Sa herë që vijnë festat kombëtare ndalet njeriu për t’ia bërë një rezyme vetvetes, apo një autokritikë për periudhën e kaluar. Kësaj here jo për ta matur veten në kandar, por për t’ua bërë një analizë shqiptarëve, liderëve të shtetit, klasës së quajtur elitare, se ku janë dhe me çka merren.

Nëse i bëjmë bashkë, 106 vjet shtet (101 të Shqipërisë dhe 5 të Kosovës), shihet se shqiptarët për këto vite kanë evoluar relativisht shumë nga aspekti ekonomik dhe kulturor. Kanë ndërtuar rrugë, ndërtesa e shtëpi, kanë kryer shkolla të larta, kanë hapur qindra kolegje dhe në këtë dekadën e fundit shumica janë bërë (me shpejtësinë e erës) magjistra e doktorë të shkencave.

Pra, nëse krahasohen shqiptarët me tri dekada më parë, secila shtëpi ka veturë, ndërsa gomarët dhe kuajt i mbajnë vetëm për atraksion, sepse të rrallët janë ata që i shfrytëzojnë për transport e për punë.

Ndërsa nga aspekti i të menduarit dhe vepruarit kolektiv, shqiptarët, kryesisht ata që merren me politikë, kanë mbetur po ata që kanë qenë sot e 100 vjet për parë.

Jemi po ata shqiptarë me po aq shumë komplekse, me urrejtje e me shumë kusure, antipati patologjike ndaj njëri-tjetrit, sa që e gjithë dynjaja, duket se na i kanë inati.

Në Shqipëri, sa duket që vendi po del nga përplasjet e brendshme pozitë-opozitë, prapë del diçka që të kthen në nisje.

Një iniciativë që merr qeveria menjëherë kundërshtohet nga opozita, me protesta me alamet sharje, sa që nuk dihet se kush është Jezusi e kush Pon Pilati. Rasti më i freskët është ai për armët kimike të Sirisë. Akoma pa bërë analiza çka janë ato, cilat janë konsekuencat, si asgjësohen, kush merret me to, etj., dalin në protesta thua se po ringjallet inkuizicioni.

Por, jo vetëm për këtë, por për çdo gjë që merr iniciativë Qeveria (qoftë edhe për t’ua larë tatimin qytetarëve) reagon opozita. E njëjta ka ndodhur edhe në kohën kur qeveria e kaluar propozoi që t’u jepet nënshtetësia të gjithë shqiptarëve në botë. Kjo do të ishte legjitime, humane e madje veprim kombëtar. Mirëpo, doli opozita e kundërshtoi. Tha kjo është kundër parimeve bazë të integrimit, është fushatë, palaçoizëm e çka nuk është.

Në Kosovë po ashtu është i njëjti sindrom. Urrejtjet ndërmjet opozitës dhe opozitës janë aq shumë të theksuara sa që në raste konkrete dalin më të mirë serbët, se sa shqiptarët që mendojnë ndryshe.

Madje në Kosovë më së miri tingëllon sentenca “Për inati të resë me vdektë djali”. Sipas opozitës kosovare, Qeveria e Kosovës punon kundër interesave të vendit, bashkëpunim me Beogradin, është fajtore për ndarjen e veriut, luan lojën e demonit në Luginën e Preshevës, dhe thënë me një fjalë është vetë “Luciferi”.

Ndërsa, shikuar me sytë e koalicionit, opozita është antinstitucionale, antiamerikane, destruktive, me ide të errëta dhe shkurt është vetë “Dexhalli”.

Në Maqedoni po ashtu është i njëjti virus. Partia që është pjesë e koalicionit qindra herë është apostrofuar si instrument i kryeministrit Nikolla Gruevski. Ndërsa çdo aksion që ai merr kundër shqiptarëve, ia adresojnë edhe partisë shqiptare BDI-së, përfshirë këtu përplasjet ndëretnike të të rinjve në Shkup, arrestimet për vrasjen e pesë maqedonasve, protestat në “Saraj” etj. Mirëpo edhe partia që është pjesë e koalicionit shpeshherë e shtrin qafen përballë diskriminimit që u bëhet shqiptarëve, madje për arsyen se nëse del nga koalicioni ia zë vendin partia tjetër. Prandaj, më mirë qëndrojmë ne se të tjerët në qeverisje.

Përplasjet ndërmjet vëllezërve janë bërë pandemi në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët.

Më skandalozja është në Luginën e Preshevës, ku shqiptarët kanë mbetur në gojën e ujkut. Atje, imagjinojeni partia që ka dalë e para në zgjedhjet lokale, nuk ka bërë koalicion me partitë shqiptare, por me partitë serbe. Ka pranuar që gjysmën e pushtetit t’ua japë serbëve radikalë, por jo shqiptarëve, nga frika se po i bën, siç thotë populli, “çirak” .

Prandaj, trurin e kësaj klase politike duhet larë me ujin e shenjtë “zemzem” për t’ua hequr komplekset dhe urrejtjet që kanë për njerëzit e gjakut të vet.

Nëse këto komplekse nuk janë hequr për një shekull, është vështirë të hiqen edhe gjatë shekullit tjetër. Këto anomali i ka vërejtur para 80 vitesh Faik Konica, e për çudi janë të freskëta edhe sot. Fatkeqësisht...

Marrë nga "Zëri"