Një shekull Pavarësi
Shqipëria vishet kuq e zi

Shqipëria sot është zgjuar kuq e zi. Në këtë 100- vjetor të shpalljes së Pavarësisë së saj, qytetet kanë nisur festimet e para.

TIRANA ZGJOHET KUQ E ZI
Tirana është zgjuar sot kuq e zi. Mijëra qytetarë nga vendet e Shqipërisë, por edhe Kosova e Maqedonia kanë pushtuar rrugët e kryeqytetit. Qendra e qytetit e bulevardet kryesore të Tiranës janë plot e përplot me njerëz, të cilët festojnë këtë 100-vjetor të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Duke marrë pjesë në aktivitetet festive, duke fotografuar tiranën kuq e Zi, qytetarët shprehen mjaft entuziastë për këtë festë të shqiptarëve. Rrugët kryesore të kryeqytetit që lidhen me qendrën por edhe me zonat e tjera ku janë programuar ceremoni festive, janë bllokuar për qarkullimin e mjeteve.

tirane festime
(festime ne Tirane)

VLORE NE SHESHIN FLAMURI VALLEZOHET
Në sheshin e Flamurit qytetarët kanë filluar festimet. Duke mbajtur në supe flamurin e Kosovës dhe atë shqiptarë po kërcejnë në shesh. Edhe klubi i motoristëve “Still Wings” kanë mbërritur nga Tirana në Vlorë për të festuar dhe po bëjnë xhiro nëpër shesh. Sheshi është plot me qytetarë që festojnë.

vlore me loge
(festimet ne Vlore)

PAVARESIA NE KORCE NIS ME EKSPOZITEN HISTORIKE
Aktivitet për 100-vjetorin e pavarësisë në qytetin e Korçës kanë nisur me një ekspozitë para sheshit të Katedrales. Figura që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë, si Asdreni, Çerçiz Topulli gjashtë firmëtarët, Vangjush Mio e të tjerë janë ekspozuar për qytetarët. Ekspozita ka tërhequr sytë e shumë kuresahtarëve, ndërkohë është bllokuar nga policia, bulevardi kryesor dhe qendra e qytetit. Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” është bekuar flamuri kombëtar. Aktivitetet vazhdojnë në Varrezat e Dëshmorëve, ku përfaqësuesit e Partisë Demokratike do kryejnë homazhe në këto varreza. Bashkia, prefekti, veteranë, familjarë të dëshmorëve, konsullata greke dhe politikanë vendosin kurora me lule te lugftëtarët kombëtar. Ngrihet flamuri tek “Ushtari i Panjohur”. (Nga Dafina Ismaili)

korce ekspozite
(ekspozita ne Korce)

korce festime
(foto nga festime Korce)

DYNDJE SHQIPTARESH DHE TE HUAJSH NE PIKAT DOGANORE
100-vjetori i pavarësisë së vendit ka shtuar fluksin e qytetarëve në pikat doganore të rajonit juglindor, të cilët u drejtohen qyteteve shqiptare për të festuar. Numri më i lartë është regjistruar në pikën doganore të Qaf-Thanës, ku ka patur fluks jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por dhe të huaj. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në qytetin e Korçës gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë nëpërmjet kësaj pike 3693 shtetas me 793 mjete, ndërsa kanë dalë 900 shtetas me 362 mjete. (Nga Dafina Ismaili)

SHKODRA IMPROVIZON NGRITJEN E FLAMURIT
Ka qenë ora 09:00 e mëngjesit kur kanë nisur aktivitetet festive në qytetin e Shkodrës. Përpara bashkisë së metropolit verior janë mbledhur drejtuesit e pushtetit lokal, përfaqësuesit e klerit si dhe qindra qytetarë të Shkodrës. Pasi kanë ndjekur përformimin e bandës së qytetit të Shkodrës në sheshin përpara bashkisë është improvizuar ngritja e flamurit kuq e zi ndërsa më pas kreu i bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka ka përcjellë mesazhin me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Më pas qytetarët e shumtë kanë pasur mundësi të ndjekin parakalimin në pedonalen “13 Dhjetori” të forcave të armatosura, efektivëve të Policisë së Rendit dhe bashkisë, zjarrëfikësve, studentëve dhe nxënësve të shkollave. Më pas përfaqësuesit e pushteti lokal kanë vendosur kurora me lule pranë memorialeve të Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletinit. Në kuadër të festimeve Bashkia e Shkodrës ka hapur dyert për qytetarët ndërsa në hollin e saj është zhvilluar edhe një ekspozitë me piktura. (Nga Elvis Nabolli)

shkoder festime

(foto nga festimet ne Shkoder)

BULEVARDI I ELBASANIT NEN PERFORMANCEN E VALLEVE

Atmosfera sot në qytetin e Elbasanit paraqitet tejet festive dhe ngjyrat e kuq e zi kanë pushtuar qendrën e qytetit dhe pothuajse çdo shtëpi valëvit flamurin kombëtar në dritare. Në bulevardin kyesor të Elbasanti pritet të performojë trupa e Ansamblit të Kosovës me një repertor të gjerë të valleve nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Në orën 11:00 prefektura sëbashku me Këshillin Bashkiak oraganizon një takim me të gjithë familjet e patriotëve elbasanas që kanë ndihmuar levizjen për pavarësi kombëtare duke i nderuar me titujt e mirënjohjes të qytetit. (Nga Andi Qosja)

RRUGA E KOMBIT E PUSHTUAR NGA SHQIPTARET KOSOVARE DREJT VLORES E TIRANES
Qytetarët e Kosovës janë dyndur mbrëmjen e kaluar drejt Tiranës e Vlorës për të qenë të pranishëm në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë. Si rrallë ndonjëherë autostrada e Kombit ka pasur një fluks automjetesh të vogla, por edhe dhjetëra autobuzë me flamujt kombëtarë të cilët e kanë ndriçuar Rrugën e Kombit në te gjithë gjatesinë e saj. Fluksi i mjeteve ka rënduar trafikun në kryqëzimin e Milotit ku aktualisht janë vendosur patrullat e policisë për të siguruar qarkullim normal të të gjitha mjeteve. Trafiku ka nisur në oret e pasdites ndërsa parashikohet që numri i mjeteve të vijojë gjithnjë e në rritje në orët në vazhdim. (Nga Julian Hila)

LEZHA NGRE FLAMURIN E SHEKULLIT TE PAVARSISE
Ngritja e flamurit pranë Obeliskut të Besëlidhjes, ka hapur festimet për kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë në qytetin e Lezhës. Qindra qytetarë u janë bashkuar aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Lezhës me këtë rast, ndërsa janë zhvilluar edhe kumtesa në këtë përvjetor të 100 të shpalljes së pavarësisë. Sheshi kryesor i qytetit, Pallati i Kulturës dhe çdo cep i Lezhës është gjallëruar në këtë ditë të shënuar të kombit shqiptar. Për kreun e bashkisë së Lezhës Viktor Tushaj, “në Vlorën e pavarësisë u shkruajt historia e kombit tonë, lindi dielli për të cilin breza me radhë atdhetarësh e burra shteti u vetëflijuan ndër shekuj.” Festimet në Lezhë për jubileun e pavarësisë do të jenë prezente gjatë gjithë ditës së flamurit, duke i dhënë atmosferë gëzimi kësaj date të shënuar. (Nga Julian Hila)

CEREMONIA E NGRITJES SE FLAMURIT NE FIER
Qyteti i Fierit, ashtu si gjithë Shqipëria është zgjuar sot me ngjyrat e festës në këtë 100-vjetor. Festimet kanë nisur sot në mëngjes në sheshin që sot mban emrin “Europa Placa”. Kreu i bashkisë Fier Baftjar Zeqaj si dhe autoritetet më të larta vendore partive politike dhe qindra qytetarë kanë ndjekur nga ky shesh ngritjen e flamurit tonë kombëtar shoqëruar nën tingujt e bandës së qytetit. Si asnjëherë tjetër e gjithë klasa politike ka qenë bashkë dhe kanë shtrënguar duart me njëri-tjetrin duke uruar festën e pavarësisë. Pjesëmarrës në festime ishin Baftjar Zeqaj, i bashkisë Fier, Fredinant Murati, kryetar i Partisë Demokratike Fier, Vasil Ndreko, përfaqësues i prefkturës Fier, Andius Olldashi, kryetar i Partisë Socialiste Fier. 100 vjet më parë nga ky shesh kreu i bashkise së asaj kohe Tonci Kilica ngriti për herë të parë flamurin tonë kombëtar. (Nga Kristaq Thano)

