Nishani sfidë mazhorancës:
Vlerësoj punën e Visho Ajazit

TIRANE- Presidenti Bujar Nishani lë të hapur mundësinë për shkarkimin e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Zana Xhuka, ndërsa për kreun e SHISH-it shprehet qartë se vlerëson maksimalisht punën e tij.

I ftuar në "5 Pyetjet nga Babaramo", emision i cili mbrëmjen e së hënës (28 janar) ishte zhvendosur në ambientet e Presidencës, kreu i Shtetit në ndryshim nga qëndrimi i mazhorancës, tha se SHISH-i ka dhënë rezultate në goditjen e rrjeteve të drogës dhe terrorizimit.
 
“Vlerësoj maksimalisht punën e kreut të SHISH-it. Ky institucion ka pasur rezultate konkrete në disa aksione të rëndësishme, ka pasur rezultate në goditjen e rrjeteve të drogës dhe terrorizimit. Nuk kam konstatuar asnjë akuzë nga opozita ndaj shërbimit të SHISH-it. Shqipëria nuk ka qeliza islamike. Lidhur me shqiptarët në Siri, kërkohet më shumë vëmendje nga institucionet. Duhet të vlerësohet pavarësia e institucionit të SHISH. Institucioni i presidentit duhet të tregojë vullnet në interes të sigurisë kombëtare. Askush nuk mund të ushtrojë presion në raport me presidentit”, u shpreh Presidenti Nishani.
 
Ndërkaq, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, nuk e cilëson si një penalizim mosmarrjen e statusit të vendit kandidat në BE në dhjetor 2013, por thekson se vendi ynë duhet të fokusohet tek reformat. Kreu i shtetit theksoi rëndësinë e plotësimit të rekomandimeve. Duke u ndalur edhe tek harmonia fetare në vendin tonë, një temë e cila u prek gjerësisht pas refuzimit të statusit, Presidenti Nishani tha se kjo është një vlerë e shtuar për vendin.
 
Kreu i shtetit e ka quajtur me vend shqetësimin e qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë kufirit lidhur me çështjen Radika, ndërsa ka kërkuar edhe vëmendjen e qeverisë shqiptarë në analizimin e kësaj çështjeje.

Ndërkaq Presidenti Nishani ka përshëndetur mbledhjen e përbashkët të qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës në Prizren, por tha se këto mbledhje duhet të konkretizohen në vendime dhe angazhime konkrete.

Përse dy shtetet shqiptare u penalizuan në Bruksel? Serbët morën dritën jeshile për të negociuar marrëveshjen për integrimin në BE, ndërsa Tirana dhe Prishtina nuk morën përgjigje pozitive. Si e shpjegoni?
Nuk e shoh as në thelb të këtij qëndrimi si penalizim, dhe as në këndvështrim. Së pari më duhet të konfirmoj edhe njëherë qendrimin që kam deklaruar dhe që i besoj fort se Shqipëria e meriton dhe e ka merituar statusin e vendit kandidat. Qytetarët e Kosovës e meritojnë të lëvizin në mënyrë të lirë në hapësirën europiane. Proceset integruese janë procese që kanë nisur herët dhe kanë kaluar në disa etapa. Në këtë ecuri kanë qenë bashkëpunuese dhe me partneritet të dyanshëm. Ajo që ka rëndësi edhe për momentin në të cilën ndodhemi dhe është filozofia e të gjithë procesit, është orientimi drejt së ardhmes. Duhet të fokusohemi tek rruga që kemi përpara. E meritojmë statusin e vendit kandidat. Duhet ta ngrejmë në një nivel më të madh gjykimi dhe vlerësimi këtë dhe t’i shërbejmë më tepër vetes sonë. Duhet ta trajtojmë si një sfidë për të vazhduar rritjen e standardeve që kemi arritur deri më tani. Unë besoj se e kemi merituar dhe meritojmë integrimin, por e rëndësishme është që gjithçka ta shohim në mënyrën e integrimit dhe realizimit të përpjekjeve. Procesi i integrimit është një proces partneriteti e bashkëpunimi. Jo vetëm që ka pasur partneritet, por ka pasur edhe investimeve në kuptimin financiar, teknik, si dhe në kuptimin e procesit.
 
