Një sinjal nga Apeli
për Familjen Berisha

Një sinjal nga Apeli<br />për Familjen Berisha
Gjykata e Apelit në Tiranë ka hedhur poshtë kërkesën e Argita Berishës, për të ndëshkuar deputetin Taulant Balla, për shkak të akuzave që ai i ka bërë asaj, lidhur me biznesmenin pakistanez që ajo i kërkonte “tre përqind të vlerës së investimit” për firmën që do hidhte babai i saj kryeministër, apo për akuzat lidhur me të ardhurat e saj marramendëse nga disa universitete private, pagesën e së cilës e kishin praktikisht pagesë për liçencën e tyre të paligjshme.

Por, lajmi nuk është se Gjykata e Apelit rrëzoi pretendimet e Argitës, por se në përbërje të trupit gjykues ishin gjykatës të cilët kanë shfaqur më parë haptazi simpatinë e tyre për Familjen Berisha dhe kanë bërë shërbime politike për të. Vendimi më shumë se sa një fitore për Ballën dhe kauzat e drejta që ai ka ngritur në opozitë, është një sinjal për mënyrën e sjelljes së drejtësisë shqiptare, në raport me pushtetin. Argita Berisha ja ka dalë të mbrohet nga drejtësia duke i pezulluar gjithë çështjet e ngritura kundër saj gjatë kohës që babi i saj ishte i plotëpushtetshëm.

Çështja e hetimit të Damir Fazlliç, e cila përfshinte doemos hetimin dhe marrjen të pandehur të Argita Berishës, pasi si avokate përfaqësuese e tij, kishte bërë veprime të pambështetura financiare, tërheqje parash dhe transaksione, duke u vënë në dyshime për pastrimin e 1.7 milion eurove. Çështja u mbyll me procedurë në Gjykatën e Tiranës dhe gjykatësi që e mbylli, sot është anëtar i KLD dhe i Gjykatës së Lartë. Ajo po ashtu nuk u thirr për akuzat e hapura nga biznesmeni pakistanez, të cilit i ka kërkuar zyrtarisht tre përqind të investimit prej 100 milion euro, nëse babai i saj kryeministër do t’i jepte liçencën e TEC në tokën e Fazlliçit në Porto Romano.

Vëllai i saj nuk u thirr kurrë për tragjedinë e Gërdecit, edhe pse ka gjurmët e veta në çdo hap dhe në çdo procedurë për lobimin e kontratës së vdekjes, deri tek skandali që ministri i Drejtësisë i raportonte atij me faks, se e ka firmosur “memon” që i kërkohet. Babai i tyre nuk u thirr kurrë në Prokurori, qoftë dhe për të dëshmuar ato që ka thënë publikisht për 21 Janarin, kur vrau katër qytetarë të pafajshëm dhe të paarmatosur, të pambrojtur dhe të parrezikshëm në bulevard.

Nëna e tyre nuk u hetua kurrë për fondet e mbledhura në emër të fondacionit të saj “bamirës”, edhe pse pikturat që shiteshin qindra mijëra euro tek biznesmenë të marrë peng, gjysma e të cilëve tani janë nën arrest, shfaqeshin pastaj në zyrat private të burrit të saj. Familja kishte një imunitet të plotë nga mos hetimi prej drejtësisë për çdo gjë që bënin, dhe vazhdojnë të jenë të pacenuar në perandorinë e luksit që kanë krijuar nga pushteti. Sinjali që vjen nga Gjykata e Apelit është një sinjal që Sali Berisha duhet ta lexojë mirë, sidomos tani që po braktis Kuvendin për të mos miratuar reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi është një gjë që u duhet shqiptarëve, por mbi të gjitha autorëve të këtij krimi 25 vjeçar në drejtësi, për të marrë në fund një gjykim të drejtë dhe për ato që kanë bërë.

Është më mirë një reformë në drejtësi, që na sjell një sistem më të pavarur gjyqtarësh dhe të rinj e më të kualifikuar, një prokuror antikorrupsion që monitorohet nga SHBA dhe BE, dhe një sistem më efikas hetimi, me qëllim që të gjithë të jemi të qartë dhe të përmbajtur në raport me drejtësinë, kur ndëshkimi të vijë prej saj. Përrallat e tij se kjo reformë i duhet Edi Ramës për të kapur sistemin e drejtësisë dhe për ta përdorur atë, nuk vlejnë, pasi nëse Berisha refuzon reformën në drejtësi, gjyqtarët e tij më të korruptuar, do të bëhen ushtarë të Edi Ramës, pasi ata nuk njohin mentalitet tjetër përveç atij me të cilët i ka mësuar Berisha.

Ata që sot shitën vajzën e tij, janë njerëz që deri dje i kanë shërbyer, dhe ky është një sinjal se ata ndjehen të çliruar nga pushteti i tij. Sot Gjykata e Apelit ka dhënë një vendim të drejtë, pasi është çliruar nga frika e pushtetit të Berishës, por ky është një sinjal se ata nuk i detyrohen më atij. Dhe kjo nuk është pak për një njeri që është mësuar të mos thirret për t’u pyetur as kur vret, as kur vjedh, as kur shpif dhe as kur rreh e godet kundërshtarët. Tani ai ka dy rrugë, ose të zgjedh të votojë një sistem të drejtë për të gjithë, ose të mbetet në dorë të atyre që ka përdorur dhe i ka poshtëruar profesionalisht për interesa të tij. Vetëm të dijë se hakmarrja e tyre do jetë më e egër, se sa reagimi i një sistemi më të drejtë dhe të paanshëm që po projektohet nga reforma. I bie më mirë të zgjedhë reformën! 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024

Zbulohen profecitë e Baba Vangës për vitin 2025: Alienët me apokalips, ilaçi kundër kancerit dhe nanoteknologjia! Çfarë u realizuan dhe çfarë jo më 2024