Nishani-Merkel: Statusi, falë edhe
mbështetjes suaj, vijojmë kështu

Nishani-Merkel: Statusi, falë edhe<br />mbështetjes suaj, vijojmë kështu
DUBROVNIK - Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e bërë nga Gjermania në proceset integruese bë Bashkimin Europian të Ballkanit Perëndimor, duke marrë shkas edhe nga marrja e statusit kandidat nga Shqipëria.
 
Deklaratat Presidenti Nishani i bëri nga Dubrovniku ku u zhvillua sesioni plenar i Takimit të Udhëheqësve të Procesit Brdo-Brijuni, ku e pranishme ishte edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.
 
Nishani theksoi se marrja e statusit kandidat nga Shqipëria është një meritë sa e qeverisë shqiptare, aq edhe mbështetjes së vendeve anëtare të BE-së dhe veçanërisht të Gjermanisë. Presidenti shqiptar shtoi se prania e kancelares gjermane në këtë sesion është shprehje e vëmendjes dhe mbështetjen e BE ndaj Ballkanit Perëndimor.
 
“Sikurse jeni në dijeni, Shqipëria sapo mori statusin e vendit kandidat. Ky është sukses yni dhe juaji njëkohësisht. Yni, sepse e kemi merituar, falë arritjeve tona në reformat për zhvillimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit ligjor dhe ndërtimit të ekonomisë funksionale të tregut, me synim përafrimin me standardet evropiane. Juaji, sepse mbështetja dhe ndihmesa bujare, durimi dhe mirëkuptimi i të gjitha vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së kanë qenë vendimtare. Dhe, pa dyshim, Gjermania ka një peshë të rëndësisë së veçantë. Ju shpreh mirënjohjen time dhe të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë për ju dhe qytetarët zemërgjerë gjermanë.” tha Nishani

Nishani nënvizoi se Shqipëria do të vijojë punën për për 5 prioritetet e kërkuara nga BE në kuadër të proceseve inegruese, ku fillimisht sfidë mbetet hapja e negociatave.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe të gatshëm për më shumë përgjegjësi që kërkon përmbushja e kritereve për hapjen e negociatave, duke vazhduar me prioritet, reformimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërtimin e një administrate profesionale, forcimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtës së pronës, si edhe çdo reformë tjetër që i shërben afrimit me Bashkimin Evropian. Shqipëria ka miratuar Planin Kombëtar për Integrim Evropian dhe një plan masash që do të merren kryesisht gjatë këtij viti, për të trajtuar 5 prioritetet kryesore, në konsultim të ngushtë me Komisionin Evropian.” u shpreh Nishani

Duke vijuar më tej, Presidenti Nishani tha se dialogu është zgjidhja më e mirë e problematikave, duke shtuar se në këtë drejtim Ballkani ka bërë përparime të dukshme sa i përket paqes dhe stabilitetit në rajon. Nishani vuri theksin tek mbështetja e ndërkombërarëve në këtë drejtim, duke risjellë në vëmendje edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të Baroneshës Catherine Ashton
 
“Që nga Samiti i Selanikut, realiteti në rajon ka ndryshuar shumë. Ballkani Perëndimor ka bërë një përparim të konsiderueshëm në drejtim të paqes, stabilitetit, demokracisë, si edhe në bashkëpunimin rajonal, në interes të qytetarëve tanë Evropianë dhe Bashkimit Evropian. Edhe vendet tona kanë hedhur hapa konkrete në drejtim të afrimit institucional me BE-në. Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe përparimi në normalizimin e marrëdhënieve, me lehtësimin e BE-së, konkretisht të Baroneshës Ashton, shënon fillimin e një kohe të re dhe lindjen e një fryme mirëbesimi për rajonin. Ai është një shembull i shkëlqyer sesi zgjidhen me dialog të gjitha çështjet dhe diferencat, për hir të së ardhmes.” u shpreh Presidenti Nishani.

Në këtë sesion u diskutua për çështje të integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal, ndërtimin e një infrastrukture moderne rajonale, politikat e energjisë së Bashkimit Evropian si dhe qasjeve rajonale për sigurimin e energjisë dhe integrimin në rrjetin energjetik evropian.

Nishani: Nevojitet një bashkëpunim edhe në infrastrukturën energjitike
Duke vijuar më tej Presidenti Bujar Nishani u ndal edhe tek problemi i energjitikës dhe tek reformat e përbashkëta të ndërmarra nga vendet e rajonit. Nishani u shpreh se për zgjidhjen e problematikave energjitike në rajon, nevojitet një plan dhe politika të përbashkëta ndërajonale.

Sipas Nishanit, edhe pse Shqipëria është një vend i pasur hidrik, sërish duhet një bashkëpunim me vendet e tjera të rajonit për përmirësimin e infrastrukturës energjitike me burime të tjera alternative.

“Në shtete të ndryshme të Evropës Juglindore ka nivele të ndryshme të zhvillimit të tregut të energjisë, ekzistojnë burime të ndryshme energjetike dhe ka kapacitete të kufizuara të gjenerimit dhe transmetimit. Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e situatës duhen bërë në nivel lokal, por edhe rajonal për të krijuar kapacitete të reja gjenerimi dhe transmetimi. Shqipëria është një treg i vogël, me kapacitete të kufizuara gjenerimi dhe transmetimi, që nuk përballojnë konsumin dhe me një sistem elektro-energjetik që mbështetet në mbi 98% nga burimet hidrike. Për pasojë, bëhet i domosdoshëm integrimi i sektorit elektro-energjetik me tregun dhe rrjetin elektro-energjetik rajonal dhe përshtatja e praktikave më të mira që veprojnë në vendet e BE.”tha Nishani

Në këtë kuadër, Nishani tha se Ukraina është një shembull i gjetjes së alternativave energjitike ndërsa shprehu rëndësinë e gazsjellësit TAP, si një projekt me rëndësi për shumë vende të Ballkanit.

“Përveç Strategjisë Rajonale të zhvillimit energjetik është e nevojshme të ndërtohen edhe struktura rajonale ekzekutive për zbatimin e kësaj Strategjie. Ka ardhur koha që të veprohet me shpejt në krijimin e një tregu rajonal te energjisë për të shmangur vështirësitë që hasen në garantimin e një sigurie të plotë me kosto të arsyeshme të energjisë në rajonin tonë. Zhvillimet në Ukrainë po na mesojnë se sfidat e sigurisë energjetike për shkak të presionit për ngritjen e çmimeve të gazit rus drejt Evropës, duhet të zgjidhen duke gjetur  rrugë alternative  Projekti TAP është një burim alternativë gazi drejt Evropës, i cili përfshin shumë vende të rajonit. Ai dhe projekte të tjera energjetike mund dhe duhen të zhvillohen.” u shpreh Nishani

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Lejoi një malazez në kërkim të kalonte kufirin, AMP ndalon policin në pikën e Hanit të Hotit

Lejoi një malazez në kërkim të kalonte kufirin, AMP ndalon policin në pikën e Hanit të Hotit