Mendoni se është faji i ne shqipatarëve që nuk morëm statusin?
Nuk duhet të shihet në kuptimin e fajit, por në kuptimin e një procesi dimensional. Nëse vendimmarrësit e një procesi të tillë gjykojnë se një kohë tjetër do të jetë koha e përshtatshme që ky hap, apo stad të formalizohet, besoj se duhet të fokusohemi në mbushjen e kësaj hapësire me angazhime. Ky është një proces që ecën në dinamikën e tij. Nuk ka stopuar.
 
A mendoni se në rastin e shqiptarëve në Bruksel kanë parë gjysmën bosh të gotës, e në vende të tjera gjysmën plot?
Unë mendoj së është shumë e rëndësishme të shohim gotën tonë më parë. Dhe e rëndësishme është të shohim gotën plot dhe të vazhdojmë ta mbushim dhe të mbetemi të angazhuar tek bashkëpunimi i dyanshëm. Të fokusohemi tek detyrimet tona, anagazhimet, kontributet, arritjet. Nëse ka momente në të cilat pritshmëritë tona nuk realizohet, pasi edhe unë kam pasur pritshmëri se Shqipëria do ta merrte statusin, por momenti në të cilin ne ndodhemi nuk na justifikon që ne të shohim pas. Bëhemi më të besueshëm nëse reflektojmë ndaj vetes dhe shohim përpara.
 
A keni pasur ndonjë informacion që nuk është bërë publik? A ndani të njëjtin informacion me atë që tha kryeministri Rama, për reagimin e Hollandës, Anglia, Franca, etj.
Qendrimi më dobiprurës për Shqipërinë dhe vendimin e qershorit është të shohim se çfarë na është rekomantuar dhe të konsolidojmë arritjet që kemi. Ky është një objektiv i gjithë shoqërisë. Duhet ta shohim në këndvështrimin më pozitiv të mundhsëm dhe duhet të mbizotërojë angazhimi ynë.
 
Ju si politikan i vjetër në karrierë, në kontaktet që keni me ndërkombëtyarët a keni vënë re një lloj paragjykimi të tyre, ndaj shtetasve shqiptarë që i përkasin besimit mysliman?
Absolutisht jo. Dhe unë besoj se ne nëse e trjajtojmë në këtë këndvëstrim vetëm krijojmë një problematikë të paqenë për veten tonë. Ne që jemi sot kemi qenë para 5, 10, 20 vitesh e me radhë. Po ky kompozim besimi ka qenë edhe kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, apo liberalizimi i vizave. Ajo që është më e rëndësishmja, po ka pasur diskutime rreth çështjeve të besimit në Shqipëri, por ka qenë në një kontekst interesant, lidhur me harmoninë fetare. Madje kërkojnë që ne ta përçojmë këtë vlerë, ku në një vend të vogël ka një harmoni dhe tolerancë të tillë fetare. Ngarkesa të tilla për komunitete të caktuara fetare mund të kthehen në një proces të dëmshëm për Shqipërinë. Shqipëria me këtë realitet që ka, ka pasur arritje konkrete që kanë ardhur po nga anëtarët e kësaj familje. Është shumë herë më e rëndësishme që të fokusohemi tek ajo që ne mund të arrijmë më tej, dhe mundësitë janë. Duke e forcuar gjithnjë e më shumë këtë lloj qasje ne përshpejtojmë edhe fazat e tjera.
 
Si e gjykoni mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Shqipëri-Kosovë në qytetin e Prizrenit? Ju e mbështesni atë çfarë ndodhi në Prizren?
Nuk e shikoj si një show mediatik, por nuk shkoj në eurofinë ta shoh si një ngjarje historike. Është një eveniment që duhet të ndodhte dhe duhet të vijojë. Është një hap shumë i rëndësishëm. Unë do të kërkoja që ky lloj bashkëpunimi të vijonte me një lloj mentaliteti konkret të bashkëpunimit, e sidomos në një nga fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit, atë ekonomik. Do inkurajoja të dyja qeveritë të vijonin këtë bashkëpunim, por të konkretizoheshin këto takime në projekte konkrete, hapa dhe vendime konkrete. Do doja që këto të pasqyroheshin në ekonomi, tregti, investime, etj. Është një hap për tu përshëndetur, një ide që tashmë ka nevojë për konkretizim. Besoj që gjërat e ecin në drejtimin e duhur.
 
