Mes hipotezave që qarkullojnë rreth origjinës së atentatit fals të Tom Doshit, prej kohësh qarkullon dhe ajo që shpjegon intrigën me tentativën për të deligjitimuar prokurorin e përgjithshëm Llalla dhe kreun e krimeve të rënda Eugen Beci, të dy “fajtorë” sepse çuan në burg Arben Frrokun.

Në këtë sens roli i Mark Frrokut (gjithnjë sipas këtyre hipotezave) do të ishte ai ideimit të një plani fals për të ndihmuar vëllain në burg.

Nuk e dimë nëse kjo është e vërteta, por zhvillimi i ngjarjeve është paradoksal. Pikërisht pas planit fals për vrasjen e Tom Doshit, Mark Frroku përfundoi në qendër të hetimeve të prokurorisë dhe sot – një muaj më pas – kthesa groteske e historisë: Arben Frroku doli nga burgu i pafajshëm për vrasjen e komisar Lamajt dhe Mark Frroku hyn në burg me akuzën e vrasjes së një personi në Belgjikë 16 vite më parë. Fati për dy vëllezërit Frroku përmbyset: në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë, njëri del nga burgu, e tjetri futet.


Rokada mes Frrokëve mund të ndodhë dhe në Kuvend, që me dorëheqjen e Mark Frrokut në formë të prerë, vëllai i tij Arben Frroku do të kthehej si deputet në vend të tij në Kuvend.Në zgjedhjet e 2013 Arben Frroku ishte numri dy i listës Kristian Demokrate në zonën e Shkodrës ndërkohë që vëllai i tij Mark Frroku kryesonte listën. Në rast të një dorëheqjeje të prerë të deputetit Kristian Demokrat Mark frroku për shkak të ngjarjeve të fundit, vëllai i tij Arbeni duke qenë numri dy pas tij në listë gëzon të drejtën që ta zëvendësojë atë në Kuvend. 

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)