ekonomia të funksionojë plotësisht, dhe pse jo ti kthehemi dasmave”, tha ai.

Më tej Balla u shpreh se situata është trajtuar me përgjegjshmëri dhe që një vaksinim i tillë ndodh në shumë pak vende të botës.

“Është një moment që tregon se me çfarë përgjegjshmërie e kemi trajtuar këtë situatën. Ne do të dalim me ballin lart nga kjo situatë e rëndë që u krijua në të gjithë botën. Është fakt tashmë që një vaksinim i tillë ndodh në shumë pak vende të botës dhe është fakt që Shqipëria ka arritur  të administrojë një shifër shumë të madhe vaksinash” shtoi ai.

 

 

Ora 13:07
Vaksinimi me 'Sinovac', merr dozën e parë aktori Luftar Paja

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se sot në Sheshin "Skënderbej', ku ka filluar vaksinimi masiv i të moshuarve, është vaksinuar edhe aktori i njohur  Luftar Paja.

"Sapo u vaksinua dhe i madhi Luftar Paja. Vaksinimi vijon në Sheshin Skënderbej dhe kudo në Shqipëri", shkruan Manastriliu.

Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 65,893 doza të vaksinës ndaj COVID19. Janë kryer 31,604 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 13,820 vaksinime për të moshuarit dhe 20,469 vaksinime për arsimtarët. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar për bërjen e vaksinave.

Ora 11:07
Të moshuarit në radhë për vaksinën, Rama: Vendosni karrige, mos i lini në këmbë (VIDEO)

Gjatë inspektimit të procesit të vaksinimit në sheshin 'Skënderbej', kryeministri Edi Rama ka kërkuar vendosjen e disa karrigeve për të moshuarit që presin në radhë për të marrë vaksinën

Rama: Duhen karrige këtu

Manastirliu: I kemi dhe karriget, por për të mos krijuar konfuzion, pasi procesi po ecën shpejt.

Rama: Tek radha atje, të kishit vënë disa karrige. Të ulen në rresht dhe të rrinë

Manastirliu: Po po, i kemi aty. Dakord, do i vëmë tani

Ora 10:56
Nelaj: ‘Sinovac’ është e lehtë në përdorim dhe ruajtje! Qytetarët nuk mund të zgjedhin llojin e vaksinës (VIDEO)

Erida Nelaj përgjegjësisë e programit të vaksinimit kombëtar, gjatë një prononcimi për gazetarët tha se vaksina Sinovac është e lehtë në përdorim.

‘Kjo është një vaksinë që ruhet plus 2 plus 8. Dhe ne kemi marrë të gjitha masat që të respektohet zinxhiri i ftohtë. Është e lehtë në përdorim. Duhet të merren dy doza, një tani dhe një pas një muaji e pak.

Nga sot në mëngjes shumë qendra shëndetësore kanë marrë vaksinat dhe po vaksinohen edhe ato. Ato që kanë kaluar COVID, minimumi një muaj dhe pastaj në varësi të gjendjes se si është pacienti. Ne jemi në pritje dhe të vaksinës Pfizer dhe Astra Zenecan do të kemi sasi vaksinash, njerëzit të kenë durim dhe të takohen me mjekun e familjes.

Këtë lloj vaksinimi nuk ka alternime do të jetë e njëjtë me atë të parën. Astra Zeneca ka një diferencë dy deri në tre muaj, do të presin atë që ta bëjnë pas dy muajsh. A mund të zgjedhin? Në këtë situatë ne nuk mund të zgjedhim, nëse një mjek familje të njofton për  vaksinim do të bëjmë atë që na ofrohet. Nëse dikush thotë nuk do ta bëj vaksinimin do të pritet një kohë tjetër për tu kryer vaksinimi.’- tha Nelaj.

Ora 10:54
Vaksinimi masiv, mjekët e Forcave të Armatosura i bashkohen bluzave të bardha (VIDEO)

Ka nisur sot vaksinimi masiv i popullsisë, ndërsa në Sheshin "Skënderbej" janë ngritur dy çadra, ku po marrin dozën e tyre të vaksinës kineze "Sinovac" të moshuarit mbi 70 vjeç.

Ndërkohë, sikurse mund të shihet edhe nga video, në ndihmë të bluzave të bardha janë bashkuar edhe mjekët e Forcave të Armatosura.

Paralelisht me vaksinimin në çadrat e ngritura në Sheshin "Skënderbej", vijon edhe vaksinimi në stadiumin "Air Albania".

Ora 10:50
Si të veprojnë të moshuarit që nuk njohin mjekun e familjes? Mirela Cami sqaron qytetarët: Telefononi në këtë numër (VIDEO)

Mirela Cami, drejtoreshë e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor gjatë një prononcimi për gazetarët ka folur në lidhje procesin e vaksinimeve në vend.