E nisëm nga marrëveshja e interkonjeksionit. Mendoni se duhej nisur nga ky projekt? Çfarë projekte të tjera strategjike do sugjeroni?
Ky ka qenë një projekt në diskutim prej kohësh, dhe shumë mirë që u konkludua. Bashkëpunimi energjitik është një pakt që duhet mbështetur. Besoj se duhet të fokusohemi edhe tek infrastruktura energjitike, dhe të realizohen projekte që edhe bashkimi Europian mund të ketë intreres për t’i mbështetur financiarisht. Investimet në bujqësi dhe turizëm mund të jenë fusha të tjera investimi me interes.
 
Gjatë javës së kaluar një nga titujt kryesorë të edicioneve të lajmeve dhe gazetave ka qenë devijimi i lumit Radika. Mendoni se ishte një zhurmë mediatike apo ka vend për t’u shqetësuar?
Unë pata një takim me ministrin e Jashtëm maqedonas, dhe ndër të tjera biseduam edhe për çështjen e Radikës. Nuk kam informacione më të detajuara. Kam kërkuar me shkrim informacione nga Ministria e Jashtme, dhe jam ende në pritje të informacioneve më të detajuara, por në këtë pikë do të thoja se i duhet kushtuar vëmendje preokupimit qytetar. Qeveria ka bërë shpjegimin e saj. Më sa kam dëgjuar ditëtë e fundit është duke u ahrtuar një projekt i cili parashikon zhvendosje të burimeve në Radikë. Tani flitet për impakt të dëmshëm dhe të padëmshëm. Në gjykimin tim, dhe çka do i kërkoja qeverisë shqiptare, ka të bëjë me faktin se kjo çështje duhet të ndiqet me kujdes dhe duhet të mbrohen interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Çdo projekt i cili mund të sjellë shkrurtimin e resurseve ujore nuk duhet të lejohet pasi e bën jetesën e një komuniteti të pamundur. Preokupimi që kanë qytetarët nuk është i pavend, duhet vlerësuar. Qeveria shqiptare edhe në kuadnër të konvenstave ndërkombëtare dhe interesave që ka, duhet ta ndjekë me vëmendje.

Një tjetër problem që kemi patur me fqinjët është delimitimi i kufirit detar. Ministrja e linjës ishte në Athinë. A dini për çfarë është diskutuar?
Jemi dy vende fqinje në çështjen e kufijve të ujërave detare, është çështje që në bazë të konventave ndërkombëtare por edhe të detyrimeve që ka secila palë duhet të gjejë zgjidhje, që është përmes negociatave. Besoj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çështja është më e qartë në vijimin e negociatave. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është detyrim për palën shqiptare për t’u respektuar. Jam i bindur që do të respektohet pjesa proceduriale, atë që i kërkohet nga Presidenti i Republikës. Çdo ekip negociator ka përveç pjesëve që parashikon konventa. Mbi të gjitha te ky ekip do të orientohemi nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që me sa kam parë elaboron mirë të gjithë çështjet që duhen trajtuar.
 