FESTIMET E 100-VJETORIT NE GJIROKASTER, BOJKOTOJNE TE MAJTET
Atmosfera festive ka mbizotëruar përgjatë mesditës së sotme në Gjirokastër. Zona historike e qytetit dhe ajo e reja, kanë qenë të tejpopulluara nga kalimtarë, të cilët në këtë 100-vjetor, kanë qenë të dekoruar me simbolet kombëtare shqiptare. Aktivitetet kanë nisur herët nga institucionet shtetërore, ku fillimisht janë vendosur kurora dhe buqeta me lule, në monumentin e heroit kombëtar Çerciz Topulli në qendrën historike të qytetit, për të vijuar më tej në memorialin e rilindasve, ku prehen eshtrat e Çerciz e Bajo Topulli, Koto Hoxhit, Andon Zako Cajupit dhe Pandeli Sotirit. Ajo çfarë ra në sy në këto aktivitete, ishte mungesa e përfaqësuesve të Bashkisë së Gjirokastrës të cilët shprehen se mungesa i justifikohet me prezencën e stafit bashkiak, në festimet e 100-vjetorit në Vlorë. Përfaqësues të Forumit "Djemtë e Gjirokastrës", kanë organizuar sot një ceremoni të veçantë përkujtimore, në nderim të rilindasve gjirokastritë në memorialin pranë shkollës 9-vjecare "Cajupi" në Gjirokastër. Me fondet e tyre, përfaqësues të këtij forumi, kanë rehabilituar varrezat ku prehen eshtrat e pesë rilindasve gjirokastritë. Aktivitetet sot priten të përqendrohen në organizimin e koncerteve nëpër shkollat e qytetit ndërkohë që 28 nëntori për Institucionin e Prefektit të Gjirokastrës, subjektet politike qeverisëse qëndrore, përbën datën kur është çliruar Shqipëria nga nazistët, në vitin 1944. Prefektja Mimoza Como, drejtorë të institucioneve piublike që varen nga qendra, si dhe përfaqësues të Partisë Demokratike dhe subjekteve politike bashkëqeverisëse të saj, kanë organizuar homazhe në varrezat e dëshmorëve të rrethit të Gjirokastrës. Aktivitet ky, që u bojkotua nga forcat e majta politike dhe Bashkia e Gjirokastrës. (Nga Piro Nase)

NGRIHET FLAMURI EDHE NE FUSHE-KRUJE
Në orën 10:00 është ngritur famuri edhe në qytetin e Fushë- Krujës dhe Krujës. Me mijëra vetë kanë ndalur në sheshin e Fushë-Krujës i cili mban edhe emrin e ish-presidentit Bush për të festuar Pavarësinë.
Fjalën e rastit e mbajti kryetari i Bashkisë Fushë-Krujë, Gjon Bardhi.
Sheshi do jetë i mbushur e do të festohet deri në orët e vona të mbrëmjes.

BERATASIT FESTOJNE NE VLORE

Atmosfera në qytetin e Beratit ditën e sotme nuk paraqitet me aktivitete, kjo për arsye se të gjithë pushtetarët lokalë janë përqendruar në qytetin e Vlorës. Por duhet theksuar se nga qytetiti i Beratit janë nisur shumë qytetarë si dhe banda frymore e Beratit për të perfomuar në qytetin e Vlorës. Qytetarët e Beratit janë lënë pa ceremoni përkujtimore sot kur shënohet plot 100 vjet nga ngritja e flamurit në Vlorë, në 1912, por ceremoni të tilla janë zhvilluar gjatë ditëve të fundit .Aktivitetet që jane zhvilluar, janë perfomanca e një shkolle të qytetit të Tiranës ku kanë shpalosur një koncert recital shumë të bukur i sjellë posaçërisht për qytetarët nga fondacioni “Gazmend Toska”. Aktivitete të tjera me rastin e 100-vjetorit të pavaresisë kanë qenë dhe homazhet që janë bërë pranë lapidarit të katër heronjeve Hajredin Fratari, Ismail Klosi, Baki Gjebrea, Muharem Lleshi, emra të cilët të skalitur në pllakën përkujtimore mbajnë peshën e një rëndësie të madhe historike. Gjatë ditëve janë dhënë dhe tituj nderi për dëshmorët si dhe gjashtë firmëtarët që kanë qenë nga qyteti i Beratit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë ku u vra Kristian Marku, shoqërohet Saimir dhe Martin Reçi! Në mars 2023 viktima qëlloi makinën e blinduar të njërit prej tyre

Atentati në Vlorë ku u vra Kristian Marku, shoqërohet Saimir dhe Martin Reçi! Në mars 2023 viktima qëlloi makinën e blinduar të njërit prej tyre