TIRANE- Një grua 50 vjeçe është shtruar në Shërbimin e Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasi rezulton se është e prekur nga sindroma e “Lopës së Çmendur”. Lajmi u konfirmua nga vetë ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, pasi u pyet nga gazetarët gjatë një konference për median. Kreu i shëndetësisë tha se rasti i vetëm me sindromën e “Lopës së Çmendur” rezulton të jetë importuar nga Italia. Sipas të dhënave, 50 vjeçarja është nga Vora dhe prej tre javësh është duke u kuruar në QSUT.

“Pacientja është në gjendje të mirë shëndetësore pasi analizat kanë treguar se sëmundja e saj është imune dhe nuk përbën rrezik për përhapje të saj. 50 vjeçarja ka ardhur me këtë sëmundje nga Italia, ndërkohë që në shtetin fqinj ajo është pajisur edhe me medikamente për të luftuar sëmundjen” pohojnë burime zyrtare nga QSUT. Nga ana tjetër janë specialistët e shëndetësisë, e konkretisht Instituti i Shëndetit Publik, që po merret me hetimin e rastit, për të gjetur kështu edhe origjinën e infektimit.

Hetimi epidemiologjik bëhet nga ekspertët e bluzave të bardha për çdo rast të sëmundjeve infektive dhe kjo shërben dhe si masë parandaluese për përhapjen masive të tyre. Sëmundja e njohur sindromi i “Lopës së Çmendur”, merret nëpërmjet konsumimit të mishit të infektuar dhe nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu. Ajo godet rëndë neuronet e trurit, duke bërë që njeriu të humbasë gjithmonë e më shumë aftësinë për të koordinuar lëvizjet, për të folur, humb kujtesën dhe në fund  sjell vdekjen.

Shkrimi u publikua sot (14.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)