PRISHTINE- Partitë e koalicionit, në shumicë, vazhdojnë të mbajnë qëndrimet se përderisa nuk ka një marrëveshje të re, vazhdon të mbetet në fuqi marrëveshja e 10 qershorit, ku mandatar për kryeministër është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Anëtari i Kryesisë së Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, tha për KosovaPress se liderët e katër partive duhet të ulen , të diskutojnë dhe të gjejnë një emërues të përbashkët se cila është zgjidhja më e mirë për të ecur përpara.

Sherifi tha se, partnerët e koalicionit të madh pas zgjedhor, për çdo gjë që zhvillohet brenda koalicionit, duhet të ulen dhe të bisedojnë në tavolinë me njëri tjetrin para se ti thonë gjërat publikisht.
"Ne mendojmë, apo pozicioni i Nismas është i tillë që të kontribuojnë në çështjen e ndërtimit me çdo kusht të Qeverisë së ardhshme nga koalicioni, duke pasur fokus arsyen dhe qëllimin për çka jemi bërë bashkë në fillim dhe sa i përket kandidatëve për kryeministra, për poste të ndryshme qeveritare, mendoj që liderët katër partive duhet të ulen dhe të gjejnë një emërues të përbashkët se cila është zgjidhja më e mirë për të ecur përpara. Për derisa nuk ka ndodhur kjo, marrëveshja e 10 qershorit vazhdon të mbetet në fuqi. Parimi universal, përderisa nuk kemi një marrëveshje të re, vazhdojnë të jenë në fuqi marrëveshjet e arritura në kohën e cila është", tha Sherifi, për KosovaPress.
Mirëpo, ai nuk ka dashur të thotë nëse do ta mbështesin idenë që LDK ta marr udhëheqjen e Qeverisë, pas vendimit që t'ia votojnë kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit, post ky i cili i takonte LDK-së, me marrëveshjen e 10 qershorit.
Sipas Sherifit, kandidati për kryeministër nuk duhet të quhet i asnjë partie, por i koalicionit të madh që merr mbështetjen e 63 deputetëve.
"Nisma mendon që kandidati për kryeministër nuk mund të quhet as i LDK-së, as i AAK-së, as i Nismas, as i Vetëvendosjes, por i koalicionit, pa mandatari për kryeministër do të jetë i koalicionit, i 63 deputetëve, ai duhet të ketë mbështetjen e 63 deputetëve para se të shkoj të presidentja. Në momentin që përcaktohet emri, pra me marrëveshjen e 10 qershorit, është Ramush Haradinaj, nëse liderët ulen dhe bisedojnë dhe mendojnë ndryshe ai më nuk mund të jetë më i AAK-së, LDK-së, Nismas apo Vetëvendosjes, por do të jetë kandidat i koalicionit", theksoi ai.
Sherifi shtoi se Nisma krejt çka ka për ta thënë do ta thonë brenda Bllokut, e jo përmes mediave, sepse është korrektësi minimale e të gjithë akterëve që të gjitha kërkesat, pikëpamjet, të gjitha mendimet rreth koalicionit duhet të diskutohen brenda dhe jo të komunikohen publikisht përmes mediave.
"Ndoshta nuk do të ishte korrekte që Nisma të mban pozicione ndryshe përderisa nuk është zgjidhur çështja brenda. Kur të zgjidhet çështja brenda atëherë do të dalim publikisht të informojmë publikun se cili është qëndrimi jonë. Pra unë nuk mund t'i them argumentet publikisht se pse duhet njëri, e pse duhet tjetri, pse duhet të bëhen kështu, e pse ashtu, sepse takimet duhet të mbahen gjatë për të ardhur deri të një konkludim i përbashkët", tha Sherifi.
I pyetur se a e ka rrezikuar shpërndarjen e bllokut vendimi për ta votuar kandidatin PDK-së për kryetar të Kuvendit, Sherifi tha se "në asnjë mënyrë nuk e ka rrezikuar".
Anëtari i Kryesisë së Nisma për Kosovën, Bilall Sherifi, bëri thirrje që seanca të thirret sepse është obligim kushtetues dhe kushdo që nuk e bënë këtë do ta shkel rënd Kushtetutën e Republikës së Kosovës./ ATSH/