Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi ka uruar të gjithë nxënësit për vitin e ri shkollor që do të nisë nesër. Ajo thotë se në këtë vit të ri shkollor është ndërtuar dhe vënë në funksion kopshti dhe çerdhja “Njomëzat”, për banorët e lagjes 5 dhe 3. Voltana ka përmendur edhe pandeminë e COVID-it, duke bërë thirrje se është e domosdoshme të respektohen rregullat për tu mbrojtur.
"Të dashur bashkëqytetarët e mi, Në këtë vit të ri shkollor dua të uroj të gjithë për mbarësi e suksese! Ndërtimi i shërbimeve të reja dhe fuqizimi i shërbimeve komunitare ekzistuese ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet tona kryesore. Kemi vlerësuar me shumë kujdes shtrirjen cilësinë e shërbimeve komunitare në territor, duke dëgjuar nevojat tuaja për kopshte, çerdhe, qendra shëndetësore, kënde lodrash për fëmijët. Kemi punuar fort dhe me shumë dëshirë për të fuqizuar kopshtet dhe çerdhet ekzistuese por edhe kemi projektuar e ndërtuar institucione të reja për fëmijët tuaj. Kopshtin “Ismet Sali Brucaj” e kemi rikonstruktuar krejtësisht dhe kemi ndërtuar një fushë të hapur sportive për fëmijët. Në kopshtin “Bep Tusha” kemi sistemuar oborrin dhe kemi ngritë këndin e lojërave shumë të nevojshëm për fëmijët. Në kopshtin “1 Qershori” kemi kryer punime rikonstruktuese në ambientet e brendshme, kemi pajisur dhe mobiluar këto mjedise duke shtuar kapacitetet e kopshtit me 2 grupe të reja. Gjithashtu sapo kemi sistemuar oborrin duke ngritur këndin e lodrave. Rrugëtimi ynë filloi me ngritjen e kopshtit të ri në shkollën “Edith Durham”. Shtatorin e vitit të kaluar, në fillim të vitit të ri shkollor inauguruam kopshtin dhe çerdhen e re “Ngjyrat”, duke përmirësuar më tej nevojat e komunitetit të Lagjes nr. 1. Këtë fillim të vitit të ri shkollor kam kënaqësinë të ndaj me ju lajmin e ndërtimit dhe vënien në funksion të plotë të kopshtit dhe çerdhes më të re në qytetin tonë “Njomëzat”, duke përmirësuar me tej shërbimet komunitare për banorët e lagjes 5 dhe 3. Ne e dimë se nevojat për shërbime më të mira dhe të reja ka përsëri nevojë dhe ne do të vazhdojmë pa u ndalë rrugëtimin tonë. Godina e ish- Shkollës Veterinare është ndërhyrja jonë e radhës. Kemi projektuar dhe do të fillojmë punimet për ndërtimin e kopshtit dhe çerdhe më të re në Bashkinë tonë. Falënderoj mësuesit, edukatorët dhe kujdestarët dhe të gjithë ata që bëjnë të mundur funksionimin e shkollave, çerdheve e kopshteve. Në këto ditë të vështira të pandemisë, është e domosdoshme të respektojmë rregullat për tu mbrojtur nga Covid 19. Sigurimi i vazhdimësisë normale për edukimin dhe shëndetin e fëmijëve tanë është detyrë e përgjegjësi e jona. Ju uroj të gjithëve vit të mbarë shkollor, suksese!", thotë Voltana.