TIRANE, 21 Nentor/ATSH/-Në kuadër të Samitit të VI të Këshillit Atlantik për Energjinë dhe Ekonominë në Stambol, Presidenti Nishani takoi Kryetarin e Këshillit, Jon Hunstman.
Kreu i Shtetit u ndal në rolin e veçantë gjeopolitik që Shqipëria ka luajtur dhe do të vijojë të ketë në rajonin e Ballkanit duke shprehur angazhimin maksimal për të punuar dhe kontribuar për një rajon të paqtë, për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, përmes bashkëpunimit dhe dialogut me vendet fqinjë dhe ato të këtij rajoni.
Gjithashtu, Nishani pati një takim veçantë me Zëvendëspresidentin e Korridorit të Jugut, Joe Murphy dhe Drejtorin Ekzekutiv të Projektit TAP, Kjetil Tungland.
Kreu i Shtetit theksoi se TAP, duke qenë pjesë e Korridorit të Jugut, mundëson jo vetëm diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz natyror të Evropës, por sot më shumë se kurrë në Evropën e bashkuar të pas rënies së Murit të Berlinit, kontribuon në rritjen e nivelit të sigurisë dhe të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe të mbarë kontinentit.
Presidenti Nishani evidentoi edhe njëherë vullnetin dhe vendosmërinë e palës shqiptare për të mbështetur këtë projekt, duke shprehur shpresën se pas përfundimit të projektit inxhinierik do të procedohet në kohë me implementimin e mëtejshëm të projektit./a.g/









