TIRANE- Nuk m’u desh shumë kohë të përfundoja “Kukullat...” e Flutura Açkës. Një rrëfim për jetën, për punën, për Shqipërinë tonë, për Tiranën e ditëve tona. Një rrëfim për ata që ngjiten foltoreve të kuvendit, ata që brohoriten plateve përpara turmave; rrëfim për vajzat, kudo ato janë, në art, gazetari, biznes...një rrëfim i trishtë i pasqyrës ku shihemi dhe na duket vetja të bukura. Por jashtë këtij realiteti, gjenden duke u përballur me mijëra e mijëra paragjykime antivlerash, që nuk të lejon të dalësh jashtë rrethit vicioz ku gjithë jeta jonë është futur, e ku në përpjekje për të bërë më të mirën, të ikën dëshira se mund të jetosh të vërtetën, e në përpjekje për ta ndryshuar atë, e gjen veten të damkosur, të përcudnuar, të përdhunuar, të poshtëruar, të pashpresë; e gjen veten të lodhur nga ajo çka të rrethon e me të cilën ti merresh nga dita në ditë. 

“Kukullat” e Flutura Açkës në skenën e vendosur prej saj nuk janë vetëm të tilla. Janë realiteti i përditshëm i një gjenerate grash e vajzash që përpiqen të përmirësojnë sadopak jetën e tyre, e mandej Atdheun. Përpjekje, ku sipas rrëfimit publicistik, letrar plot metafora e ngjarje, Flutura, na i paraqet herë herë si të dështuara. 

Duke lexuar librin, do të doja të mos isha kukulla 6. Sepse do të doja që puna e përditshme që bëj të mos kalonte në labirinthe ku askush nuk do të dëgjonte. E thënë artistikisht nga një shkrimtare që në rrëfimet e saj ironike, fshikulluese, e rrëqethëse shumë herë, të bën të mendosh: vallë në ç’realitet virtual e përfshijmë veten, pa dashur të përballemi me realitetin, duke u bërë palë me të e mandej, kur kemi parë e realizuar se kemi hyrë aq thellë brenda, nuk arrijmë të dalim dot? Kush më mirë se ato personazhe kukulla, që na tregojnë dashurinë, fortësinë, cinizmin, ironinë, skuthërinë, makutërinë e lloj lloj gjendjesh dhe personalitetesh, do të rrëfente realitetin ku duhet të ndalojë gjithësecila prej nesh? Gjithësecili prej nesh?

Ky libër sa realist aq edhe letrar, është një pasqyrë e realitetit të sotëm. Me nota të forta publicistike, të përfshin thellë në mendime. Të bën të besosh dhe të ëndërrosh, se një kukull e vetme, nuk mund të ndryshojë një realitet, por të gjitha bashkë, mund të ndryshojnë një mentalitet. Një leksion, për të gjitha gratë dhe vajzat në Shqipëri, se ka ardhur koha pas 23 vitesh, të përpiqen të marrin në dorë fatin e tyre, jo të ndrydhura, poshtëruara, frustruara, frikacake e dinake. Por vajza kurajoze, të vërteta, të siqerta, të brishta kur duhet, e luftarake deri në fund për të drejtën e tyre. 

Unë kështu e lexova këtë libër. Do të doja shumë, që pas disa vitesh e dashur Flutur, të mos jemi kukullat e një dekori pesimist. Por ta gjejmë veten jashtë thënies së kukullave të tua se “e keqja, ia gjen derën shpejt të pafatit”. As të mos pyesim nesër sikurse ti pyet: A është ky Atdheu ku meritojmë të jetojmë? Mes rreshtave të këtij romani publicistik, unë e kam gjetur përgjigjen. Shpresoj, ta gjeni edhe ju.