Një motërzim i panjohur i “Bletës
Shqiptare” në Athinë i 1875-s

Një motërzim i panjohur i “Bletës<br />Shqiptare” në Athinë i 1875-s
Korça, kjo “goor e drittēm e Shqipëriis poshtëme” (citim nga “Fjamuri i Arbërit”) duhet t’iu ngrejë një monument, mbase aty te  Lëndina e Lotëve, kurbetllinjve dhe bijve të saj që pushtuan tregje në kërkim të pasurisë, por edhe u pushtuan vetë nga drit’ e mbrothësisë dhe e diturisë.    

Mes figurave emblematike që çelën udhën e lëvizjes për dituri e liri të shqiptarëve, njëra me këngët e “Milosaos” dhe tjetra me këngët e “Alvaniqí Mélisa-s”, d.m.th. të “Bletës Shqypëtare”, janë padyshim Jeronimi i Radanjve dhe Efthimi i Mitkove, hallka lidhëse mes asaj që tashmë me të drejtë është quajtur Para-rilindje e shqiptarëve, dhe Rilindjes vetë, që po vinte.  Në ngrysje të jetës së vet, Efthimi i shkruante Jeronimit: “Edhe zotëria  jote plak, edh’ unë plak, e zoti na lashtë të rrojm’ edhe pak e t’i shërbejm edhé Shqypërisë”.
 
“Vivlia ime ndë Athinë nuk humbi, ... e lëreva.”
Dokumentet tregojnë se Mitkoja duhet ta ketë patur gati “Bletën” në fund të v. 1873 a në fillim të v. 1874, përderisa në mars të po atij viti, sipas zakonit të kohës, qarkullon në greqisht Njoftimin (Αγγελία) për botimin së shpejti të saj, pas sigurimit të pajtimtarëve që do të parapaguanin.  

Por nga marsi 1874 deri në shkurtin e 1878-s, kur filloi shtyposja në Aleksandri, kanë kaluar plot 4 mote e prandaj lind pyetja çfarë pati ndërmjetësuar që, ndryshe nga premtimi i fillimit, “Bleta” po shpallej me aq vonesë? Kur e “lëreu” [=braktisi] Mitkoja shtyposjen “ndë Athinë” të “vivliës” së tij “me të panumuruarat lajthiteja të shkronjashtypësit”? 

Lëmshin e krijuar  vjen ta zgjidhë tani vetë Mitkoja me lëndën e pasur arkivore që na la. Gjatë punës për botimin e Fjalëtoreve të Mitkos hasëm në disa fletë mjaft interesante, pak dorëshkrime dhe kryesisht boca tipografike, ku bëhet fjalë për “Bletën” e Athinës, dhe prej nga duket mjaft qartë se libri pati filluar të shtypej në muajt e parë të v. 1875. Nga ky botim i lënë në mes të udhës janë ruajtur të shtypura thuajse plotësisht Parathënia greqisht e Mitkos, shkruar në Kajro më 10 mars 1875, si dhe  pjesa më e madhe e Parthënmes shqip, përkthyer prej atij vetë.

Po ashtu, ruhen një numër bocash të veprës “Filía shqiptare” të Dora d’ Istrias, që, sipas Njoftimit të v. 1874, Mitkoja kish ndërmend ta vinte në krye të librit.
Ka interes të citohet i plotë paragrafi i parë i Parthënmes, prej nga tërthorazi kuptojmë reagimet që ka ngjallur Njoftimi i Mitkos i një viti më parë:

Kuxuarë të shpall me shtypë sendin e kësaj vivlie, nuku më ndoonjë lakëmi për fitim, as ndoonjë ligështi për të kërkuarë nam fillollogu; jo; as një nga këto më shtyri mbë këtë kuximë, edhe ja tek’ është për deshmi pazar’ i vivliës sime, sagjithë mbë këto koha të sotmet: edhe këjo vetë e shkruameja, e cila më kallëzon më tepërë për një punëtuar kallës-mbë-ledhësin, sesa për një të dijtëshim bulk.

Ajo që më holqi mua me-vërtetë mbë këtë, kële një njejme dëtyrë, e një mall që m’ ushti që mbë vogëli e urrit bashkë me mua, sa të jem edh’ unë i vëjejtëshim ndoopak për filiën time Shqypëtaren, të cilën për fatkeqëri, diemët’ e saj të vërtetët, përtuarë shumë, s’i kan rën përapa aspak; e farat e saja, pa-a mentuarë mirë, e lëryen, aqë sa ajo përandaj po lëngon ndë sëmundnë të glatë e të përjetëshime të ngatëruame, e këndy e tutie gjendet ndë rrëzek të copëtohet, a të surbitet e të përpihet kryekëput.

Siç shohim, Mitkos i është dashur të përballet me thashethemnajën pas së cilës ai po e botonte “Bletën” për të bërë pará e për të fituar emër!!! Këto fjalë duket se kanë qarkulluar qysh me daljen e Njoftimit, ndaj edhe misirlliu ynë,  në Parthënmen e marsit 1875, sqaron me një mënyrë krejt çarmatosëse arsyet që e shtynë të përgatiste e të botonte librin, për të na treguar edhe sot sa i madh e sa modest ka qenë ai, dhe sa të vegjël e cmirëzinj qenë ata që e përgojonin. Është një rrëfim prekës dhe i papërsëritshëm në letërsinë e Rilindjes, të cilin Mitkoja e ka lënë jashtë Parathënies së botimit të Aleksandrisë.

Për sa i përket strukturës së “Bletës” së vitit 1875, mund të bëhen krahasime në dy kahe: të shihet ajo në raport me Njoftim-in (premtimin) e 1874-s dhe me botimin (realizimin) e 1878-s. Sipas Mitkos, “Bleta” e Athinës do të përmbante:

Α) Një pjesë të historisë së Dora d’ Istrias për kombësinë shqiptare botuar në frëngjisht dhe kthyer në dialektin shqiptar të Italisë prej Dhimitër Kamardës, e mandej prej meje në të folmen dangëllishte-toskërishte. 

Β) Fjalë të moçme  shqiptare.
C) Gjëegjëza shqiptare.
Ç) Këngë popullore, heroike, erotike, dhe të dasmës, të ndara në dangëllishte-toskërishte, labërishte-çamërishte dhe gegërishte. Janë përfshirë tek tuk edhe disa [këngë] greke, heroike, bashkë me kuptimin në shqipen, ngaqë kanë lidhje me të njëjtat [këngë] shqip, si dhe disa poezi me autor, të ndryshme. Disa prej këngëve janë vetëm fragmente dhe të paplota, ashtu siç munda t’i siguroja. 

D) Përralla, dhe
Dh) Fjalor fjalësh të huaja, më së shumti turke, që hasen në këngët a tjetërkund, përkthyer greqisht dhe shqip. 
Kam lënë pa shtuar, ndryshe nga sa kisha dhënë fjalën, emrat dhe mbiemrat e njerëzve, për shkak se nuk m’u dërguan në kohë të dhënat më të nevojshme…

Nga këndvështrimi gjuhësor është me interes përpjekja e Mitkos për të kthyer “në dangëllishte-toskërishte” gjuhën e përdorur nga Kamarda në përkthimin arbërisht të veprës së Dora d’ Istrias. Siç shënojmë në studimin hyrës të Fjalëtoreve të Mitkos, mbetet për t’u ftilluar arsyeja pse ai e ka hequr këtë sqarim nga botimi i Aleksandrisë, pa hequr dorë aspak nga synimi për të shkruar në një shqipe më të kuptueshme e më të kapshme nga mbarë shqiptarët.

Nga i njëjti këndvështrim, fakti që Parthënmia qe shkruar së pari në greqisht e më pas u përkthye prej tij në gjuhën shqipe (Παράφρασις εις την Αλβανικήν - Nkëthyerë mbë Shqypen Parthënme), tregon se Mitkoja e pati konceptuar fillimisht “Bletën” si një botim dygjuhësh dhe u përpoq ta realizonte si të tillë.  

Në rrafshin politik, si Njoftimi (1874), ashtu edhe Parthënmia (1875) apo Prologu (Πρόλογος) i 1878-s na japin mundësinë të ndjekim mënyrën si formohet dhe si evoluon mendimi i Mitkos. Bie në sy rëndësia që i kushton ai Kryengritjes greke të 1821-së (“E madheja frymëtoreja luftë e vitit 1821, që ndezi pe sendi të vet një fanua të madh, e shkrepi ... dritë të paa-ngrysëme ...”), por edhe idesë “Lindja nëpërmjet të Lindjes” përkundër “famëmadhes ide të ‘nacionaliteteve’”, çka do të thotë se ai besonte në nevojën e luftës së përbashkët të popujve dhe në krijimin e një Konfederate të Orientit. Këtë ide duket se e ka përkrahur veç Mitkos edhe Dora d’Istria, ndërsa De Rada e shihte me rezerva.

Ndërkaq, në Prologun e 1878-s do të shohim se tashmë Mitkoja përqendrohet në raportet e shqiptarëve me grekët dhe ka “nuhatur” rreziqet që u kanosen nga “Megali Idhea”. Duke vënë në përdorim shpesh argumente që i ofron historia dhe qytetërimi i fqinjëve të lashtë, ai polemizon duke pasur si busull bindjen se liria dhe gjuha janë të drejta thelbësore të qenies njerëzore e të popujve, e si të tilla nuk mund të trajtohen në mënyrë selektive.
 
“...e dhashë n’ Aleksandri, edhe u nis pardje të shtyposet përsëdyti  pak më e shkurtër.”
Po ta mendosh hollë-hollë dhe të hysh në thelbin e fjalëve, “Bleta” si titull mund të quhej edhe Antologjia Shqiptare. Kuptimi, si në njërin si në tjetrin rast është i njëjtë. Sepse anto-logji (ανθο-λογία) do të thotë tufë lulesh të zgjedhura, nektarin e të cilave e mbë-ledh dhe e zgë-ledh bleta për të bërë mjaltë. 

Me titullin “Bleta” Mitkoja vazhdon një traditë të hershme, që çelet së paku qysh me botimet e Gliqis-it (Γλύκυς) në Venedik, i cili, përveç se e ka bletën logo të shtypëtores së vet të famshme, boton më 1680 një përmbledhje me titullin «Μέλισσα» (“Bleta”). Tradita vazhdon në vitet 1840-50 e më pas, kur në Athinë qarkullojnë një sërë “Bletësh”, ndër të cilat më e njohura është “Η ιατρική Μέλισσα - Bleta mjekësore”. Një vrojtues i kujdesshëm nuk e ka të vështirë të dallojë ngjashmërinë e madhe të ballinave të “Bletës mjekësore” të Athinës dhe të “Bëletës Shqypëtare” të Aleksandrisë.  

Meqenëse po flasim për ballinën e “Bletës” së Aleksandrisë, mbetet për t’u ndriçuar kush ka qenë redaktori me inicialet Δ. Α. [Dh. A.] i librit të Mitkos. Po kështu, duhen bërë kërkime lidhur edhe me shtypëtoren e Ksenofon N. Saltis-it, në Aleksandri, prej nga doli “Bleta”.
 
“Del në dritë falë ndihmesës bujare të pajtimtarëve miq të muzave...”
Deri më sot nuk njohim ndonjë studim të posaçëm për sa i përket “auditorit” të “Bletës”, ashtu siç përvijohet ai prej emrave të pajtimtarëve, renditur në faqet e fundit të botimit të Aleksandrisë. Ndërmarrja e një studimi të tillë, mbi bazën e lëndës që disponojmë apo edhe të të dhënave të tërthorta, do të nxirrte në dritë një sërë faktorësh ende të panjohur që ndikuan në procesin e botimit dhe të qarkullimit të librave në motet e Rilindjes kombëtare të shqiptarëve.

Nga listat e “Bletës” (1878) del se Mitkoja arriti të siguronte 248 pajtimtarë, të cilët porositën 451 kopje të librit, numër jo i vogël për atë kohë (por edhe për sot!). Ndër pajtimtarët, shumica janë korçarë të kolonive të Egjiptit dhe pastaj të Rumanisë, gjë që përputhet me faktin se në këto dy vende gjendej numri më i madh i kurbetllinjve, që kishin filluar të zgjoheshin kombëtarisht.  

Në krijimin e rrjetit të pajtimtarëve luanin pas gjase rol edhe njohjet personale si dhe origjina nga i njëjti pellg apo e njëjta krahinë. Sa për Egjiptin, Mitkoja shënon se “Korçarëtë zunë të venë ndë Egjyptë për tregëti mbë të dalë të tetëmbëdhjetësë qindore, tyke ndiekurë luftëtarëtë Turq Shqypëtarë”.

Nga ana tjetër, njihen lidhjet tradicionale të pellgut të Korçës me viset e ultësirës së Danubit, si dhe rastet e kurbetllinjve që e nisën mërgimin në Egjipt e pastaj shkuan në Rumani (J. Banka), apo e kundërta. Nuk është e vështirë të vërehet se nga listat e pajtimtarëve mungojnë krahina të tëra të Shqipërisë, apo edhe vatra të tjera të emigracionit shqiptar. Kolonia e Stambollit, p.sh., përfaqësohet me një pakicë emrash, krahina e Gjirokastrës po ashtu, për të mos folur pastaj për ngulimet e arbëreshëve apo për arvanitasit, që mungojnë thuajse fare nga listat.

Duhet shtuar se 248 pajtimtarët janë siguruar prej Mitkos qysh pas qarkullimit të Njoftimit (mars 1874) e deri në botimin e “Bletës” së Aleksandrisë (1878), çka duket edhe nga disa dokumente që ruhen në Fondin Mitko, me emra abonentësh renditur në fund të tekstit të Njoftimit, por edhe me formularë të përgatitur enkas (Kajro, mars 1878), prej të cilëve tërheq vëmendjen tonë ai që ka plotësuar Jani Vretoja në Stamboll: Ma shumë s’munda të shkruánjë se dhè s’ kanë mësuarë se çë munt t’u shuanjë etjenë, ndonëse gajasnjënë [=u thahet buza oër një pikë ujë]. Shënimi i Vretos na ndihmon për të kuptuar vështirësitë e botimit të “Bletës” e për të theksuar se ato nuk kanë qenë vetëm dhe thjesht të anës teknike.

Sepse vërtet, letra e Mitkos për Kamardën, e shkurtit 1878, me ankesat e tij për të “panumuruarat lajthiteja”, tregon sa e vështirë ka qenë radhitja e teksteve të shqipes me shkronjat e greqishtes e me lloj lloj kombinimesh të tyre, gjë që duket mjaft qartë në tri faqet e Parthënmes shqip, të cilat  s’kanë shumë gabime, por sa kohë e mund i është dashur vallë për t’i terezitur?! Dhe a mund ta bënte këtë për një libër të tërë? “Veç këtyre, libri u shtyp larg vendit ku unë banoj, dhe për rrjedhojë jo nën mbikëqyrjen time të drejtpërdrejtë”, shkruan ai vetë duke i kërkuar ndjesë lexuesit në mbyllje të Parthënmes.

Por se mos qenë vetëm problemet teknike! Po të kishin gojë e të flisnin fletët e “Bletës”, kushedi çfarë do të mësonim prej tyre!  Kemi në duar dy skicime letrash të Mitkos, që mezi lexohen, dërguar një korçari kurbetlli, prej nga përvijohet qartë se asokohe qenë përhapur fjalë që “Bleta” qe një libër që iu kundërvihej interesave të Helenizmës. Mitkoja përpiqet ta shpërndajë këtë mjegull duke shkruar se, në të vërtetë, “Bleta” u bën jehonë edhe atyre interesave e se i shërben “mbarë atdheut” (την καθόλου πατρίδα), e në këtë rast “atdhe”, sipas tij, janë edhe Shqipëria edhe Greqia.

Për këtë arsye, janë të shumtë grekët që, siç shkruan, e kanë porositur librin. Ai madje bën një hap më tej, kur, si iluminist i thekur që është, shkruan se “Bleta” u shërben interesave të çdo njeriu në përgjithësi! Siç do të shohim, në Parathëniet e v. 1875 dhe 1878 Mitkoja shtjellon shkoqur çfarë nënkupton kur flet për atdhe të përbashkët dhe interesa të përbashkëta të grekëve dhe të shqiptarëve.

Zhurma e krijuar duket se e ka dëmtuar punën e tij. Ka patur presione jo vetëm nga krahu grek, por edhe nga krahu shqiptar, që mbase nuk i mirëpriste idetë e Mitkos për afinitetin dhe afrimin shqiptaro-grek. S’ka si shpjegohet ndryshe kalimi në heshtje i “Bletës” nga savantët shqiptarë të Stambollit dhe nuk është e rastit që Stambolli, me aq e aq shqiptarë, përfaqësohet kaq dobët në listat e pajtimtarëve.

Nuk përjashtohet mundësia që edhe vetë Mitkoja, sidomos pas botimit të veprës, të jetë tërhequr disi nga “skena”. Kjo ka gjasa të ketë ndodhur vërtet, po të marrim parasysh se ai ka pranuar të përfshihet në veprën “Ankime shqiptare” të Th. Brandit (1880) një pamflet i gjatë në mbrojtje të origjinës shqiptare të Skënderbeut, polemikë e Mitkos me historianin grek Paparigópoulos, tekstin e së cilës e kemi gjetur në dorëshkrimet e atdhetarit korçar. Bën përshtypje gjithashtu edhe fakti se Mitkoja, më 15 janar 1883, nënshkruan në Fjamurin e Arbërit si “një shqiptar ngaj Toskëria”*.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kroacia e shpalli 'non-grata', zv.kryeministri i Malit të Zi: Vendimi është politik

Kroacia e shpalli 'non-grata', zv.kryeministri i Malit të Zi: Vendimi është politik