Kanë nisur sot në Durrës punimet për modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve, bëri të ditur ministri Karakaçi përmes një postimi në Facebook.

Sipas ministrit, projekti mbështetet me rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, të cilin ai e cilëson si grantin më të madh të dhënë nga BE-ja për një projekt në Shqipëri. Financimi do të kombinohet me atë të Agjencisë Franceze për Zhvillim.

“Një projekt i mbështetur me grantin më të madh të dhënë nga Bashkimi Evropian për një projekt në Shqipëri, janë rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, ku së bashku me financimin e Agjencisë Franceze për Zhvillim do të mundësojnë modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotur dhe rehabilitimin e rrjeteve të kanalizimeve në Durrës. Kjo është dëshmi e qartë e përftimeve nga hyrja në Bashkimin Evropian dhe këto financime do vijnë duke u zgjeruar çdo vit që ne afrohemi drejt Bashkimit Europian. Por kjo është vetëm faza e parë. Faza e dytë e projektit parashikon zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet dhe në zonën e Porto Romanos, Spitallë, ku përsëri mbështetemi nga Bashkimi Evropian, i cili financon përmes grantit rreth 2/3 e vlerës së investimit. Në total, projekti parashikon rreth 113 kilometër rrjete të reja, 4 stacione pompimi dhe rreth 13 mijë lidhje të reja kanalizimesh. Përgjatë tre viteve të ardhshme 2027–2030, kemi gati financimin e projekteve të trajtimit të ujërave të ndotur me vlerë 330 milionë euro. Ky projekt dhe këto financime janë dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për investimin në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura" tha Karakaçi në rrjete sociale