Duke komentuar situatën politike, ai thotë se, konstaton një gjendje të polarizuar që po rrit urrejtjen. Por, më shumë Nishani është i shqetësuar për situatën ekonomike. “Është pikërisht situata ekonomike ajo që ka demoralizuar qytetarët dhe po i shtyn ata drejt largimit”, thotë ai.
Intervista
Shkëlqesia Juaj, është një kënaqësi e pamat për gazetën “Albanian Daily News” të marrë këtë intervistë nga ju, e cila do të jetë një mundësi të madhe për t’u bërë të njohur lexuesve të saj disa nga idetë dhe mendimet tuaja si dhe do të shpalosë, para së gjithash, vlerësimin për bilancin e punës trevjeçare në zyrën më të lartë të shtetit shqiptar. Cilat janë disa prej pikave kulmore kryesore gjatë kryerjes së detyrës suaj? Si mund t’i përshkruani tani muajt e parë të punës suaj si President kur shumica aktuale erdhi në pushtet në vjeshtën e vitit 2013? Për shembull do të përmendja se duhet të ketë qenë e bezdisshme ku njëra prej masave të para të ndërmarra nga Kryeministri socialist, Edi Rama ishte heqja e fotografisë suaj nga zyrat e qeverisë...
Dëshiroj edhe unë të shpreh kënaqësinë e veçantë për këtë bashkëbisedim me gazetën tuaj dhe të shfrytëzoj rastin njëkohësisht të adresoj vlerësimet më të sinqerta për të gjithë stafin tuaj për çka keni kontribuar në ofrimin e një modeli të shtypit dhe medias profesionale dhe të një standardi të arrirë.
Posti i Presidentit të Republikës është nderi, privilegji dhe vlerësimi më i madh në jetë që mund të gëzojë një njeri. Por pikërisht nga këtu duhet të nis dhe reflektimi. Gjetja e balancave midis korrektesës, ligjshmërisë, seriozitetit, sakrificës, forcës, natyralitetit dhe thjeshtësisë nga personi që e kryen këtë detyrë.
Presidenti i Republikës nuk ka mbi shpinën e tij politike barrën e rëndë të ofrimit të shërbimeve dhe punëve ekzekutive për qytetarët siç i ka qeveria, por, ndërtimin, konsolidimin dhe ruajtjen e imazhit dhe besueshmërisë së një mekanizmi që mbron me çdo sakrificë të nevojshme, liritë, të drejtën, kushtetutshmërinë, integritetin, imazhin dhe garancitë morale e juridike të shtetit dhe çdo qytetari të veçantë të vendit.
Jam i lumtur që kam rezistuar natyrshëm në realizimin e detyrave të mia kushtetuese për të denoncuar dhe ndaluar (për aq sa ka qenë e mundshme) cenimin dhe tejkalimin e përcaktimeve kushtetuese në mekanizmat (legjislacioni) që qeveria ka ndërtuar për të menaxhuar jetën e qytetarëve dhe pasuritë publike. Për disa prej tyre ia kemi arritur t’ia dalim pas ndërhyrjeve edhe nga Gjykata Kushtetuese.
Jam përpjekur maksimalisht ta përfaqësoj në mënyrë dinjitoze dhe të vërtetë vendin tim në raportet ndërkombëtare dhe proceset e partneritetit me të tjerët.
Presidenti i Republikës ka edhe një detyrë shumë të rëndësishme e cila në jetën e përditshme kalon si “e pa dukshme” por ka një rëndësi fondamentale. balancimin e pushteteve. Jam i kënaqur që kam arritur ta ruaj këtë dimension shumë të rëndësishëm të Presidentit të Republikës si balancues i pushteteve të tjera duke mos rënë pre e asnjë qasje për ta kthyer këtë Institucion në një “kukull” apo “noter”.
