Qyteti i Pogradecit mbetet një nga destinacionet e preferuara për turistët dhe vendasit. Kryetari i bashkisë, Ilir Xhakolli në një lidhje të drejtëpërdejtë në ‘Sot Live në Shqipëri’ tha se turistët që mbizotërojnë janë ata francez dhe gjerman. Pavarësisht numrit të shtuar të vizitorëve Xhakolli thotë duan që të kenë më shumë turistë në qytetin e tyre.

“Sezonin ne e kemi filluar që në prill, mbizotërojnë turistët gjermanë dhe francezë. Nuk është në volumin e vizitorëve, por pretendojmë të kemi më shumë. Vitin e kaluar patëm 452 mijë turistë.  Në Pogradec gërshtohen të gjitha, përfshirë kulinarinë dhe mikpritjen. Ne duam edhe turizëm elitar për t’i ardhur në ndihmë bizneseve”, tha Ilir Xhakolli.

Më tej Xhakolli shtoi se për pushuesit që zgjedhin Pogradecin ata kanë 60% hapësirë publike dhe 40% privat.

“Po punojmë të fusim edhe hidroplanët për ata që vijnë nga vendet fqinje. Ne kemi 60% plazh publik dhe 40% privat. Sa kemi përfunduar fazën e parë të projektit në Drilon, që është shndërruar në një atraksion turistik”, theksoi ai.

Ndërsa nënvizoi  se janë qyteti më i pastër në të gjithë vendin, Xhakolli tha se pretendon që turizmi të jetë në të katër stinët në Pogradec.

“Të gjitha mbeturinat te liqeni vijnë nga pjesa jonë dhe kjo është një kosto e shtuar. Ne kemi marrë masa për pastrimin e qytetit. Ne jemi një nga bashkitë më të pastra në Republikës dhe kjo është një kosto shtesë për ne.  Ne pretendojmë që turizmi te ne të jetë në të katër stinët. Fundjavat tek ne janë të mbushura plot, piku është 15 korrik deri në fund të gushtit –kryesisht shqiptarë. Të huajt rrinë deri në tetor”, tha ai.

Në fund  Xhakolli theksoi se dëshirojnë që deri në 2029-ën synojnë që t’i kalojnë 1 milionë tursitë.

“Pretendojmë që deri në 2029 të kalojmë 1 milionë turistë. Ne kemi 33 km breg liqenor, të cilin nuk e e kemi shfrytëzuar të gjithin. Në vjeshtë fillon projekti që bëhet shëtitorja e Pogradecit dhe lidhet me projektin Drilon-Tushemisht. Ne duam të zhvillojmë turizmin edhe në fshatrat turistikë, se në këti fshatra ka shumë banesa që janë blerë nga turistë dhe të huaj”, përfundoi ai.