Problemi është se gjithë qeveritë, si të majta, si të djatha, 20 vitet e fundit, atë pjesë të programit e kishin të gjitha njësoj. Kur flitet për fqinj, partnerë startegjik kemi Greqinë, Italinë. Edhe Turqia shihet si partner startgik të Shqipërisë. Si e shihni është realisht Turqinë?
Së pari, përsa i takon politikës së jashtme është e vërtetë ajo që thatë që Shqipëria ka pasur politikë konstante të jashtme të pandryshuar, nëse ka pasur një pikë ku opozita dhe pozita pavarësisht raporteve, se cila forcë në poziitë ose opozitë, kanë pasur pikë të përbashkët përsa i takon politikës së jashtme të Shqipërisë. Përsa i përket çështjes të partneritetit strategjik në këndvështrimin tim si kreu i shtetit shqiptar i mbetem asaj që ka pasur e ka Shqipëria sot, e jam i bindur se nuk do të ndryshojë, që objektivi strategjik i Shqipërisë është integrimi euroatlantik, një nga gjërat që është realizuar që është anëtarësimi në NATO me partner kryesor SHBA-në. Jemi drejt hapit të dytë, anëtarësimit në BE, partner strategjik është BE dhe shtetet që ju përmendët janë pjesë e kësaj familjeje. Besoj se Turqia ka qenë e mbetet mik i veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët, me të cilën kemi marrëdhënie e lidhje tradicionale bashkëpunimi, jo vetëm si dy vende anëtare të NATO-s. Turqia ka qenë përherë mike e veçantë e shqiptarëve. Politika e jashtme e Shqipër ka rrugëtimi euroatlantik.
 
I referohemi çështjes kur kryeministri Rama i tha JO projekt-propozimit nga Xhon Kerri për lëndët kimike. Si kryetar shteti keni parë pasoja kur i keni thënë Departamentit të Shtetit të SHBA, kur disa besojnë se është i vetmi rast kur kishin nevojë për ne?
Jo vetëm nuk kam parë por nuk mund të ketë pasoja, marrëdhënia e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe SHBA është e konsolisuar përgjatë 100 viteve. Jam i bindur se do të lidhemi dhe më shumë. Jemi dhe duhet të jemi mirënjohës SHBA-ve për qëndrimet jetësore që ka mbajtur në dobi të interesit kombëtar shqiptar, të vetë shqiptarëve gjatë gjithë kohës. Kjo kërkon padyshim angazhime që Shqipëria i ka pasur, siç është për shembull kur i ka dalë në krah SHBA në konfliktet në Irak apo Afganistan. Shqipëria është dhe do të mbetet partnere shumë e ngushtë e SHBA në luftën kundër terrorizmit, në garantimin e paqes dhe lirisë në botë. Rasti që përmendet është rast që nuk është se ka lënë shije pozitive por nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve.
 
Nëse do të ishit ju kryeministër ç’vendim do të merrnit?
Do të ishte spekulim të flisja për një vendim hipotetik se askush nuk mund ta verifikojë tani këtë, por ajo që kam deklaruar dhe i qëndroj mendimit është që ishte proces që nga ana jonë mund të ishte menaxhuar më mirë. Qeveria shqiptare e mori vendimin e duhet respektuar e nuk kemi pse i kthehemi e mbajmë qëndrime. Është një moment që nuk ndikon në partneritetin strategjik me SHBA. Patjetër, sprova të tjera kemi përpara dhe jam i bindur se Shqipëria do të konfirmojë këtë qëndrim ndaj aleatit tonë më të madh.

Ndalemi tek shkarkimi i Zana Xhukës. Jeni i përfshirë në këtë proces sepse është një emërtesë e përbashkët juaja dhe e parlamentit, do të firmosni një emër të ri për të zëvendësuar Zana Xhukën?
Nuk ka ardhur ky moment në Presidencën e Republikës. Është akoma çështje e parlamentit.
 
Ju do të bëheni pjesë e zëvendësimit të procesit të saj apo do të ketë ngërç?
Presidenca nuk bëhet pjesë e asnjë projekti jashtë institucionit. Jam i detyruar të ndjek Kushtetutën dhe ligjet e vendit. E vetmja marrëdhënie që Presidenti i Republikës ka si institucion, do të ndjekë çfarë Kushtetuta parashikon për Pesidentin e Republikës deri më sot.
 