Ju përmendët një gjest të Kryeministrit të vendit në ditën e parë të tij në zyrën e shtetit: heqjen demonstrative të fotos së Kryetarit të Shtetit nga protokolli shtetëror. Në fakt përmbajtja e atij gjesti ishte reflektim i një fryme arrogance për ta bërë të pa qenë çdo institucion apo pushtet tjetër përveç atij ekzekutiv. Nuk besoj se ai gjest u dha qytetarëve më shumë punë, më shumë liri, më shumë prosperitet, më shumë ligjshmëri, më shumë të drejta, më shumë dinjitet.
Keni mbushur tashmë tri vite në postin e Presidentit, cilat kanë qenë disa nga arritjet tuaja më të mëdha dhe cilat janë ato gjëra që ju kanë lënë kujtime të hidhura nga dështimi i tyre??
Unë do të preferoja shumë që qoftë vlerësimet për arritjet, qoftë gjykimet për mos arritjet ti bënin të tjerët, media, analistët, shoqëria civile, qytetarët e interesuar etj. Gjithsesi ndihem i keqardhur që nuk kam pasur mundësinë të ndaloja disa akte ligjore që janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë por edhe me standardet bazë të lirive dhe të drejtave themelore të cila kanë pasur dhe do kenë më tej një ndikim negative në disa fusha të jetës së qytetarëve. Kam parasysh këtu ligjin për Kontrollin dhe Deklarimin e Pasurisë së politikanëve, ligjin për Shkollën e Magjistraturës, që është vënë tërësisht nën kontroll politik, ligjin për akcizën e duhanit, ligjin për Gjykatën Administrative që emëron ndihmësit e gjyqtarëve nga qeveria e një sërë aktesh të tjera.
Ndihem i keqardhur që nuk munda të realizoj disa veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare që do t’i kishin shërbyer shumë imazhit të vendit dhe botës shqiptare në tërësi, vetëm për shkak të pengesave të të tjerëve dhe mos mbështetjes buxhetore. Gjithsesi këto janë çështje që mbeten të hapura përpara.
Pas dy vitesh të shumicës aktuale në pushtet, si do ta vlerësonit situatën politike në Shqipëri, marrëdhëniet mes shumicës dhe opozitës, dhe përveç kësaj, situatën ekonomike në vend? Zoti President, Shqipëria po përjeton në nga periudhat më të vështira pas viteve 1990-të kur qytetarët për largohen në masë duke kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në Gjermani. A po përballen shqiptarët me rrezikun e humbjes së liberalizimit të vizave për në vendet e zonës Shengen?
Shqipëria është një vend që ka hyrë në rrugën pa kthim të ndërtimit të demokracisë. E rëndësishme është se sa shpejt, me çfarë standardesh, me çfarë kostosh dhe çfarë kodi sigurie ne shkojmë drejt maturimit të demokracisë. Për fat të keq konstatoj një situatë shumë të polarizuar politike, e cila po thellon çdo ditë e më shumë mosbesimin. Të mos harrojmë se atje ku mungon besimi mungon respekti dhe toleranca. Kjo do të thotë se rritet urrejtja. Rreziku më i madh për një shoqëri, sepse kap disa breza.
Jam realisht i shqetësuar për situatën ekonomike. Kam vlerësuar dhe vlerësoj sinqerisht një sërë përpjekjesh dhe reformash të ndërmarra nga qeveria, por, rritja e borxhit (më së shumti kompozimi i tij), evazioni i madh fiskal në tatime dhe dogana, mungesa e investimeve direkte, mungesa e një transparence totale në prokurime, korrupsioni në punët dhe shërbimet publike duhet ta shqetësojnë urgjentisht qeverinë për një adresim të ri në ekonominë e vendit.
Është pikërisht situata ekonomike ajo që ka demoralizuar qytetarët dhe po i shtyn ata drejt largimit. Kjo nuk është zgjidhje as për ata dhe as për vendin. Kur them për vendin kam parasysh fëmijët, nipërit e mbesat tanë, të ardhmen e Shqipërisë. Unë nuk dëshiroj të besoj se situata aktuale me emigrimin do të rrezikoj të na kthejë vizat. Ky do të ishte një dënim i pamerituar për qytetarët e vendit tonë. Unë kam besim se ky vend do të bëhet. Do të bëhet dhe do të bëhet, se s’bën!