E pyetur në lidhje me pacientët të cilët nuk njohin mjekun e familjes, Cami tha se në ndihmë do t’u vijë në ndihmë numri 08004040, dhe ai do tu tregojë mjekun.

‘Në qendrat shëndetësore po vaksinohen grupmoshat plus 80. Të gjithë mjekët e familjes janë në komunikim me të moshuarit dhe të moshuarit kanë kontaktuar mjekun e familjes dhe nëse janë në këtë grupmoshë njoftohen në fasha orara, për të ardhur në sheshin Skënderbeu. Ka një orë të caktuar, mjekët e familjes i kanë njoftuar të gjithë pacientët për fashën orare. Vaksinimi do të vijojë deri në orën 17:00.  E njëjta gjë do të funksionojë edhe në rrethe. Kemi vaksinim masiv të përqendruar në Tiranë, Elbasan, Shkodër, në qytet më të vogla do të vijojë në qendrat shëndetësore.

Kemi thënë për numrin 08004040 ku çdo individ që nuk e njeh mjekun e familjes mund të informohet se kush është mjeku i tij i familjes. Nga nesër vijon edhe rezervimi me E-Albania. Këtu vaksinohen të gjithë ato që janë të regjistruar për vaksinim, ato që nuk e bëjnë dot vaksinën komunikohet për ti lënë datën dhe orën për të kryer vaksinë.’- tha Cami.

Ora 10:34
Rama: Nuk do të kërkohet pasaportë vaksinimi për turistët

Kryeministri Edi Rama tha se me nisjen e vaksinimit masiv do të lehtësojë sezonin turistik, ndërsa theksoi se për turistët e huaj nuk do të kërkohet pasaportë vaksinimi.

"U hap rruga për vaksinimin masiv dhe të shpejtë, të gjithë qendrat shëndetësore kanë filluar vaksinimi, janë dhe këto pika që ndihmojnë, objektivi ynë është që brenda majit të kemi të vaksinuar 500 mijë qytetarë, kemi vënë qershorin si afat të mos na thoni pse se mbani fjalën, por brenda majit kam bindjen që do të jenë vaksinuar. Kemi siguruar sasi të konsiderueshme dhe vijojmë punë për të siguruar të gjithë sasitë e nevojshme dhe shpresoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar. Kemi bindjen që deri në pranverën e ardhshme do të jetë e vaksinuar e gjithë popullata, por mendoje se mund ta bëjmë më shpejt. Jeta është bërë stresuar për shkak të pandemisë dhe çlirimi i tyre është kënaqësinë më e madhe që kam marrë gjatë këtij procesi. Nuk do të kërkohet pasaportë vaksinimi për turistët", tha Rama.

Ora 10:26
Qytetarja bën vaksinën dhe lavdëron kryeministrin: Në momentin e duhur Shqipërisë ju gjet njeriu i duhur! Rama: Po lëri këto tani (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama po ndjek nga afër procesin e vaksinimit masive që ka nisur ditën e sotme në kryeqytet. Një qytetare e cila sapo ishte vaksinuar, tha se nuk ikën në shtëpi pa i dhënë dy fjalë kryeministrit.

Qytetarja: E bëra vaksinën, por nuk iki në shtëpi pa të thënë dy fjalë, në momentin e duhur në vendin e duhur Shqipërisë ju gjet njeriu i duhur!

Rama: Po lëri këto!

Ora 10:24
Vaksinimi masiv me 'Sinovac', të moshuarit: Nuk kemi frikë, kemi shpresë te vaksina! Po e bën gjithë bota, pse të mos e bëjmë (VIDEO)

Të moshuarit +70 dhe +75 vjeç janë bërë pjesë e vaksinimit në sheshin "Skënderbej", ku ka nisur dhe vaksinimi masiv i popullsisë me vaksinën kineze 'Sinovac'. Për Report Tv, qytetarët, të cilët kanë pritur në radhë për të marrë vaksinën, u shprehen se ndihen mirë, nuk kanë frikë dhe se janë lajmëruar nga mjeku i familjes për të ardhur sot për të bërë vaksinën. 

Ata thonë se kanë kaluar një vit të vështirë dhe janë të gëzuar që do të vaksinohen për të patur kështu një jetë më të shëndetshme ku do kenë mundësinë për të udhëtuar dhe për të takuar njerëzit e tyre

"Ndihem shumë mirë, ky është një shpëtim jete për të gjithë. Pandemia ka qenë e vështirë për të gjithë, por e kemi kaluar. Vetë nuk e kam kaluar COVID", tha një i moshuar.

"Ndihem shumë mirë nuk kam frikë fare, ka qenë një vit i vështirë, kam pasur të afërm të prekur por e kaluan lehtë", tha një e moshuar.

"Mirë ndihem, kam shpresa që do jem më e sigurt pas vaksinimit. Më lajmëroi mjeku i lagjes. Vit i vështirë është për të gjithë, jo vetëm për ne", tha një tjetër.

Edhe të moshuarit që sapo kanë bërë vaksinën kineze 'Sinovac' thanë se ata kanë problemë shëndetësore dhe se kjo vaksina do i mbrojë nga virusi. Gazetarja e Report TV Doris Sollaku po ndjek nga afër vaksinimin të moshuarve brenda ambienteve të ngritura posaçërisht për këtë proces.

"Faleminderit që morën vaksinë  se ne pensionistë jemi. Faleminderit  qeverisë dhe Edi Ramës që e mundësoi këtë. Unë kam disa probleme shëndetësore, sado sado do më mbrojë kjo", tha një moshuar që sapo kishte bërë vaksinën.

"Po jam kaq optimiste sa nuk ka ku të vejë", tha një tjetër.

"Jam shumë mirë nuk ndjeva asgjë", tha një i moshuar pasi kishte bërë vaksinën

 

Ora 10:18
Vaksinimi masiv, Rama mbërrin në sheshin 'Skënderbej' (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në sheshin 'Skënderbej" ku ka nisur dhe procesi i vaksinimit masiv të popullsisë për të para nga afër këtë proces. Rama ka qenë i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Arben Ahmetaj dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 29/03/2021 02:48

    Dy pyetje kam: 1)-A mundet gazetaret te gjejne (ne se lejohet),sa ka kushtuar qeverise blerja e Phizerit dhe sa kushtojne Sputniku V dhe Sinovac? 2)-Perse disa nga ekipi shendetsor qe po aplikonin vaksinat tek te moshuarit ne Tirane,nuk kishin vene doreza,sic duket ne video ?

    Përgjigju
  • Alex: 28/03/2021 23:30

    Bravo zoti Rama Europa te marrin shembull se nuk eshte qdo gje leku por Kontakte bravo

    Përgjigju
  • lomi: 28/03/2021 21:52

    PO edi rama je njeriu i duhur per te na vjedhur,,,mire e ben kur gjen budallenj qe te nderojne....

    Përgjigju
  • S.Ram.B: 28/03/2021 20:55

    Zakonisht ne diplomaci sa zjidhet nje president USA , 2 antagonistet e saj rusia dhe kina provojne te bejne nje strestest si do reagoj presidenti usa. Me vjen keq per Shqiperine qe fal palacos se surrelit po bene lojra 2 lekshe. Me vjen keq per Moshen e 3 Shqiptare qe po Pshuret nga Verrdhacuket ne bashkunim me neoBllomenet Komunist . Sot Kosova eshte I vetmi shtet Shqiptar.

    Përgjigju
    • Mjeku: 28/03/2021 23:55

      Ti duhet te besh vaksinen e budadallekut. A te duhen Sharlatane Qe lepihen ne cdo ane Qe te percajne vatane Ke sa te duash Tropojane F.S.Noli Keto vargje jane aktuale dhe sot per sharlatane si ty dhe te gjithe Berishistet e tjere. Vetem terror dhe vrer more te pabese qe nuk u ngopet me gjakun e ketij populli. Kjo eshte vaksine konvencionale e realizuar me metodologjine qe njihet prek 100 vitesh. Po ku merrni vesh ju bastatdet e Saliut. Kur te zgjohet Kina do dridhet bota thoshte N.Bonaparti. Ti ha buken e serbit dhe shaj vaksinen kineze per inat te qeverise. Iket per lesh, 190 mije vota jua mori Rama me te drejten e zotit me kete qe beri.

    • Bilali: 28/03/2021 22:54

      Kosova qe ska vaksina as per mjeket? Ta gezoni albinin dhe morrat e tij anarkist.Te shofim ku do shkoni.Nderkohe ajde lypni pashaporten shqiptate meqe sju len te dilni nga shpia

  • Free: 28/03/2021 18:24

    Si ne shum vende te thera edhe ktu do kete raste ku efemtet andore shkaktojne humbje te jetes dhe kta promotoret e vax se sigurte thjesht ia vene fajin rastesise. Kto jane vaksina emergjente ku faza e trete eshte testimi ne popullate. Ata qe kane probleme te theksuara md shendetin duhet te keshillohen me doktore specialiste perpara.

    Përgjigju
    • Mjeku: 29/03/2021 00:00

      Je gabim, tek kjo vaksine me virus te caktivizuar fatalitetet thuajse jane 0 ose 0.03% ne 1000 vaksinime. Ndoshta ofron mbrojtje 90% dhe e ofron 60% por shmang hospitalizimin dhe fatalitetet ne masen 100%. Metodologjia e kesaj vaksine eshte tradicionale dhe jo e re me vektor dhe arn si pfier & co. Jo se ato kane probleme, por se kjo metode vaksinimi eshte e super provuar.

    • Ça thu mer bab: 28/03/2021 18:52

      E shikoj se te paskan kapur edhe ty “efemtet andore”

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik