Në kuadër të “Javës së Evropës”, Stacioni i Trenit në Shkodër është shndërruar në një hapësirë arti dhe kujtese kolektive përmes projektit “Terminal: Vini re, vini re!”, një eksperiencë artistike e sjellë nga Eda Zari dhe Kult 360 Collective.
I pranishëm ishte edhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi ku së bashku me Ambasadorin e BE Silvio Gonzato provuan një udhëtim të shkurtër simbolik me tren
“Idea e ‘Javës së Europë’ 2026 është idea për të patur një hapësirë të hapur për gjithë, për të sjellë krijimtarinë e artistëve. Këto hapësira mund të jenë virtuale ose thjesht mendore, por është kënaqësi që ky stacion është bërë i hapur dhe është sjellë ndryshe për ne. Shumë prej projekteve të cilat ne kemi financuar janë për identitetin, kujtesën, rizbulimin e vetes” tha Gonzato
Performancat muzikore nga artistja Eda Zari dhe instrumentistët i dhanë atmosferë kësaj mbrëmje.
“Ne, nga perspektiva e artistit, jemi të kënaqur që po bëjmë diçka të pazakontë, duke sjellë gjithçka që ka të bëjë me kujtesën kolektive. Jemi në kuadrin e Javës së Europës, dhe kemi sjellë një koncept artistik që deri më tani nuk e kemi hasur. Ne bëmë bashkë tingullin, fjalën, arkivën, kujtesën kolektive, tingullin industrial. Ne promovojmë vendin tonë, virtytet tona dhe kujtesën tonë. Duhet të nënvizojm që ky ka qenë një projekt që u realizua për 2 muaj” tha Zari.
Për tre ditë me radhë, nga 15 deri më 17 maj, në këtë hapësirë industriale gjenden instalacione artistike, materiale arkivore, tinguj, video-projeksione dhe performanca live, duke rikthyer vëmendjen tek historia dhe simbolika e hekurudhës shqiptare
Komente











