Nishani: Pse e largova diplomatin
e përfolur për aferat Ansar-Argita

TIRANE - Emisioni “5 Pyetjet nga Babaramo” në televizionin A1REPORT! në puntatën e së martës mbrëma “u zhvendos” në selinë e Kryetarit të Shtetit, aty ku gazetari Ilir Babaramo zhvilloi një intervistë me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Zgjedhjet e 23 Qershorit dhe fushata elektorale u vendosën në fokus të intervistës, në kuadrin e akuzave dhe kundëarkuzave që prej javësh vijnë nga foltoret e selive të Partisë Socialiste e asaj Demokratike. I pyetur nga gazetari Babaramo, për rolin dhe veprimet konkrete të institucioneve të drejtësisë në raport me këto akuza, Nishani u përgjigj duke thënë se do të preferonte që fushata të bazohej në platformën qeverisëse të tyre, dhe jo në çështje që kanë të bëjnë me persona të veçantë. Gazetari iu referua akuzave nga Partia Socialiste për një trafik influence të vajzës së Kryeministrit në një raport biznesi me një biznesmen pakistanez, dhe kundërpërgjigjes së Partisë Demokratike ku sipas saj, Rama i ka dhënë bashkëshortes së tij dy leje të paligjshme për një godinë 5-katëshe ku banojnë të afërmit e saj.

“Përsa u takon pretendimeve që mund të kenë ndaj sjelljes qytetare apo ndaj problemeve që mund të kenë në raport me ligjin, Shqipëria i ka të gjitha mekanizmat sot, të gjitha institucionet ku ata duhet të drejtohen dhe t’i lënë më pas këto institucione të kryejnë misionin e tyre, të kërkojnë nga këto institucione në mënyrë zyrtare të japin një përgjigje për pretendimet që mund të ketë”, deklaroi Presidenti Nishani”, deklaroi kreu i shtetit.

Biseda u përqëndrua edhe publikimet në media për përfshirje të ambasadorit tonë në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Admirim Banaj si ndërmjetës në takimin e vajzës së Kryeministrit Berisha me biznesmenin pakistanez Zafar Ansar. I pyetur nga gazetari nëse largimi nga posti i diplomatit ka lidhje me akuzat për afera me Ansar, duke konfirmuar lirimin e banaj nga dertyra e ambasadorit, Nishani tha se largimi lidhet me përfundimin e mandatit të tij.

Presidenti deklaroi se dekreti për lirimin nga detyra të ambasadorit nga ardhur ashtu siç e parashikon ligji nga Ministria e Jashtme dhe Kryeministri në përfundim të mandatit të tij, shumë kohë më parë se sa debatet politike që e kanë përfshirë atë.

Biseda u fokusua gjithashtu edhe në zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës, konkretisht me heqjen së lapidarit të UÇPMB-së nga xhandarmëria serbe, të cilën Presidenti e cilësoi një veprim të shëmtuar “tërësisht në dhunim të parimeve fondamentale dhe universale të të drejtave të njeriut, një akt i cili ka dhunuar parimet dhe të drejtat e minoritetit shqiptar në Serbi”.

Brenda të njëjtit kontekst, kreu i shtetit doli kundër qëndrimit të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili deklaroi se shqiptarët në Preshevë duhej të kishin bërë rezistencë ndaj veprimit të serbëve. Për Presidentin, shqiptarët kanë vepruar në mënyrë të matur, në një mënyrë që përkon me ato parime të cilat qytetarët shqiptarë, sipas Nishanit, mbrojnë në Luginën e Preshevës.

ilir babaramo nishani
(Foto, presidenti Bujar Nishani dhe gazetari Ilir Babaramo në ambientet e Presidencës)

INTERVISTA E PRESIDENTIT BUJAR NISHANI

Do të doja ta nisnim bisedën nga zhvillimet më të fundit në rajon, ku ngjarja më evidente, është ajo e Preshevës, heqjen e monumentit nga xhandarmëria serbe, qindra xhandarë që kishin shkuar për të hequr një monument që përkujtonte ushtarët e rënë në luftë të Ushtrisë Çlirimtare të Medvegjës, të Preshevës dhe Bujanovcit, një ngjarje që preku ndjenjat e shumë shqiptarëve, të gjithë shqiptarëve kudo, dhe shkaktoi dhe tension. Ju, këtë ngjarje tashmë e konsideroni të izoluar, të arkivuar apo ka lidhje me negociatat që zhvillohen mes serbëve dhe shqiptarëve për fatin e Mitrovicës së Veriut.