Një tjetër, shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, për të cilin z. Braho shprehu se do të ngrihet komision për të hetuar punën e do të kërkojnë shkarkim nëse gjenden shkelje. Nëse kryeministri aktual ju kërkon të largohet shefi aktual i SHISH, si do të vepronit?
Nuk ka qenë deklaratë e imja siç e cituat. Mesa mbaj mend qëndrimi im i pandryshueshëm është se nuk mund të jetë pengesë për funksionin e qeverisë. Në rastin e drejtorit të SHISH natyrisht ka pasur procedurë që është bazuar në radhë të parë mbi argumentet e kryeministrit të kohës, që për mua janë gjendur të bazuara. Plus që Drejtori i Shërbimit kishte kohë të gjatë që kishte shërbyer në atë institucion. Nuk di ç’ka deklaruar deputeti që përmendët. Çështja e deklaratave të deputetëve është në tagrin e tyre. Ajo që mund të them deri më sot për SHISH dhe drejtuesin e saj ka të bëjë me vlerësimin maksimal të punës që ata kanë kryer dhe po kryejnë. Natyrisht që aktiviteti i SHISH është ai që ka veçori specifike shumë të veçantë ndaj të cilit të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm. Janë fusha që kanë ekspertizë shumë të mirë dhe që arrijnë rezultate konkrete por kërkojnë angazhim maksimal.
 
Vërtet i ka luftuar SHISH aktual çështjet e nevojshme?
Unë nuk kam konstatuar deri më sot asnjë akuzë nga opozita ndaj shërbimit. Mbeten për t’u parë se në çfarë këndvështrimi janë. Shqipëria nuk ka qeliza islamike.
 
Ju do t’i thoni jo siç i tha zoti Topi kryeminstrit të meparshëm Berisha? Apo nuk do t’i beheni pengesë qeverisë aktuale në detyrën e saj?
Besoj se duhet të respektohet pavarësia e institucioneve. Pavarësia e tyre është jetësore për suksesin dhe garantimin e sigurisë kombëtare. Sa i përket tagrit kushtetues të Presidentit ai është mjaft i qartë i parashikuar në kushtetutë dhe ligj. Vulneti i presidentit do jetë i palëkundur në interes të sigurisë kombëtare dhe të qytetarëve shqipatre, dhe të mirëfunksionimit të institucioneve të shtetit. Asgjë tjetër jashtë këtyre nuk mund të ushtrojë ndikimin e vet tek sjellja institucionale e Presidentit.
 
Përse po rrëzohen në gjykatë dosjet e korrupsionit? A mendoni se drejtësia është një lloj mburojë politike për korrupsionin?
Nëse do të flisnim për dosje konkrete unë do të doja të diskutonim për emra konkretë për të qenë më të saktë. I gjithë pushteti nuk mund të jetë as tek një njeri, as tek një forcë e caktuar politike. Në rastin e kreut të Bashkisë Kamëz ka akuzë të ngritur dhe i takon gjyqësorit. Nuk ka shpallje për fajësinë ose pafajësinë e vet, çfarë ka vendosur gjykata nuk mund të them mirë apo keq, është vendimi i gjykatës. Nuk mund të bëhet arrest me burg. Por kjo është çështje interpretimi gjyqësor por është tërësisht e drejtë e gjykatës, që të plotësojë hetimin gjyqësor. Do ta inkurajoja të hetonte me ndershmëri brenda konturës ligjore. Që çdo rast abuzimi dhe korrupsioni të dënohet. Le të edukojmë veten me proces të rregullt ligjor. Po synojmë të shkojmë në Europë. Kjo ka të bëjë me mënyrën e sjelljes sonë. Gjithçka është te standardet. Do të ketë kosto e pakënaqësi, po të shkojme te to, ta inkurajojmë drejtësinë. Vetë drejtësia, qytetarët kanë pritshmëri nga gjyqtarët, këto janë tregues i përgjegjshmërisë dhe ecjes para.
 
Gjykatat e kanë bërë si duhet detyrën apo janë sekt i pandikuar nga politika dhe opinioni publik që japin vendime herë në influencën e atyre që i kanë emëruar herë të bakshisheve?
Nuk kemi situatë për t’u admiruar në sistemin tonë të drejtësisë, por i qëndroj bindjes sime se sistemi ynë i drejtësisë funksionon. Herë-herë ka probleme serioze. Ka gjyqtarë që duke qënë pjesë e KLD që nga niveli profesional nuk e meritojnë të jenë pjesë e sistemi të drejtësisë, e gjyqësorit. Vetëm gjatë 2013, dy gjyqtarë janë përjashtuar përfundimisht nga sistemi. Garancia qëndron te procedura. Nëse procedura dhe mekanizmi ligjor injorohet nga individi kemi të bëjmë me problem më të madh se sa korrupsioni i një gjyqtari.

