Nishani vlerëson “Nder i Kombit”
Loro Boriçin e Prokop Mimën

Nishani vlerëson “Nder i Kombit” <br />Loro Boriçin e Prokop Mimën
TIRANE - Presidenti i vendit, Bujar Nishani, në këtë fundvit ka nderuar pas vdekjes me titullin “Nderi i Kombit” ikonën e futbollit shqiptar, Loro Boriçin dhe Artistin e Merituar Prokop Mima.

Nishani u shpreh se vlerësimi i veprave të këtyre përfaqësuesve të spikatur të artit, kulturës e sportit edhe pse është modest krahasuar me kontributin e tyre, shpreh respektin dhe mirënjohjen e të gjithë shqiptarëve, “pasi veprat e tyre pasqyrojnë një pjesë të historisë së kombit tonë e si të tilla ato janë pasuri kombëtare.”

Në ceremoninë e organizuar u vlerësuan edhe dhjetëra artistë e personalitete të njohura të artit e kulturës në vend. Me titull “Mjeshtër i Madh” për kontributin e dhënë në fusha të ndryshme të artit e kulturës u nderuan regjisori Mihallaq Luarasi, gjuhëtari Kolec Topalli ,aktori Rikard Larja , shkrimtari Fatos Kongoli, këngëtarja Justina Alija etj.

Sipas kreut të vendit, nderimi i personaliteteve të artit e kulturës në fundvit duhet të kthehet në një traditë të përvitshme për të treguar mirënjohje ndaj atyre që janë elita reale e kombit dhe vendit tonë.

Në këtë kontekst, Presidenti Nishani propozoi që nderimi i njerëzve të artit, kulturës dhe sportit të kthehet në një traditë të përvitshme festive.

“Le të nisim një traditë që në çdo fundviti së bashku me urimet për festat e fundvit, le të ndajmë edhe këtë vlerësim e këtë mirënjohje për përfaqësues të botës së artit e kulturës shqiptare. Besoj që është një mundësi modeste, por një mundësi reale për të shprehur vlerësimin, falenderimin, mirënjohjen dhe mbi të gjitha, për t’i rikujtuar njëri-tjetrit të gjithë shoqërisë, të gjithë aktorëve të shoqërisë, çdo qytetari se sa i rëndësishëm është kontributi i këtyre njerëzve, se sa të mëdha janë vlerat që përmes jush i transmetojmë ndër kohë, ndër vite, ndër shekuj historisë sonë. Veprat tuaja janë pjesë e kësaj historie. Bashkë me urimin dhe vlerësimin për punën dhe kontributet tuaja, më lejoni të përfitoj nga rasti që në këto ditë të pritjes së ardhjes së Vitit të Ri të uroj për secilin prej jush, në radhë të parë një jetë të gjatë, një jetë të lumtur! Të uroj për secilën nga familjet tuaja shumë gëzime, paqe dhe mbarësi! Të uroj gjithsesi sa më shumë vepra, sa më shumë kontribute!”, vlerësoi Presidenti i Republikës.

DEKORIMET


Loro Boriçi (pas vdekjes) me Urdhrin “Nder i Kombit”, me motivacionin: “Me përkushtim të rrallë, duke e konsideruar sportin si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë me talentin e tij të rrallë, ai ishte dhe mbetet ikona e futbollit shqiptar.”

Prokop Mima (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Njëri nga themeluesit e Teatrit Kombëtar, i cili vuri talentin, kulturën e diksionin e tij të përsosur në shërbim të artit skenik dhe të teatrit shqiptar duke simbolizuar shprehjen e një mjeshtrie interpretuese të pashoqe.”

Zotin Mihallaq Luarasi me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit të palodhur i teatrit, i cili nuk u tërhoq as përballë dhunës së diktaturës duke e përdorur artin skenik si tribunën prej nga duhet të ushtojnë të vërteta dhe vlera universale”.

Zotin Kolec Topalli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Në saje të vullnetit për t’i shërbyer me përkushtim studimit të gjuhës sonë, i ka çuar më tej dhe i ka ngritur edhe më lart studimet në fushën e gjuhësisë, me thjeshtësinë dhe vetëdijen e një shkencëtari të mirëfilltë.”

Zotin Rikard Ljarja me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Me larminë e interpretimeve të tij të përkryera, sidomos në kinematografi, ai është shndërruar në njërin nga aktorët më të adhuruar e mbresëlënës të filmit shqiptar dhe skenave teatrore.”

Zotin Fatos Kongoli me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Shkrimtarit që trajton me mjeshtri anë të ndryshme të jetës sonë shoqërore. Veprat e tij me nivel të lartë letrar, të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, kanë pasuruar botën e krijimtarisë letrare shqiptare.”

Zonjën Justina Alia me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Aktores dhe këngëtares së talentuar, e cila në saje të pasionit dhe forcës shpërthyese interpretuese shkëlqeu në skenën artistike shqiptare si një meteor i shndritshëm.”

Zotin Alush Shima me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Mjeshtrit virtuoz të penelit dhe shpërthimit të ngjyrave të gjalla, i cili rindërtoi në kanavacë realitetin e tij pamor duke i shpalosur mbarë botës një Shqipëri krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist.”

Zotin Visar Zhiti me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Poetit, prozatorit dhe publicistit, i cili me sinqeritetin e rrëfimit dhe me forcën e shprehjes artistike shquhet për dhuntinë e fjalës, duke u bërë një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit.”

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë, kush është kryeprokurori i Vlorës që u kap nga SPAK