Së pari, ngjarja është një veprim i shëmtuar, një veprim tërësisht në dhunim të parimeve fondamentale dhe universale të të drejtave të njeriut, një akt i cili ka dhunuar parimet dhe të drejtat e minoritetit shqiptar në Serbi, një veprim tërësisht në kundërshtim flagrant dhe në shkelje të parimeve të Kartës së Autonomisë Lokale, ku botërisht dhe në parimet universale, autoritetet lokale, çdo vend demokratik, kanë të gjitha të drejtat e vendimmarrjes edhe mbi këto çështje. Është një veprim, i cili u krye tërësisht në një ambient provokativ ndaj komunitetit të shqiptarëve në Preshevë. Ajo që unë mund të them, ka të bëjë me faktin që akte të tilla, vendime dhe veprime të tilla, nuk ndihmojnë aspak në ambientin e komunikimit, të dialogut, të mirëbesimit, ambient i domosdoshëm për të gjitha vendet, për të gjitha komunitetet, për të gjitha nacionalitetet në Ballkan, por dhe në çdo vend tjetër të botës. Unë kam vlerësuar maksimalisht qëndrimin e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës, të autoriteteve dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal të shqiptarëve në Luginë. I nxis përsëri ata që të tregojnë maturi dhe të vijojnë të kërkojnë respektimin maksimal të të drejtave të tyre, të ushtrojnë të gjitha kompetencat që i takojnë një pushteti lokal, ashtu siç Shqipëria gjithmonë do të jetë jo vetëm e vëmendshme, por dhe do të ndjekë me kujdes respektimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që ata janë, do ta ngrejë zërin me forcë në të gjitha institucionet ndërkombëtare për të mbrojtur respektimin e këtyre të drejtave, por nga ana tjetër, unë mendoj që këto çështje asesi nuk mund të shërbejnë në radhë të parë për reagime të të njëjtit stil, pra për reagime të formës së dhunshme. Këto qëndrime nuk mund të kthehen në një resurs përfitues për ata që mendojnë të provokojnë dialogun që tashmë ka nisur midis Serbisë dhe Kosovës, midis këtyre dy shteteve fqinje me njëri-tjetrin. Por kjo është një çështje, e cila me siguri po ndiqet dhe ne mbështesim të gjithë hapat e ndërmarrë nga autoritetet lokale të komunitetit shqiptar në Serbi. Jam i bindur që shteti shqiptar dhe autoritetet shqiptare do të vazhdojnë të bëjnë të gjitha demarshet e përcaktuara në institucione ndërkombëtare për të kërkuar pikërisht atë që sot është fondamentale, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, liritë dhe të drejtat bazike të minoritetit shqiptar në Serbi, dhe mbi të gjitha, respektimin e Kartës së Autonomisë Lokale, që janë sot në hapësirën evropiane, në Bashkimin Evropian, vlerat dhe principet kryesore mbi të cilat një shoqëri që pretendon të jetë demokratike, mund dhe duhet të funksionojë. Pra, ky është këndvështrimi, të cilin unë ndaj me ju për këtë çështje.

Ndërkohë, ju thatë se autoritetet shqiptare të Preshevës vepruan shumë drejt, ndërkohë krejt të kundërtën ka thënë Kryeministri Thaçi. Ai u ka tërhequr vëmendjen publikisht atyre se duhet të kishin organizuar një qëndresë qytetare për të refuzuar, për të bërë të pamundur heqjen e këtij memoriali.

Unë jam i bindur në gjykimin tim dhe në besimin tim që, veprimi i autoriteteve lokale, por dhe i gjithë qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës ka qenë një qëndrim i matur, një qëndrim, i cili përkon me ato parime, të cilat qytetarët shqiptarë mbrojnë atje. Dhe hapa të mëtejshme të qeverisë lokale, të përfaqësuesve të shqiptarëve në Luginë, për ta zgjidhur çështjen mbi bazën e këtyre parimeve dhe angazhimeve të Konventave dhe të institucioneve ndërkombëtare, ku Serbia, Shqipëria dhe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit janë palë, unë besoj që janë sjellja, vendimi dhe gjykimi më i mirë dhe i duhur.

Ka shumë vetë që besojnë se ajo çka ndodhi në Preshevë ishte një sinjal i Beogradit zyrtar për të ofruar një shkëmbim territoresh, le të themi që Presheva t’i bashkohet Kosovës, ndërsa Mitrovica e Veriut t’i bashkohet Serbisë. Ju e shikoni të mundshme këtë apo nuk ka më ndarje kufijsh, kufijtë janë definuar një herë e mirë?


Nëse ka një qasje dhe një ide të tillë për të shfrytëzuar veprime të tilla, për të iniciuar diskutime të tilla, unë besoj që janë të dështuara. Kufijtë në Ballkan janë përfundimisht të përcaktuara. Natyrisht shteti më i ri i krijuar është shteti i Kosovës, i cili është konsoliduar gjatë këtyre pesë viteve të pavarësisë së tij. Krijimi i atmosferës për të filluar dhe diskutuar për një rishikim të kufijve, do të krijonte një shqetësim dhe një destabilitet të papranueshëm për Ballkanin, për të gjitha kombet, për të gjitha vendet. Unë besoj që e shkuara e hidhur e rajonit tonë, e luftërave, e gjenocideve, e spastrimeve etnike, është mësimi më i mirë i historisë për të gjitha vendet, për të gjitha kombet, por edhe për vendet e nxehta, nëse ato ekzistojnë ende. Është një moment kur të gjitha kombet, të gjitha vendet, të gjitha shtetet, duhet të orientohen tek fryma e krijimit të besimit me njëri-tjetrin, besim i cili krijohet në radhë të parë përmes bashkëpunimit, dialogut midis njëri-tjetrit, përmes respektit reciprok. Ndaj, unë mendoj që teori dhe teza të tilla, të cilat mund të promovojnë idetë e një ndarje, të ndryshimeve territoriale, besoj që do të jenë tërësisht të dështuara. Ne shqiptarët, besoj që jemi të interesuar më shumë se kushdo tjetër për mosndryshimin e kufijve, për konsolidimin e vlerave tona. Është një fakt i pamohueshëm që faktori shqiptar sot në rajon është faktori kryesor dhe faktori më i rëndësishëm. Ky është një fakt për rajonin në tërësi, për arsye se faktori shqiptar në tërë historinë e tij, por më së shumti akoma, në objektivat dhe në të ardhmen e tij, ka në strategji dhe në fokus kontributin për stabilitetin, kontributin për paqen, kontributin për fqinjësinë e mirë. Ne jemi të interesuar që të gjitha fuqitë tona, të gjitha kontributet tona, të fokusohen tek zhvillimi ekonomik i vendeve tona. Po aq i rëndësishëm dhe domethënës është fakti që tashmë në Ballkan ka dy shtete shqiptare dhe unë besoj që është një arritje shumë e madhe, si për kombin shqiptar, por dhe për shqiptarët. Dhe është një mundësi tjetër e një kontributi më të drejtpërdrejtë dhe më të fuqishëm për stabilitetin, për garantimin e stabilitetit të rajonit. Prandaj, unë besoj që ky vizion i shqiptarëve është një vizion i një shoqërie të civilizuar, i një shoqërie të kulturuar, e cila shkon në harmoni të plotë me vlerat më të mira evropiane dhe me objektivat tanë më të rëndësishëm dhe strategjikë të së ardhmes.

Cilët janë këto objektiva strategjikë?

Objektiva strategjikë janë konsolidimi dhe përparimi i çështjes kombëtare shqiptare, që do të thotë i zhvillimit të shqiptarëve kudo që janë. Sa më të zhvilluar e të konsoliduar të jemi ekonomikisht, shqiptarët në Shqipëri, shqiptarët në Kosovë apo shqiptarët në Maqedoni, e kudo ku jetojnë, natyrisht kjo sjell drejtpërsëdrejti përparim ekonomik të të gjitha vendeve tona, që do të thotë, sjell një relaks në bashkëpunimin midis nesh, që do të thotë, sjell hapësira të reja të ecjes përpara.

Për të qenë më i drejtpërdrejtë, zoti President, shumë nga protagonistët e politikës shqiptare, sidomos tani edhe me afrimin e zgjedhjeve, flasin për bashkim të shqiptarëve. Por, ju si Kryetar shteti, që jeni përtej, nuk jeni më në garë elektorale. Ju si e shikoni bashkimin e shqiptarëve? E shikoni bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm dhe pastaj integrimin e tyre në Bashkimin Evropian apo bashkimi i tyre të bëhet në mënyrë të natyrshme kur të dyja këto vende, Shqipëria dhe Kosova të hyjnë, të anëtarësohen në hapësirën evropiane?


Po, fatmirësisht, edhe qëndrimi i palëve politike në Shqipëri ka qenë mjaft i qartë në artikulim dhe në ide, të cilët e shohin çështjen kombëtare shqiptare në kuadrin e integrimit evropian. Nëse vijmë për ta elaboruar pak më tej në detaje, brenda të cilit qëndron dhe vizioni dhe këndvështrimi i Presidentit të Republikës, mund t’ju them që fatmirësisht shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, Shqipëria, Kosova, por dhe vende të tjera ku jetojnë shqiptarët, siç është Maqedonia, Mali i Zi, apo dhe Serbia vetë, ku jetojnë shqiptarë në Luginën e Preshevës, janë të gjitha të përfshira në një proces që është procesi i integrimit evropian. Unë nuk shoh që paralelisht me procesin e integrimit evropian, të ketë procese të tjera. Nuk mund të ecet me dy procese të ndryshme paralelisht me njëri-tjetrin. Ndaj, është krejt e qartë, qëndrimi që ka Shqipëria si shtet, por natyrisht qëndrim i cili reflekton qëndrimin e aktorëve publikë, politikë në radhë të parë, që, përmes procesit të integrimit evropian, natyrisht do të vijë, dhe ajo që ne e perceptojmë si çështje të bashkimit kombëtar apo çështje të ndriçimit tonë dhe të zhvillimit tonë kombëtar. Ndaj, unë e shoh të pandashëm edhe qëndrimin tim nga qëndrimi në tërësi i institucioneve shqiptare, i klasës politike shqiptare, por dhe i asaj të shqiptarëve të Kosovës. Pra, duke ecur në këto procese, të cilat janë rruga e vetme mbi të cilën ne do të realizojmë atë objektiv kombëtar që ne kemi, është rruga më e sigurt, më e mirë e mundshme, më e shkurtër dhe më e konsoliduara e mundshme.

A ju duket se kjo që thoni ju është pak ndryshe nga ajo që deklaron qeveria dhe Kryeministri, i cili, sipas shumë vetëve, për sa i përket bashkimit të shqiptarëve, ka një qasje pak fort politike, p.sh., për bashkimin e artikuluar nga Kryeministri, që nis me një ligë të përbashkët futbolli apo me transmetimin e televizioneve të Kosovës në Shqipëri dhe të Shqipërisë në Kosovë. Në këtë linjë, nëse i shtojmë dhe shifrat, kur importet shqiptare në Kosovë janë vetëm 5%, në kohën kur nuk kemi ende një sistem unik energjetik dhe ju e dini më mirë se unë, zoti President, se një nga çështjet më të rëndësishme të sovranitetit është energjia, dhe ne ende nuk kemi një sistem energjetik unik, çka mund të ishte një zgjidhje më afër asaj idesë suaj që jeni për një bashkim ekonomik të shqiptarëve.

Së pari, natyrisht pa hyrë në interpretimin e deklaratave, as të Kryeministrit, as të kryetarit të opozitës, çka normalisht nuk mund t’i lejohet një Presidenti Republike, mund t’ju them që nuk kam parë asnjë ndryshim, asnjë dallim në deklaratat e qeverisë apo të Kryeministrit, nga ajo çka unë shpreha. Dhe fatmirësisht, në tërësi politika shqiptare është e sinkronizuar për sa i takon çështjeve të politikës së jashtme. Dhe natyrisht, për Shqipërinë në politikën e jashtme, vëmendja kryesore është tek çështjet e rajonit, tek bashkëpunimi rajonal. Dhe ky është një shans në tërësi për Shqipërinë, pasi të gjitha palët janë të orientuara tek ato vlera që unë përmenda deri më tash: tek respekti i tjetrit, tek fqinjësia e mirë, tek bashkëpunimi. Por, çështjet që ju cekët, së pari, elementët qoftë të krijimit të një atmosfere bashkëpunimi në fushën e sportit, të kulturës, apo të unifikimit të abetares që janë hapa që janë ndërmarrë kohët e fundit, apo të rrjetit telefonik që ju përmendët, janë të gjitha çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me teoritë që tentojnë të frenojnë, le të themi, zhvillimin e shqiptarëve, duke e konsideruar krijimin e Shqipërisë së Madhe, apo teorira tërësisht në kundërshtim me objektivat strategjikë të Shqipërisë, janë elementë të cilët në tërësi sot janë të aplikueshme edhe në vende të tjera, dhe në eksperiencat e vendeve të tjera. Pra, akte dhe veprimtari të tilla nuk synojnë të ndryshojnë as kufijtë, nuk kanë të bëjnë as me ndryshimin e institucioneve të shteteve, unifikimin e institucioneve të shteteve, por natyrisht kjo lidhet me një lloj konsolidimi të vlerave të përbashkëta të kulturës që ne kemi, si shqiptarë që jemi, kudo që ndodhemi. Çështja që ju prekët në aspektin e tregut është një çështje fondamentale, dhe kjo është pjesa për të cilën ne kemi përgjegjësi të fokusohemi më shumë. Në atë çka ju e cilësuat si treg i përbashkët energjetik, në fakt, në gjykimin tim, unë mendoj se për sa i takon energjetikës, si Shqipëria dhe Kosova, do të kishin interes më të madh dhe përfitim më të madh, nëse këtë treg e shikonin pak më gjerë, në një nivel më të gjerë, në një nivel rajonal, duke pasur parasysh tregun që ne kemi. Dhe unë besoj që do të jetë në përfitim të shqiptarëve në radhë të parë, por dhe të gjithë vendeve të tjera, nëse ne shkojmë drejt zhvillimit të një strategjie, të një tregu të përbashkët rajonal në energjetikë.


Lexoni këtu vazhdimin e intervistës

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve