Nishani - Jahjaga: Të forcojmë më
tepër bashkëpunimin mes shteteve

Nishani - Jahjaga: Të forcojmë më<br />tepër bashkëpunimin mes shteteve
TIRANË - Pas ceremonisë së mirëseardhjes Jahjaga-Nishani kanë zhvilluar një takim në shoqërinë e delegacioneve përkatëse, e më pas kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp ku kanë përshëndetur ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit mes dy qeveri duke i inkurajuar ato që të vijojnë e të forcojnë më tepër këtë bashkëpunim.
 
Nishani vuri në dukje se një nga temat e takimit ka qenë krijimi i një tregu të përbashkët ekonomik, pa barriera politike, të qëndrueshëm dhe të konkurrueshëm edhe brenda tregut evropian. 

Lidhur me dialogun me Serbinë, Nishani tha se: “Jam i bindur se zbatim i angazhimeve të marra do shërbejnë për normalizimin e marrëdhënieve, do çlirojë energji pozitive për gjithë rajonin”.

Nishani veçoi ndër të tjera se Kosova është sot një shtet që duhet marrë shembull nga gjithë rajoni për mënyrën e trajtimit të pakicave kombëtare. “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran për hir të përmirësimit të klimës rajonale në respektimin e pakicave duhet të merret si shembull nga të gjitha vendet e Ballkanit”.

Ai mirëpriti edhe krijimin e Gjykatës Speciale, ndërsa shprehu bindjen se asgjë nuk do mund të eklipsojë luftën heroike të Kosovës në përballje me gjenocidin Millosheviçian.

“Kosova ka shumë sfida, ashtu si edhe Shqipëria, por unë i vura në dukje Presidentes Jahjaga se Shqipëria e mirëpriti dhe mbështeti krijimin e Gjykatës Speciale. Marrja e këtij vendimi ishte i vështirë por i duhuri. Asgjë dhe askush nuk e eklipson dhe tjetërsoi dot luftën heroike të UCK dhe popullit të Kosovës në përballje me genocidin mbi popullin e Kosovës”.

Presidentja Atifete Jahjaga falënderoi presidentin Bujar Nishani për ftesën e parë zyrtare prej tij për t’u takuar në Tiranë. Jahjaga theksoi se shqiptarët kanë qenë një faktor i rëndësishëm për Kosovën pasi kanë kontribuar në mbështetjen e bërjes së Kosovës Shtet.

Të pyetur për marrëveshjet me komunat serbe në Kosovë, Nishani vuri në dukej se kjo nuk cenon sovranitetin e Kosovës, por njëherazi është një njohje  de facto që Serbia i bën shtetit të Kosovës.

“Në gjykimin tonë është një marrëveshje shumë transparente dhe e qartë dhe nuk cënon sovranitetin e Kosovës, por është pranim De Facto i pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, përsa kohë Serbia njeh këtë fakt mbi pakicat serbe në Kosovë duke i trajtuar si pakica të një minoriteti”. - tha Nishani. 

Ndërsa Jahjaga vuri në dukje se procesi i dialogut ka qëllim lehtësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ky proces dhe kjo marrëveshje do të kontribuohet në jetën institucionale të komunitetit serb që jeton në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

“Unë e kam theksuar dhe ritheksuar se procesi i dialogut ka qëllim lehtësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ky proces dhe kjo marrëveshje do të kontribuohet në jetën institucionale të komunitetit serb që jeton në këtë pjesë të territorit të Kosovës.”- tha Jahjaga e cila më tej shtoi se “Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura dhe sovrane dhe kemi bërë hapa të rëndësishme dhe po ecim në rrugën evropiane dhe integrimit. Jemi të interesuara të zhvillojmë marrëdhënie të mira fqinjësore mes dy shteteve.

Sa i takon çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Nishani u shpreh se mbeten të shqetësuar shqetësuar për situatën e tyre veçanërisht për aspektin ekonomik dhe social

“E kam adresuar këtë shqetësim edhe në takimin që pata me Vuçiç dhe për njohjen e diplomave, edhe për çështje të tjera të zhvillimit ekonomik social, kam marrë angazhime dhe premtime të gjera nga ana e autoritete serbe dhe ende pres të zbatohen, Jemi ende në fazën e premtimeve nga ana serbe dhe presim që të realizohen.”- tha Nishani.

Fjala e plotë e Nishanit gjatë konferencës së përbashkët
“Përshëndetje! Dëshiroj së pari t’i falënderoj të gjithë përfaqësuesit e medieve për praninë e tyre: medieve të Shqipërisë, nga Kosova dhe jo vetëm.

Sot, unë si President i Republikës, por jam i sigurt se e gjithë Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët jemi të nderuar e të lumtur që kemi mes nesh, këtu në Tiranë, Presidenten e Republikës së Kosovës, Zonjën e nderuar dhe njëkohësisht motrën tonë Atifete Jahjaga.

Gjatë takimit të sotëm mes nesh dhe dy delegacioneve zyrtare patëm mundësinë që, në frymë vëllazërore dhe vizion euro-atlantik, të vlerësojmë marrëdhëniet e shkëlqyera e vëllazërore që ekzistojnë mes dy shteteve tona, si dhe të analizojmë hapësirat politike të këtij bashkëpunimi në nivel dypalësh, rajonal dhe ndërkombëtar. 

Në aspektin dypalësh vlerësuam karakterin strategjik të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe theksuam se ky bashkëpunim udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe është e nevojshme që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që na ka krijuar liria për të intensifikuar të gjitha fushat e bashkëpunimit tonë.

Vlerësuam gjithashtu se, falë kuadrit shumë të mirë ligjor të krijuar në vetëm pak vite, që shënon mbi 80 marrëveshje e protokolle bashkëpunimi, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për zbatimin e tyre të plotë, duke u bërë model i bashkëpunimit dypalësh në rajon. Ne do të vazhdojmë të jemi në mbështetje të biznesit të të dy shteteve për të krijuar një treg të hapur dhe pa barriera burokratike, të qëndrueshëm dhe të aftë për konkurruar në një të ardhme jo të largët edhe vetë brenda tregut të Bashkimit Evropian.

Përshëndetëm me këtë rast dy takimet e përbashkëta të Qeverive të dy shteteve tona, fillimisht në Prizren dhe më pas në Tiranë, të cilat kanë evidentuar problematikat dhe fushat me interes të bashkëpunimit, duke i mbështetur dhe inkurajuar që të vijojnë këtë bashkëpunim me zbatimin në praktikë të të gjitha aspekteve për të cilat është rëndë dakord.

Me interes u përqendruam edhe në protokollet e nënshkruara dhe shkëmbimet arsimore dhe kulturore, të cilat janë dy fushat që i lejojnë kombit shqiptar të ruajë dhe të promovojë në mënyrë të unifikuar, vlerat historike dhe kulturore të tij dhe ta trashëgojë ato në brezat që vijnë. Unifikimi i programeve kulturore dhe kurrikulës së sistemit arsimor parauniversitar janë hapa shumë të rëndësishëm në këtë drejtim.

Përfitova nga rasti që të përshëndes përparimin e gjithanshëm të Kosovës në konsolidimin e shtetit dhe të sovranitetit, si dhe shtrirjen e gjithë veprimtarisë së saj në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar. Sot Kosova, megjithë sfidat e mëdha, gëzon një status të ri plotësisht të merituar në rajon edhe përmes të gjitha nismave dhe angazhimeve të saj në forumet rajonale e ndërkombëtare ku ajo bën pjesë.

Statusi i ri i Kosovës e gjen shprehinë e vet më të shkëlqyer edhe në dialogun e vendosur me Serbinë, ku të dy shtetet dialogojnë në pozicione të barabarta, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian si dhe me mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shqipëria e ka mbështetur në vijimësi këtë proces dhe produktet e tij, me pritshmërinë legjitime dhe të nevojshme që çdo marrëveshje e arritur të zbatohet me shpejtësi dhe plotësisht. Jam i bindur se zbatimi i angazhimeve të marra në kuadër të këtij dialogu do të shërbejë jo vetëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, por njëkohësisht do të vazhdojë të çlirojë energji pozitive për të gjithë rajonin, siç po e dëshmojmë të gjithë. 