Duke qenë një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, Shqipëria ka ngecur në përmbushjen e të ashtuquajturave pesë përparësi të përcaktuara nga Brukseli dhe çdo zyrtar i BE-së përsërit se pa zbatimin e tyre nuk do të hidhen hapa të tjerë të mëtejshëm në procesin e anëtarësimit. Cili është kontributi juaj në këtë drejtim për kryerjen e këtyre “detyrave shtëpie”?
Shqipëria që pas anëtarësimit në NATO, çka ishte arritja e dytë më e madhe që pas Pavarësisë në 1912, është angazhuar fort dhe seriozisht në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Integrimi evropian është alternativë e vetme për Shqipërinë. Për ne nuk ka një alternativë tjetër.
Natyrisht qe jemi që të gjithë të vetëdijshme që ky është një proces dhe një proces jo i shkurtër. Kam gjykuar gjithnjë se vetë procesi është thelbi i gjithçkaje që duam të mbërrijmë, sepse vetëm përmes këtij procesi do të mundemi të ndërtojmë standardin ekonomik, social, infrastrukturor, institucional, kulturor e shoqëror të nivelit evropian për shqiptarët. Pesë prioritetet janë udhërrëfyesit e këtij rrugëtimi, por jo vetëm. Shqipëria ka ndërmarrë hapa shumë serioze në përmbushjen e këtyre prioriteteve por sfidat më të shumta mbeten përpara. Zyra e Presidenti është dhe do të jetë gjithnjë një mbështetje e pa kursyer në këto angazhime e përpjekje dhe në dispozicion të plotë për të përmbushur çdo nevojë të kërkuar në këtë proces.
Sistemi i drejtësisë ka qenë një prej objektivave madhore të reformës në të cilën ju jeni i përfshirë drejtpërsëdrejti si Kreu i Shtetit dhe si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në të njëjtën kohë ka shumë akuza për korrupsion në gjyqësor që pengojnë mirëfunksionimin e kësaj shtylle të shtetit shqiptar. A mundeni të na shfaqni pozicionin tuaj përkundrejt kësaj çështje ndërsa po punohet ndërkaq për zbatimin e reformës në gjyqësor?
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri mbart mbi vete problematika të shumta të natyrave dhe karakteristikave të ndryshme që kërkojnë një adresim të shumanshëm të thellë por mbi të gjitha të vërtetë.
Në sistemin tonë të drejtësisë ka ende prokurorë dhe gjyqtarë të cilët u formuan dhe u rritën profesionalisht në regjimin diktatorial me kulturën e të qenit mjet represioni në dorën e elitës shtetërore për të shtypur dhe dhunuar qytetarët dhe shoqërinë në tërësi. Disa prej këtyre nuk arritën të përshtaten me sistemin e ri politik që u vendos në Shqipëri dhe janë pikërisht këta që vazhdojnë të spikaten si pjesa më agresive e anësisë politike përsëri në ushtrimin e detyrës së tyre.
Ka në sistemin tonë të drejtësisë prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, të cilët janë gjithnjë të parët që vihen në shërbim të politikës dhe për sa kohë politika nuk e ka me seriozitet luftën kundër korrupsionit këta gjyqtarë nuk penalizohen kurrë, por nga njëra anë vihen në shërbim të synimeve politike të politikanëve dhe nga ana tjetër vijojnë t’i mohojnë drejtësinë qytetarit.
Ka në sistemin tonë prokurorë dhe gjyqtarë të pa aftë që janë të parë që rendin të bëhen zëri publik i qëllimeve të mbrapshta politike të pushtetit.
Sistemi ynë i drejtësisë ka ende një infrastrukturë të dobët, e cila ul ndjeshëm jo vetëm solemnitetin e procesit, por dhe cilësinë e hetimit dhe gjykimit. Kjo ka nevojë për buxhetim të rëndësishëm.
Rrjeti ligjor ka nevojë për një kodifikim dhe konsolidim më të qartë në funksion të një politike penale më të drejtpërdrejtë dhe të fortë.
