Një erë e re për Tiranën

Një erë e re për Tiranën
TIRANE- Jo gjithmonë kam kohën e duhur, ndonjëherë edhe përkushtimin për të bërë me nënën time një shëtitje apo vizitë nga ato tipiket nëpër shoqet dhe kushërirat e saj. Asaj i pëlqen të eci gjithashtu në muzg, nëpër Tiranë, ose të shkojmë afër detit.
 
Sonte, jemi unë dhe ajo që ecim buzë Lanës në drejtim të “Urës së Tabakëve”, (është një urë që i pëlqen). Gjithëka është pothuajse perfekte, dielli që i jep përqafimin e fundit të portokalltë qytetit, zhurma e muzikës aty-këtu, dhe aroma e një luleje të bardhë që varet nga pemët e disa shtëpive në Tiranë, gjithmonë më ka dehur dhe lidhur ngushtësisht me këtë qytet. Era e Tiranës jetohet kështu nga shumë të njohur të mi. Fundja, aromat janë formë afrodiziaku, kimie, shije, nuhatje, edhe kujtese. Mjafton një arome, të të çojë diku, të të kujtojë dikë, madje të të bëjë edhe dikë. Një mike e imja, pasi iu nda më dysh zemra prej një historie dashurie, me një lëvizjë të dorës hodhi në kosh parfume që i kishin kushtuar sa qimet e kokës, dhe tani u bënë kohë që po përdor një të ri. Aromat ja kujtonin më shumë sesa bluza e harruarr në sirtarin e dytë të dhomës së gjumit. Ju ka ngjarë me gjasë edhe juve, në mos t’ju thyejnë zemrën, ta blini një të mirë që ai zemërkrijuesi t’ju dëshirojë pak më shumë sesa të dielën e kaluar. Në këtë meditim aromash dhe ere, Lana lëshoi një duhmë sh.... të konservuar mirë në Selitë, dhe nëna ime ja behu me një reagim që m’u ngjit si mushkonjë në kujtesë.
 
- Ishalla moj vajzë, të fillojë punën ai Rama e t'i hedhë klor Lanës. Se vetëm ai mund t'i hedhë klor këtij lumi të pistë që na qelbi shëtitjen. Turp që s’ju vjen, që e kanë lënë në këtë ditë të zezë. Nuk kalon këtej ai Arvizu me Sequin? Por kur vijnë të huajt në Tiranë nuk habiten me këtë erë sh….? Rama, vetëm Rama në i hedhtë klor! -vijonte nëna ime duke e përsëritur të paktën 6 herë fjalinë që i dilte nga stomaku, me besim e shpresë gati mallëngjyese.
 
Moj ma, ju ktheva unë: - Po pse mi, kryeministri do merret me Lanën? Rama të duket gjë farmacist që do marrë klorin e do ngjitet në selitë, e do ja hedhë haleve të Tiranës? Pse e mendon se një kryeministër do merret me një punë kaq periferike? Dhe pse mendon që me një dorë klor do bëjë historinë Edi Rama?
 
Ajo më pa me indiferencë dhe e shoqëroi më një kokëfortësi të tipit: Të rroftë që je gazetare dhe nuk e kupton se vetëm Rama do ta bëjë këtë gjë.
 
Me pak fjalë, pritshmëria e qytetarëve e kalon programin e PS, premtimet elektorale, madje edhe fantazinë e politikanit më vizionar të mundshëm në këtë Tiranë që mban erë qyteti, por paralelisht është sendërtuar edhe një hale tranzicioni. Njëra ështe aroma e identitetit të saj dhe tjetra era e përdhosjes, dhe sidomos e pshurrjes.
 
Qytetarët nuk janë të gjithë anglishtfolës, frankofonë, njohës të termave PR, lexues të Alaistar Cambell, nuk e dinë mirë gjuhën e diplomacisë së Washingtonit, apo të Brukselit. Shumë prej tyre as që duan të dinë! Janë të thjeshtë, dhe e gjykojnë komshiun nga sjellja në ashensor, nuk ngurojnë të ngjiten me të, kur e dinë nga përvoja, që ai s’mban erë. Nuk mërzitet kur fqinji përballë i teket çdo vit të bëjë punime dhe ti e duron trapanin që të zgjon nga dremitja e drekës. Janë edhe tekat e kapriçot që na ndajnë e bashkojnë. Janë disa gjëra të vogla që marrin rëndësi më shumë sesa madhështitë e akteve historike.
 
Qytetarët janë të dërrmuar nga mungesa e besimit dhe në uri e sipër e kanë kthyer atë në një fanatizëm ndaj kryeministrit të ri. Besojnë se ai pavarësisht se kandidoi në Vlorë, nuk do ketë asnjë shans që dikush, dicka, disa t’i heqin dashurinë estetikë për Tiranën. Kërkesat dhe pritshmëritë janë si askurrë të forta, dhe mund të rezultojnë më përmbajtje klori që nëse hedh shumë rrezikon ta gërryesh objektin e preferuar.
 
P.S, edhe pse e kundërshtova nënën time, me përkujdesjen e një vajze që ajo mos lëndohet në çdo rast, kam frikë se thellë diku mes planeteve të mi të brendshëm, besoj në një yll, besoj si ajo, se ndryshimin e bën edhe me një dorë klor. Kushedi?!

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë