Gjykata për Krime të Rënda pranoi këtë të hënë kërkesën e Klement Balilit, për gjykim të shkurtuar. Në rast dënimi nga sot ai përfiton ulje me 1/3 e dënimit.

Seanca e radhës do të jetë më 2 mars, ku prokuroria do të japë pretencën.

I konsideruar nga mediat greke si "Eskobari i Ballkanit", Balili, dikur ish-zyrtar i transportit në qytetin e Sarandës, akuzohet  për veprat penale "trafik të narkotikëve", "grup i strukturuar kriminal", mosdeklarim të  pasurisë" dhe "pastrim parash".

Avokat i Balilit është ish-kryepokurori Theodhori Sollaku.Trupa gjyqësore në seancën e sotme përbëhej nga Flora Hajredinaj, Liliana Baku dhe Ardit Mustafai.

Lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj Balilit prokurori Eneid Nakuci renditi dhe një sërë provash ku sipas tij janë 20 CD me përgjime, hetimet e autoriteteve greke dhe DEA-s amerikane, sekuestro në flagrancë e 678 kg canabis në Greqi dhe arrestimi i dy shqiptarëve të cilët drejtoheshin nga Balili. Por këto prova sipas mbrojtjes janë të pabazuara dhe nuk e lidhin Klement Balilin në asnjë çast me trafikun e narkotikëve.

Klement Balili, një nga njerëzit më të kërkuar në vend për trafik ndërkombëtar droge  u vetëdorëzua në polici më 15 janar pasi 2 vitesh arrati. Ai u shpall në kërkim nga DEA amerikane dhe autoritetet greke pasi u akuzua si “Eskobari i Ballkanit” në trafikun e drogës.

Në kohën që Balili ishte në arrati në vitin 2017 ndaj tij kallëzim penal për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë kishte depozituar dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë. Ky hetim i nisur në prokurorinë e Sarandës u tërhoq nga Krimet e Rënda dhe aktualisht i është bashkuar procedimit për trafik ndërkombëtar droge. Sipas hetimit pasurorë një sërë transaksionesh dhe kontrata huamarrje të përdorura nga Klement Balili kishin rezultuar fiktive.

Vetë Klement Balili ishte i pranishëm në seancën e parë ndaj tij, ku  ë sallë nuk munguan përshëndetjet me familjarët të cilët ishin të shumtë në numër. Ndërsa në ambientet e jashtme qëndronte në pritje edhe nipi i tij Rigers Balili i cili njëherazi është edhe kryebashkiak i qytetit të Delvinës.

Seanca për Klement Balilin

Por çfarë është gjykimi i shkurtuar?

Gjykata me kërkesën e të pandehurit pranon të zgjidh çështjen në gjendjen ku janë aktet në fashikullin gjyqësor, e në rast dënimi personi nën akuzë përfiton ulje me 1/3 e dënimit.