Sistemi i drejtësisë duhet kontrolluar nga disa mekanizma institucional, të cilët janë gjithashtu nën kontroll nga institucione të tjera që garantojnë balancën. Kështu dhe mjaft çështje të tjera që mund t’i rendisim.
Presidenti i Republikës në interes të një reforme reale dhe gjithëpërfshirëse mori nismën dhe organizoi tryezën për këtë reformë në tetor të vitit 2014. Kjo nismë u bllokua me shpejtësi nga qeveria dhe ajo e mori tërësisht nën kontrollin e saj procesin.
Përfaqësuesi i Presidentit i vënë në dispozicion të komisionit ad-hoc parlamentar që në janar 2015 u injorua tërësisht dhe askush nga institucioni i Presidentit të Republikës nuk u ftua në këtë proces deri në fundin e muajit prill kur dhe u fol për një dokument analitik të arritur tashmë.
Flitet se ka një dokument të Strategjisë, i cili nuk ka mundur ende të mbërrijë tek Presidenti i Republikës për njohje!!!
Në vazhdën e pyetjes së mësipërme, Zoti President, mendoni se reforma të tilla kyçe duhet të kryhen pa gëzuar konsensusin e klasës politike, madje do të thosha, të mbarë popullit, të cilët për shembull janë ndikuar nga ndarja e re administrative territoriale e Shqipërisë? Në vende të shumta janë mbajtur referendume edhe për çështje akoma edhe më pak të rëndësishme...
Reforma në sistemin e drejtësisë ka nevojë të detyrueshme për konsensus. Maxhoranca dhe opozita kanë përgjegjësi të njëjta. Askush nuk duhet të ikë nga angazhimi për këtë reformë. Çështjet që përkojnë me ndryshimet kushtetuese duhet me doemos të aprovohen me referendum. Kushtetuta jonë është miratuar me referendum. Kush mendon se reforma kushtetuese është çështje numrash të sajuar në Parlament nuk do reformë. Sistemi i drejtësisë ka nevojë për Reformë dhe jo për Revolucion Kulturor që do ta vendoste këtë sistem nën kontrollin e një segmenti të caktuar të politikës. Kjo do t’i bënte një dëm të pallogaritshëm të ardhmes së vendit. Reforma duhet të udhëhiqet nga ekspertë dhe jo nga militantët partiak që vetë-shpallen ekspertë. Misionet e EURALIUS, OPDAT, OSBE dhe Komisioni i Venecias duhet të asistojnë përmbajtjen e reformës dhe duhet ta certifikojnë atë.
Ata që na imponuan për gati 5 dekada një sistem pa Ministri Drejtësie (e konsideronin në legjislacion si të pa nevojshme), ata që na imponuan për gjatë gjithë atyre dekadave një sistem pa avokatin mbrojtës pasi konsideronin prokurorin të mjaftueshëm, nuk mundet t’u besojmë të na adresojnë reformën edhe sot në sistemin e drejtësisë. Ka një sërë vendimesh të gjykatave të të gjitha shkallëve së fundmi në Shqipëri, për çështje që përfshijnë direkt apo indirekt politikanët. Këto vendime kanë konfirmuar tërësisht këtë shqetësim timin. Shqipëria është vend anëtar i NATO-S dhe për këtë SHBA kanë obligimin të mbrojnë standardin e Demokracisë në një vend tjetër anëtar të kësaj familje. Shqipëria është vend kandidat për anëtar në BE dhe Brukseli ka obligimin të mbrojë kriteret e Kopenhagës në një vend aspirant dhe anëtar i Këshillit të Evropës. U bëj thirrje juristëve profesionist dhe të pavarur në këtë vend të bëhen pjesë aktive e këtij procesi përmes zërit të tyre publik.
