Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë qëndrimit të tij në SHBA zhvilloi një takim të hapur me studentë dhe profesorë të “Manhattan College’, në Riverdale të Nju-Jorkut, ku mbajti ligjëratën me temë: “Mbi tolerancën fetare” në kuadër të programit kolegjial “Holokausti, Gjenocidi dhe Edukimi Ndërfetar”.

Gjatë fjalës së tij Nishani ka theksuar se marrëdhëniet historike mes shqiptarëve dhe hebrenjve janë aq të hershme dhe sa fillesat e tyre të dokumentuara e kanë origjinën rreth dy mijë vjet më parë, që në vitin 70-të të erës sonë.

Teksa fliste për marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikë, presidenti Nishani ka theksuar se Shqiptarët nuk reshtën kurrë së dashuri Amerikën.

Shtetet e Bashkuara na u gjendën gjithmonë pranë, në kalimin e vështirë, por të domosdoshëm të vendit  nga sistemi njëpartiak në atë shumëpartiak, nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut të lirë, nga sigurimi kombëtar me bunkerë në një regjim sigurimi ndërkombëtar, nga shteti i dhunës në sundimin e ligjit, nga vendi më i izoluar në vendin anëtar të NATO-s dhe aspirues për në Bashkimin Evropian”, theksoi Nishani.

Ndërsa përsa i përket pozicionit aktual të Shqipërisë në koalicionin ndërkombëtar të luftës kundër terrorizmit, Nishani ka informuar dhe garantuar të gjithë të pranishmit se ka pasur një reagim adekuat të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë duke hetuar, goditur dhe penalizuar së pari burimet e rekrutimit të këtyre individëve, duke identifikuar dhe analizuar arsyet që motivojnë dhe nxisin individë të bëhen pjesë në akte dhe veprimtari terroriste.

“Shqipëria është e prekur nga fenomeni i të ashtuquajturve “luftëtarë të huaj”, të cilët u janë bashkuar grupeve dhe organizatave terroriste në Siri dhe Irak. Dëshiroj t’ju informoj dhe garantoj se ka pasur një reagim adekuat të institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë duke hetuar, goditur dhe penalizuar më së pari burimet e rekrutimit të këtyre individëve duke identifikuar dhe analizuar arsyet që motivojnë dhe nxisin individë të bëhen pjesë në akte dhe veprimtari terroriste. Deri tani kemi pasur sukses në këtë drejtim dhe jam i bindur që edhe në të ardhmen do të kemi sukses”, tha Nishani.

Në këtë aktivitet Kreu i Shtetit shqiptar u mikprit nga Presidenti i Kolegjit, Prof. Dr. Brennan O’Donell si dhe nga Drejtorja e Qendrës mbi Holokaustin, Gjenocidin dhe Edukimin Ndërfetar, Dr. Mehnaz M. Afridi, me të cilët shkëmbeu gjithashtu mendime dhe pikëpamje pёr zhvillimet nё Shqipëri, nё rajon e nё botё si dhe pёr tё ardhmen evropiane tё vendit tonё.
Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në “Manhattan College”
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com)