Këtë të premte do të nisin punimet e reja infrastrukturore dhe estetike në segmentin rrugor nga ish-Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit, çka do të shoqërohet me devijim të përkohshëm të trafikut në autostradën Tiranë-Durrës.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), ndërhyrjet kryhen në kuadër të projektit “Plotësimi i punimeve dhe përmirësimi estetik nga ish-Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit”.
Projekti parashikon ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët, gjelbërimin e segmentit, realizimin e sistemit të ndriçimit rrugor, si dhe “përmirësimin e shtresave asfaltike në segmentin nga ish-Sheshi Shqiponja deri në pikën e lidhjes me autostradën e re”.
Për shkak të ndërhyrjeve në terren dhe në zbatim të planit të menaxhimit të trafikut, ARRSH bën me dije se “do të bëhet devijimi i përkohshëm i njërës prej korsive të qarkullimit në autostradën Tiranë-Durrës, duke garantuar vijimësinë e lëvizjes së mjeteve në korsitë e tjera të disponueshme”.
Njoftimi i plotë
Autoriteti Rrugor Shqiptar vijon zbatimin e projektit “Plotësimi i punimeve dhe përmirësimi estetik nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit”, i cili synon plotësimin e elementeve infrastrukturore dhe përmirësimin estetik të këtij aksi rrugor.
Në kuadër të këtij projekti, duke filluar nga data 13.11.2026, do të nisin punimet e parashikuara, të cilat përfshijnë ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët, gjelbërimin e segmentit rrugor, realizimin e sistemit të ndriçimit rrugor, si dhe përmirësimin e shtresave asfaltike në segmentin nga Sheshi Shqiponja deri në pikën e lidhjes me autostradën e re. Gjithashtu, do të realizohen edhe punime të tjera të parashikuara në projekt.
Gjatë zhvillimit të punimeve, në zbatim të planit të menaxhimit të trafikut, do të bëhet devijimi i përkohshëm i njërës prej korsive të qarkullimit, duke garantuar vijimësinë e lëvizjes së mjeteve në korsitë e tjera të disponueshme.
Kontraktori ka marrë masat e nevojshme për organizimin e trafikut, vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe zbatimin e të gjitha masave të sigurisë rrugore, me qëllim garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe të personelit që në kantier.
Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve gjatë zhvillimit të punimeve, si dhe respektimin e sinjalistikës së përkohshme dhe udhëzimeve të punonjësve në terren.










Komente
Komento