Për sa i takon çështjes të ndarjes së re administrative të vendit unë pres me shumë interes nisjen e reformës së decentralizimit të kompetencave dhe administrimit të pushtetit vendor si dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
Zoti President, a ka koordinim të veprimeve tuaja për sa i përket aspektit diplomatik të politikës së jashtme me Kryeministrin dhe me Ministrin e Jashtëm? Sa për të përmendur një shembull, sepse kam mundur të mësoj që nuk ka pasur koordinim gjatë muajit maj për disa veprimtari të cilat u mbajtën në Tiranë, gjë që krijoi njëlloj konfuzioni për zyrtarët e lartë të huaj që do të vinin në Shqipëri.
Kreu i Shtetit ka një rol kryesor në përfaqësimin e vendit në politikën e jashtme. Do të vijoj të kem një angazhim shumë serioz në këtë aspekt pasi ka të bëj me interesin më të lartë, atë të vendit dhe kombit tim. Jam përpjekur e do vazhdoj kështu, të koordinoj me Ministrinë e Jashtme dhe Qeverinë në këtë çështje shumë të rëndësishme. Ne jemi një vend anëtar i NATO-s, kemi një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në stabilitetin dhe sigurinë në rajon, jemi pjesë e aleancave të rëndësishme kundër terrorizmit, andaj serioziteti është çështje themelore. Jam shumë i lumtur që organizuam Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të SEECP-it në mënyrë dinjitoze dhe të suksesshme.
Është folur shumë për dekriminalizimin e Parlamentit dhe të skenës politike në përgjithësi në Shqipëri. Por për fat të keq, ashtu siç edhe u rikonfirmua nga raporti më i fundit vjetor i Departamentit të Shtetit si dhe nga Ambasada amerikane në Tiranë, është fatkeqësi që edhe në Parlament ka disa politikanë të inkriminuar, të cilët kanë qenë të përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore. Por siç janë gjërat, duket sikur udhëheqja dhe në këtë rast, shumica, nuk po ua vë veshin paralajmërimeve. A keni ndërmarrë ndonjë nismë për të bashkëpunuar me forcat politike që ta kapërceni këtë shqetësimin jo vetëm të partnerëve ndërkombëtarë, por edhe të popullit që do të përfaqësohet nga ligjbërës dinjitozë e të përkushtuar?
Procesi i përfshirjes dhe depërtimit në politikë të personave me rekorde të tmerrshme kriminale ka kohë që është shfaqur në Shqipëri. Veçanërisht ata kanë qenë më aktiv gjatë fushatave elektorale politike dhe lokale (sidomos në qytete të mëdha ku ka interesa ekonomike). Është një problem shumë serioz. Zgjidhja do mund të vijë nga qytetarët shqiptarë. Atëherë kur shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptar do ta marrin në dorë trajtimin e kësaj çështje, kjo do zgjidhet. Unë i jam shumë mirënjohës jo vetëm si President por më shumë si qytetar i këtij vendi Ambasadës së SHBA-së dhe posaçërisht Ambasadorit Lu për angazhimin e tij dhe të Qeverisë së tij për të ndihmuar demokracinë shqiptare në përballjen me këtë fenomen. Fakti që individë të hetuar, ndaluar apo dhe dënuar për trafik narkotikësh, vajzash apo krime të tjera të rënda janë pjesë e Parlamentit, drejtimit të bashkive apo enteve të tjera publike është shumë e rëndë për ne. Këtë peshë, e them edhe njëherë, do mund ta hedhë tutje vetëm angazhimi i shumicës së qytetarëve.
Zoti President, ngjarja e përgjakshme e majit të shkuar në Kumanovë të Maqedonisë ka ngritur disa pikëpyetje duke lënë pas një barrë jo vetëm për marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë, por edhe për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e atij vendi fqinj. A mendoni se ka një hezitim nga ana e disa qarqeve të caktuara për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit? Dhe si i shikoni marrëdhëniet mes forcave politike të popullsisë shqiptare atje?
Maqedonia është një vend fqinj dhe mik i Shqipërisë. Ne mbetemi shumë të interesuar dhe të angazhuar për stabilitetin dhe avancimin e Maqedonisë në proceset integruese euro-atlantike. Faktori shqiptar në Maqedoni e bën edhe më të ndjeshëm interesin tonë për përparimin dhe prosperitetin e saj. Ngjarjet e fundit në Kumanovë kërkojnë medoemos të hetohen në mënyrë të pavarur dhe transparente që të mos përsëriten më kurrë në atë vend dhe kushdo që ka qenë i përfshirë të marrë përgjegjësitë që meriton. Do të ishte e dëmshme për vetë Maqedoninë nëse tentohet që ajo ngjarje të justifikohet si një konflikt etnik. Çka nuk ishte e nuk kishte asnjë gjasë të ishte i tillë. Shqiptarët në Maqedoni janë garant të stabilitetit të atij vendi. Kanë organizimin e tyre politik dhe janë pjesë e rëndësishme e institucioneve të vendit, qofshin ato në pushtet, qofshin ato në opozitë. Natyrisht që është detyrim i të mandatuarve nga komuniteti shqiptar që të mbrojnë të drejtat dhe standardet e jetës së popullsisë shqiptare atje. Për fatin e mirë të atij vendi është arritur një marrëveshje siç është ajo e Ohrit, e cila duhet respektuar dhe zbatuar plotësisht, në frymë dhe në germë. Ajo është një akt që garanton procesin e rritjes së besimit dhe respektit midis palëve dhe tërësisht në interes të vendit të përbashkët që kanë aje maqedonasit dhe shqiptarët. Unë i vlerësoj shumë angazhimet e liderëve politikë shqiptarë atje nga të gjitha partitë pasi janë realisht institucionalë, të matur dhe me përgjegjësi për çka përfaqësojnë dhe për vendin e tyre.
Parlamenti i Kosovës i hapi dritën jeshile krijimit të Gjykatës së Posaçme. Cili është komenti juaj rreth asaj nisme të ndërmarrë nga ndërkombëtarët? A mendoni se ka hapësirë për t’u shqetësuar mbi rrezikun e ndëshkimit të ndonjë luftëtari të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës siç pretendohet nga opozita dhe nga veteranët e luftës në Kosovë?
Parlamenti i Kosovës përmes atij amendamenti mori përsipër përgjegjësitë politike që i takojnë për të mbrojtur imazhin, dinjitetin dhe legalitetin e institucionit më të lartë të Republikës siç është vetë Parlamenti. Prej vitesh janë hedhur akuza publike për krime në Kosovë gjatë luftës çlirimtare, por asnjëherë të adresuar konkretisht dhe asnjëherë të bazuara në prova. Në doktrinën e jurisprudencës pretendimi përmes akuzave është I njohur. Ato duhen hetuar dhe bazuar mbi prova më pas. Ka pasur akuza ndaj luftëtarëve të UÇK deri në Gjykatën e Hagës. Ata janë paraqitur atje dhe akuzuesit kanë dështuar. Liderët politik të akuzuar kanë konfirmuar pafajësinë e tyre nga një gjykatë e besueshme dhe e pavarur dhe sot askush nuk mundet ti akuzoj dot më ata qoftë për interesa politike qoftë për interesa të tjera. Lufta çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do mbetet një nga epopetë më të ndritura të historisë së kombit shqiptar. UÇK-ja u krijua nga djemtë dhe vajzat më të mirë të Kosovës në mbrojtje ndaj gjenocidit dhe makinerisë vrastare të Serbisë së Millosheviçit. UÇK-ja ishte aleati më i afërt i NATO-s, i aleancës më demokratike dhe të suksesshme në botë. Dëshmorët dhe kontribuesit e asaj lufte do mbeten përjetësisht në altarin më të nderuar të kombit shqiptar. Askush nuk do mundet ta cenojë këtë. UÇK-ja dhe lufta e saj, NATO dhe ndërhyrja e saj, sollën lirinë dhe shpëtimin e një populli të tërë. Kushdo që ka një pretendim për krime të supozuara, tashmë ka një gjykatë për t’u drejtuar dhe për t’i vërtetuar. Koha e akuzave politike lart e poshtë mbaroi.
Veprimtaritë tuaja në kuadër të nismave rajonale kanë qenë të shumta gjatë viteve të fundit. Duke pasur parasysh këtë, si e shikoni procesin e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe situatën aktuale si dhe perspektivën e mbarë rajonit?
Ballkani Perëndimor që pas pavarësisë së Kosovës është shndërruar në një rajon shumë më të paqtë, të sigurt dhe stabël. Tashmë ky rajon është përballë shanseve të mëdha. Është rritur jo vetëm fryma por edhe dinamika e një komunikimi, bashkëpunimi dhe fokusimi në objektiva të përbashkët. Ia kemi arritur të çrrënjosim armiqësinë, por tashmë duhet të rrënjosim mirëbesimin dhe dialogun e pandalshëm. Ka një garanci të shtuar të sigurisë në rajon edhe për shkak të miqësisë dhe angazhimit të SHBA-së si dhe një shpresë reale për zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor për shkak të dashamirësisë dhe përfshirjes së BE-së në rajonin tonë.
Në përfundim Zoti President, cila janë disa nga sfidat të cilave do t’u përkushtoheni përgjatë dy viteve të ardhshme të mandatit tuaj? A mendoni se do të ishte i nevojshëm një tjetër mandat pesëvjeçar për t’ju bërë të thoni se: “Po, i përmbusha objektivat që i kisha vënë vetes në shërbim të Shqipërisë dhe popullit të saj”?
Unë do të punoj dhe përpiqem shumë fort për vendin tim deri sa të kem frymë. Nuk do them kurrë që e mbarova angazhimin tim për vendin për sa kohë do jem në këtë jetë. Do vijoj po me atë dinamizëm sa edhe deri më tani në përmbushje të detyrimeve të mia kushtetuese dhe ligjore. Do përpiqem të jem sa më shumë pranë çdo qytetari të thjeshtë të vendit tim dhe do mbetem zëri më i fortë publik i interesave të drejta të komuniteteve të ndryshme shoqërore të këtij vendi. Unë besoj shumë tek vendosmëria për të mos u ndalur asnjëherë në përpjekjet pozitive, tek mbrojtja e parimeve themelore, tek e drejta dhe e mundshmja.
Mund të them se pjesa më lartë ishte ajo zyrtare e intervistës. Tani, nëse më lejoni, dëshiroj të “vjedh” disa informacione nga Presidenti im, nga Kreu i Shtetit të shqiptarëve, si qytetar i thjeshtë me familjen, farefisin dhe miqtë e tij. Si po i kalon këto ditë të nxehta gushti zoti Nishani? A ndodh që ju të shkoni pa rënë në sy gjatë jetës suaj, le të themi në vende të ndryshme për të kaluar kohën si në ndonjë restorant në Tiranë apo në ndonjë vend tjetër? A e ndieni ju dhe familja juaj “barrën” presidenciale që do të thotë, të gjendeni gjithmonë në vëzhgim të vazhdueshëm, disa herë miqësor dhe nganjëherë edhe jo të tillë?
Jeta ime private dhe ajo e familjes sime janë shumë të shtrenjta për mua. Ne duhet të jemi para së gjithash; njerëz të zakonshëm, familjarë të devotshëm, prindër të dhimbsur, qytetar të zakonshëm të këtij vendi në mënyrë që të ndjejmë më pas të gjithë përgjegjshmërinë e duhur për të bërë punët institucionale dhe detyrat shtetërore. Për mua Shqipëria është vendi më i bukur në botë. Ka halle dhe mungesa zhvillimi ende të shumta. Por shqiptarët do ta bëjnë atë shumë herë më të mirë nga ç’është sot. T’u them të drejtën nuk jam shumë i dhënë pas kafeneve dhe restoranteve, por më pëlqen shumë të udhëtoj, në çdo cep të vendit. Këto plane kam edhe për ditët në vijim. Kryesisht, kohën e këtij muaji do ta ndaj mes Tiranës (zyrës) dhe Durrësit (bregut të detit), atje kam dhe vendlindjen time, prindërit dhe shumë miq. Por disa fundjava i kam rezervuar për majat e disa maleve të Shqipërisë. Më lejoni të mos i bëj publike në këtë intervistë!
Ju faleminderit shumë!
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)