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po jep një kontribut të qenësishëm në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal dhe praktikat e respektimit të pakicave kombëtare në Kosovë duhet të merren si shembull nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit. Por Kosova ka përpara dhe shumë sfida, si çdonjëri prej vendeve të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë me të cilat duhet të përballet me guxim. Në këtë kontekst, i vura në dukje Presidentes Jahjaga se Shqipëria e mirëpriti dhe mbështeti krijimin e Gjykatës Speciale për hetimin e pretendimeve për krime lufte në Kosovë, duke vlerësuar se marrja e këtij vendimi ishte e vështirë por e duhura, pasi vetëm kështu do të mund të hidhen poshtë të gjitha pretendimet e ngritura.

Thënë kjo, dua të theksoj se asgjë dhe askush nuk e eklipson apo tjetërson dot luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përballjen me agresionin dhe gjenocidin çnjerëzor millosheviçian mbi baza etnike të ushtruar mbi popullin e Kosovës. Përpjekjen heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës e mbështetën fuqimisht SHBA-të, NATO, Bashkimi Evropian dhe sot ky solidaritet mban emrin pavarësi.

Bashkëpunimi në kontekstin rajonal ishte një temë tjetër e rëndësishme në bashkëbisedimin tonë të sotëm. Vlerësova anëtarësimin dhe kontributin e Kosovës në të gjitha organizatat dhe forumet rajonale, veçanërisht pjesëmarrjen me të drejta të plota në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) gjatë Presidencës shqiptare.

Në këtë kontekst, pata rastin të siguroj edhe një herë Presidenten Jahjaga se Shqipëria do të vijojë të jetë konsekuente në politikën e saj të jashtme në rajon, në dobi të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe begatisë së të gjithë rajonit. Shqipëria nuk ka ndërprerë bashkëpunimin me asnjë vend të rajonit dhe nuk ka penguar asnjë prej tyre në rrugëtimin euroatlantik, por përkundrazi ka dhënë gjithmonë konsensusin në organizatat e ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare për vendet e tjera të rajonit dhe ka shprehur qartë se do të mbështesë aspiratën e integrimit në NATO jo vetëm të Malit të Zi dhe Maqedonisë, por edhe të të gjitha vendeve të tjera të rajonit që e aspirojnë një gjë të tillë, pasi është e bindur se kjo i shërben paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë.

Gjithashtu, shpreha besimin se, ashtu si qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, shumë shpejt edhe qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen ashtu siç e meritojnë plotësisht. Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që po kalojnë vendet e Bashkimit Evropian në përballjen me valën e emigrantëve nga vendet në konflikt, por kjo nuk duhet të zbehë aspak vullnetin e vendeve anëtare të BE-së për përfshirjen edhe të qytetarëve të Kosovës në regjimin pa viza në vendet e Shengenit. 

Në këtë kontekst trajtuam edhe problematikën me të cilën po përballen edhe dy shtetet tona, atë të emigrimit në rritje drejt vendeve të Bashkimit Evropian, veçanërisht të të rinjve. Theksuam se, si Krerë Shtetesh, duhet të bëjmë më shumë për t’i rikthyer qytetarëve tanë shpresën e besimin se ata mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe Kosovë, duke inkurajuar projekte zhvillimore për zonat më të prekura nga ky fenomen.

Ndërsa në kontekstin e bashkëpunimit ndërkombëtar, pata mundësinë të përshëndes avancimin e njohjes së Kosovës nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, si dhe të anëtarësimit të saj hap pas hapi në institucione dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.

E garantova Presidenten Jahjaga për vijimin e mbështetjes së Kosovës nga ana e Shqipërisë në të gjitha përpjekjet e saj të anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe euroatlantike, me të gjitha potencialet që vendi im ka.

Në mbyllje dhe përpara se t’i kaloj fjalën Presidentes së nderuar dhe mikes sime Atifete, dëshiroj edhe njëherë ta falënderoj atë për pranimin e ftesës, për gjithë kontributin e shkëlqyer që ka dhënë në emër të Kosovës dhe popullit të Kosovës në sjelljen e një vizioni dhe një imazhi të ri të këtij vendi në aspektin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar si dhe t’i uroj një vizitë të këndshme dhe qëndrim sa më të mbarë në vendin tonë dhe të saj njëkohësisht.  Ju faleminderit!”


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

'Prokurori', sjell aktorin hollivudian në Tiranë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, më 10 tetor premiera e madhe në kinema

'Prokurori', sjell aktorin hollivudian në Tiranë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, më 10 tetor premiera e madhe në kinema