Ministria e Drejtësisë ka një paketë ligjore që e konsideron të tipit antimafia. E mbështesni atë?
Unë nuk jam njohur në detaje me këtë draft të këtij akti. Natyrisht që e kam ndjekur përmes medias dhe diskutimeve në Komisionet pParlamentare. Ajo që e shoh me shqetësim ka të bëjë me qëndrimin ndaj disa strukturave me të cilat, me të drejtë jemi mburrur, siç janë ndërtimi dhe funksioni ndaj Task-force kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Kam eksperiencë personale. Këto njësi jo vetëm janë ngritur me ekspertizën më të mirë të SHBA-ve, që kanë përvojë të mirë me fenomene të tilla, por janë njësi, ndoshta të vetme që kanë realizuar përfshirjen brenda saj të disa institucioneve. Kanë pasur brenda shërbimin inteligjent, policinë e shtetit e një sërë institucionesh që kanë gjetur terrenin e bashkëpunimit. Nëse një akt apo draft do të na çonte drejt dobësimit, të këtyre njësive, drejt reduktimit, kapsulimit të ekspertëve dhe për ta elaburuar më tej eksperiencën e sotme, do të ishte shqetësuese. Kur të kem njohje me aktin do të mbaj qëndrim zyrtar.
 
Rreth 2/3 e gjykatësve janë të komanduar, pse nuk i emëron ata KLD por i lë në gjendje pezull?
Nuk është që në këtë të gjykatave kemi njerëz të komanduar. Duhet të jetë dikush që të ketë fuqinë ligjore të plotë, jo se nuk kanë ata. Kam dëgjuar për këtë dhe është një debat i tërë politik i padrejtë në kurriz të KLD se KLD aktualisht po kryen brenda një afati 1-vjeçar punën e pakryer për 5, 6, 7 vite me rradhë. Një nga gjërat kryesore që i kam kërkuar KLD si kryetar ka qenë nuk do të bëjë me KLD promovime pa pasur vlerësimin. Ne do të fillojmë të konsolidojmë mentalitetin e respektimit të ligjit. KLD në fillimet e vitit qëshkoi ka gjetur një praktikë vlerëismi për 15, 16 gjyqtarë. Në fund e kishte këtë për të gjithë gjyqtarët. Në fillim të këtij viti jemi gati për vlerësimin e periudhës së dytë. Nëse anëtarët e KLD mblidhen fillojnë punën në 11 paradite e përfundojnë në 12 të natës, kam respekt. Nuk ka ndodhur më parë të punonte me kaq seriozitet. Procesi është tërësisht i bazuar në ligj. I kam kërkuar KLD një angazhim shumë serioz, kam kërkuar KLD që e gjithë praktika e kaluar që ka nevojë për vlerësim të rishihet
 
Ju kur zgjidhni për të promovuar një gjykatës a shihni një lloj background politik?
Nëse i shohim ashtu kemi bërë një dëm shumë të madh sistemit. Presidenti është i përjashtuar nga votimi në rastin e promovimit të gjyqtarëve. Këto janë çështje që i mbeten qasjes individuale, është e rëndësishme që ne të kemi një proces transparent.
 
Në Parlament po kërkohet të diskutohet reforma për një ndarje të re administrative-territoriale. Oapozita ka vendosur disa kushte. Ju mendoni se kërkesat e opozitës janë të duhura?
Ky është një debat që zhvillohet midis forcave politike. Presidenti i republikës duhet të distancohet nga ndërhyrja në këtë debat. Çështjet që partitë politike kanë, duhet t’i zgjidhin përmes procesit. Por mendoj se në raste të tilla konsensusi është i pashmangshëm. Nuk mundem të gjykoj as qeverinë as opozitën. Për mua si parim në reforma të tilla që kanë impakt në aspektin territorial, e përsëris se konsensusi është i pashmangshëm.

Redaksia Online
(e.s/b.g/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë

Izraeli bombardon Gazën veriore! 50 të vdekur mes tyre edhe 5 mjekë