MIRDITE - Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi pas vdekjes Imzot Prend Doçin, Abatin e Mirditës me Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin “Në shenjë vlerësimi dhe nderimi shtetëror për veprimtarinë e tij të shquar e të patjetërsueshme patriotike, fetare dhe politike në shërbim të misionit kombëtar dhe përhapjes së dijes e kulturës.”

Gjatë një ceremonie të zhvilluar sot në shkollën e mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” të qytetit të Rrëshenit, Presidenti i ka dorëzuar dekoratën Ipeshkvit Kristoforo Palmieri të Dioqezës së Rrëshenit, në prani të përfaqësuesve të lartë fetarë, atyre të pushtetit vendor si dhe mësuesve dhe studentëve të Shkollës “Shën Jozefi Punëtor”.

Duke vlerësuar rolin e Abatit të Mirditës në rimëkëmbjen e Abacisë së Mirditës, Presidenti e quajti atë një personalitet të jashtëzakonshëm që meriton mirënjohje.

“Abat Doçit, me Shoqërinë “Bashkimi” që ai krijoi në Shkodër, i jemi mirënjohës jo vetëm për një larmi veprash në fushën e gjuhës, letërsisë, historisë e fusha të tjera, por edhe për faktin se arriti të bashkonte në një drejtim energjitë krijuese të intelektualëve të kohës, diti t’u jepte mësimin e madh bashkëkombasve se bashkimi ishte çelësi i suksesit të së ardhmes në politikë, qeverisje e kudo” tha Nishani.

Vizita e Presidentit Nishani në Rrëshen nisi me një takim të shkurtër me mësues dhe nxënës në laboratorin e elektroteknikës të Shkollës së mesme profesionale “Shën Jozefi Punëtor” dhe përfundoi me një vizitë në katedralen e qytetit.

Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)