Nishani uron Krishtlinjen: Paqja
e mirësia mbizotërofshin kudo

Nishani uron Krishtlinjen: Paqja<br />e mirësia mbizotërofshin kudo
Presidenti Bujar Nishani përmes një mesazhi publik uron të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes. “Me rastin e Ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’u shpreh të gjithëve urimet më të mira e më të përzemërta në këto çaste të lumtura! Dita simbol e lindjes së Krishtit rizgjon në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, kur bashkojnë përpjekjet për të ngritur lart vlerat më sublime e më fisnike fetare dhe njerëzore,” shkruan Nishani.
 
Presidenti në këtë ditë të shënuar shpreh urimet e tij edhe për njerëzit në nevojë, ndërsa lutet për më shumë paqe. Nishani po ashtu nuk lë pa kujtuar edhe tragjeditë e ndodhura nëpër botë, duke shpresuar që paqja dhe e mira të triumfojë mbi të keqen.
 
 
Urimi i plotë i Presidentit Nishani
“Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ndodheni!
 
Në këtë prag Krishtlindjesh, besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe kudo në botë janë duke u përgatitur për të festuar mrekullinë e lindjes së Jezu Krishtit.
 
Me rastin e Ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’u shpreh të gjithëve urimet më të mira e më të përzemërta në këto çaste të lumtura! Dita simbol e lindjes së Krishtit rizgjon në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, kur bashkojnë përpjekjet për të ngritur lart vlerat më sublime e më fisnike fetare dhe njerëzore.
 
Sonte urojmë familjarët, të afërmit, miqtë e të njohurit e krishterë ashtu siç kemi bërë prej shekujsh e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.
 
Në këtë ditë të bekuar, mendimi dhe lutjet tona shkojnë për njerëzit më me pak fat e në nevojë, të cilëve më shumë se kushdo u duhet ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore.
 
Le të përpiqemi t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet të vetmuarve, të braktisurve, të pamundurve e të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim!
Le të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin, duke qenë prindër, fëmijë, miq, fqinjë dhe qytetarë të mirë, duke mbështetur e zhvilluar komunitetin ku secili prej nesh jeton dhe punon.
 
Këtë vit nën shkëlqimin e dritave të Krishtlindjeve shohim me dhimbje errësirën e akteve terroriste që tronditën Evropën, luftërat që shkatërruan Sirinë e largët, klithmat e emigrantëve që humben jetën deteve dhe oqeaneve; dhe shpresojmë e lutemi që paqja dhe mirësia të mbizotërojë zemrat e njerëzve kudo që janë.
 
Uroj që gjithë bota mbarë të bashkojë forcat, mendjet, shpirtrat e të bëjë përpjekje maksimale për të shpëtuar njerëzimin nga e keqja!
E gabuara dhe e keqja le të dështojnë dhe e drejta të triumfojë!
 
Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjet dhe jua uroj sa më të paqta e të mbara e në shëndet e harmoni të plotë të shpirtrave, zemrave dhe trupave!”

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Pse po tërhiqen kandidatët e Partisë Demokratike?



×

Lajmi i fundit

Arbri ironizon Oltën: Do qash dhe për neve si për Amosin? Kristi: Do fillojë teatri

Arbri ironizon Oltën: Do qash dhe për neve si për Amosin? Kristi: Do fillojë teatri